20:03

EULEX-i largohet nga zyrat e OVL të UÇK-së, dëgjohen thirrje “Poshtë EULEX”-i

Përfundimi i aksionit të EULEX-it dhe largimi i tij nga zyrat e OVL të UÇK-së është përcjellur me thirrje “Poshtë EULEX”-i, shihet në videot e KOHËS.

Bastisja OVL të UÇK-së përfundoi mbrëmjen e së premtes.

Sekretari i OVL të UÇK-së Faton Klinaku u tha medieve se bastisja ka zgjatur aq shumë, shkaku i kontrollimit të dokumentacioneve.

“I kanë marrë disa shtëpiza të kompjuterëve. Përveç shtëpizës i kanë marrë edhe xhirimet e kamerave”, ka thënë ai.

Ndërkohë, avokati Tomë Gashi ka thënë se ajo që më së paku është dashur të ndodhë tani është që tani kemi të arrestuar dhe janë duke u transferuar në Hagë.

Ai ka thënë se arsyeja e arrestimit të Gucatit dhe Haradinajt është pengimi i drejtësisë.

20:01

Pas Gucatit, edhe Haradinaj dërgohet në Hagë

Sekretari i OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se edhe nënkryetari Nasim Haradinaj është dërguar për në Hagë, pasi ishte ndaluar sot nga zyrtarë të Speciales.

Ai tha se nga një telefonatë me Haradinajn është informuar se po e dërgojnë në Hagë.

Klinaku ka thënë se gjatë tërë kohës i ka përcjellë ata nëpër zyre, për shkak se thotë se “frikësohej mos po linin diçka”.

Ai treguar detaje nga bastisja që është bërë ndërsa bëri të ditur se me vendim të kryesisë është vendosur që ai të kresojë organizatën për një kohë.

“Disa shtëpiza të kompjuterit dhe pajisje të kompjuterit. Do ta ushtroj dhe udhëheqë OVL të UÇK-së. Sa i përket z. Gucati, menjëherë e kanë dërguar në Hagë. Telefonin ia kanë marrë menjëherë Gucatit. Pastaj kur kam ardhë unë, bastisja ka zgjatur goxha shumë, në çdo vend. Punën ma komplikon sepse i kanë marrë dy kompjuterë që i përdori për punë kur të vjen ndonjë veteran, për dokumente. Ata i kanë shiku disa CD, ju kam thënë s’keni nevojë t’i shikoni sepse janë CD të veteranëve që i sjellin", tha ai.

Ai ka thënë se nuk ka pasur asgjë të dyshimtë.

19:32

Përfundoi aksioni i EULEX-it, Gucati dhe Haradinaj u arrestuan për pengim të drejtësisë

Ka përfunduar bastisja e EULEX-it në zyret e OVL të UÇK-së.

Sekretari i OVL të UÇK-së Faton Klinaku, u ka thënë medieve të premten mbrëma se bastisja ka zgjatur aq shumë, shkaku i kontrollimit të dokumentacioneve.

“I kanë marrë disa shtëpiza të kompjuterëve. Përveç shtëpizës i kanë marrë edhe xhirimet e kamerave”, ka thënë ai.

Ndërkohë, avokati Tomë Gashi ka thënë se ajo që më së paku është dashur të ndodhë tani është që tani kemi të arrestuar dhe janë duke u transferuar në Hagë.

Ai ka thënë se arsyeja e arrestimit të Gucatit dhe Haradinajt është pengimi i drejtësisë.

Ndërkaq, anëtarët e kryesisë së OVL të UÇK-së po përgatiten për ta mbajtur një mbledhje tjetër sonte, pas përfundimit të aksionit.

19:09

Bastisjet në OVL të UÇK-së: Gucati transferohet në Hagë, për Haradinajn s’ka të dhëna

Rreth mesditës të së premtes, numër i madh i policëve të EULEX-it kanë zbarkuar në zyrat qendrore të Organizatës së Veteranëve të Luftës.

Janë larguar të gjithë ata që ndodheshin në zyrat e OVL-së, përjashtim bënte kryetari Hysni Gucati.

Pas disa minutash, në selinë e kësaj organizate ka ardhur avokati Tomë Gashi, që përfaqëson OVL-në në raport me Gjykatën Speciale në Hagë.

Pas një ore e gjysme, Gucati është nxjerrë i prangosur nga policët e EULEX-it.

Urdhërarresti për Gucatin, siç i ka thënë avokati Gashi televizionit, kishte fare pak të dhëna. Tregonte vetëm për arrestimin dhe transferimin në Hagë, por jo edhe për veprën penale për të cilën po arrestohej.

Nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj, për disa orë nuk ka qenë në afërsi të zyrave të OVL-së.

Ka ardhur para zyrave pas orës 15. Megjithatë nuk është futur brenda me pretekstin se “nuk e njeh EULEX-in, si instancë për arrestime”.

Rreth gjysmë ore me vonë, ai është arrestuar. Ka refuzuar të futet në veturën e EULEX-it, por është futur në një veturë të Policisë së Kosovës e që përcillej nga veturat e EULEX-it.

As për Hardinajn nuk dihet se për cilën vepër penale është arrestuar.

Por para se të arrestohej ka thënë se ai dhe Gucati kurrë nuk janë intervistuar si të dyshuar për krime lufte, duke lënë hapur mundësinë që urdhërarrestet janë për publikimin e dosjeve, që kjo organizatë pretendonte që janë të Gjykatës Speciale.

Siç i kanë thënë burimet KOHËS, brenda në aksion po merrte pjesë hetuesi i Dhomave të Specializuara, i cili kishte qenë më herët në zyrat e OVL-së për t’i marrë dosjet që kjo organizatë publikonte.

Rreth 50 policë, të maskuar hynin e dilnin nga objekti ku gjendën zyrat e OVL-së. Disa raste ata sillnin dhe fusnin brenda pako të mbyllura, por që nuk dihet se çka kishte brenda.

Ata kanë brohoritur nga veteranët që ishin mbledhur aty përpara. Janë gjuajtur edhe me gjësende.

Njerëzit sipas kësaj organizate janë mbledhur vetë, pa u ftuar nga drejtuesit e OVL-së, sepse siç kanë thënë nga kjo organizatë po të ftoheshin veteranët situata do të mund të dilte nga kontrolli.

Në prani të zyrave kishte dhjetëra policë të Kosovës, por siç ka mësuar KOHA, roli i tyre ishte vetëm ta mbajnë nën kontroll situatën jashtë zyrave.

Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë nuk janë deklaruar ende për këtë aksion.

Në OVL kanë thënë se Gucati tashmë është transferuar në Hagë, ndërsa për Haradinajn ende nuk ka informata.

Ky është aksioni i dytë i Gjykatës Speciale, i asistuar nga EULEX-i.

16:44

Arrestohet edhe Nasim Haradinaj

Pjesëtarë të EULEX-it e kanë arrestuar edhe nënkryetarin e OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Haradinaj është arrestuar teksa po shkonte për intervistë në një studio televizive.

Ndërkohë, sipas KP, ai nuk ka pranuar të transportohet me veturë të EULEX-it, por vetëm të Policisë së Kosovës.

16:17

Haradinaj: As unë, as Gucati nuk jemi ftuar si të dyshuar ndonjëherë nga Specialja

Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka thënë se veprimi i fundit i Speciales, pas arrestimit të kryetarit Hysni Gucatit, ngre pyetjen se a ka organe shtetërore ndërsa e ka quajtur të pakuptimtë futjen e EULEX-it brenda zyrave të tyre sot.

“Kjo na bën me mendu a kemi shtet, organe shtetërore dhe a kemi parlament. Na bën me mendu a kemi Kushtetutë. A ka të drejtë dikush të hyjë në dhomën e fjetjes pa trokitë, të mos flasim për zyrat. EULEX-i sillet me ne kështu sepse nuk na konsideron njerëz, të respektojë dikë, të mos e respektosh dikë të llogaritë se nuk je i respektuar”, tha ai.

Ai thotë tutje se përfaqësuesit e kësaj gjykate e kanë pranuar se “nuk është e Kosovës”, duke shtuar se nuk kanë pasur paralajmërim për bastisje.

“Nëse kjo Gjykatë nuk është e Kosovës atëherë ne nuk e dojmë”, ka thënë ai.

Haradinaj thotë se nuk e di për çka është arrestuar Gucati dhe se “po pret avokatin të tregoj dhe të mos spekulohet”.

Ai ka mohuar të ketë qenë i ftuar nga Specialja dhe se nuk i përgjigjet asaj.

“Ne jemi kundër kësaj gjykate, fund, dhe do punojmë kundër saj”.

"Sot një botë ka me qeshë jo me këta që kanë hy, por me ata që thonë se kanë shtet dhe shihet shteti i tyre”, ka thënë ai para mediave.

16:00

​Fillon mbledhja e OVL UÇK-së, merr pjesë edhe Nasim Haradinaj

Ka nisur mbledhja e kryesisë së OVL të UÇK-së. Kjo mbledhje po mbahet pas arrestimit të kryetari të OVL UÇK-së, Hysni Gucatit dhe bastisjeve që po vazhdojnë të bëhen në ambientet e Organizatës se Veteranëve të luftës.

Në këtë mbledhje pritet të vendoset për hapat qe do i ndërmarrin pas aksionit të sotëm të EULEX-it në zyrat e OVL UÇK-së, raporton KP.

Takimi po mbahet në një lokal i cili ndodhet përballë ndërtesës ku ndodhen ambientet e organizatës së veteranëve të luftës, ndërsa aty është parë edhe nënkryetari Nasim Haradinaj.

15:09

Kryeziu: Gucati tashmë është transferuar në Hagë

Sipas Metush Kryeziut, anëtar i kryesisë së OVL-së së UÇK-së, kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati, tashmë është transferuar për në Hagë.

Ai ka thënë se këtë informatë e ka marrë nga familjarë të Gucatit.

Image

Kryeziu ka thënë se çdo arrestim i ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bëhet mbi dosje të paqena.

Ai ka thënë tutje se nuk kanë ftuar veteranët e UÇK-së që të dalin kundër arrestimit nga EULEX-i duke shtuar se po të ndodhte ajo do të kishte “rezistencë më të madhe”.

14:54

Hidhen shishe në drejtim të EULEX-it

Qytetarë të grumbulluar para zyrave të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë nisur të hedhin shishe në drejtim të zyrtarëve të EULEX-it, pas arrestimit të kreut të OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati.

13:23

Gucati i prangosur nxirret nga zyrat e OVL-së, pritet dërgimi në Hagë

Image

Kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, është nxjerrë i prangosur nga zyrat e kësaj organizate në Prishtinë, pas arrestimit nga zyrtarë të EULEX-it. Ai pritet që tash të dërgohet në Hagë, në bazë të një urdhërarresti të Gjykatës Speciale.

12:53

Arrestohet Gucati, pritet të dërgohet në Hagë

Hysni Gucati, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, është arrestuar të premten nga EULEX-i. Ai pritet pritet të dërgohet në Hagë, ka konfirmuar avokati Tomë Gashi.

Gucati bëhet figura e dytë e UÇK-së që arrestohet nga Gjykata Speciale, pasi Salih Mustafa ishte i pari që u arrestua të enjten.

Nuk është cekur arsyeja për arrestimin e Gucatit.

Tani ka nisur edhe bastisja në këto zyra. Siç mëson KOHA, deri tash zyrtarët e EULEX-it aty kanë qëndruar për çështje të sigurisë, ndërkaq sekretari i OVL-së, Faton Klinaku, ka përsëritur se deri tash s’ka asnjë vendim të publikuar për bastisje.

“Kryetarin z. Hysni Gucati e arrestuan me vendim te gjykates speciale dhe po e transferojnë në Hagë”, ka shkruar ai në Facebook.

12:10

Rreth 50 policë të EULEX-it brenda zyrave të OVL-së së UÇK-së, Policia e Kosovës qëndron jashtë

Rreth 50 policë të EULEX-it janë duke kryer bastisjen brenda zyrave të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në vendin e ngjarjes janë parë edhe policë të Kosovës, por ata po e përcjellin ngjarjen nga jashtë.

Hetuesi që kishte qenë herët tjera për të marrë dosjet e shumëpërfolura është brenda në objekt po ashtu.

Në zyra kanë hyrë zyrtarë të tjerë me disa pako.

Image

Nga zyrtarë të OVL-së, brenda është vetëm kryetari i saj Hysni Gucati.

Avokati Tomë Gashi, që gjendet ende në korridor, në një bisedë telefonike për KOHËN ka thënë se kryetari Gucati është në zyrë dhe nuk po pranon të deklarohet pa avokatin. Ai ka shtuar se pret që për 10 minuta të futet brenda.

11:50

Sekretari i OVL-së së UÇK-së: EULEX-i po sillet njësoj si Jugosllavia

Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka thënë se EULEX-i nuk ka nxjerrë asnjë dokument për bastisje në zyrat e kësaj organizate të premten.

Ai ka thënë se pa paraqitjen e asnjë dokumenti, bastisja ngjan në veprimet e Jugosllavisë. Ka shtuar se “siç kemi kundërshtuar Jugosllavinë dhe do të detyrohemi të luftojmë edhe me juve sikur kundër Jugosllavisë”.

“Isha në zyrë duke pi kafe, dhe këta zotërinjtë nuk prezantojnë asnjë letër dhe ju thash edhe Jugosllavia ka bërë kështu dhe jemi detyruar t’u përgjigjemi. Nëse shteti jonë s’merr masa, këta do të na detyrojnë të luftojmë edhe sikur kundër Jugosllavisë. As s’kanë dokumente, as letra, as përkthyes. Shteti ynë i ka fajet. Është bastisje, s’ka arrestime”, ka thënë ai duke i quajtur kriminelë zyrtarët e EULEX-it.

Xhavit Jashari nga OVL-UÇK ka thënë se nuk do të lejojnë veprime të tilla pa paralajmërim.

“Ne nuk do të lejojmë që të vijnë pa asnjë urdhëresë dhe pa paralajmërim. Mund të jenë edhe kriminel të Serbisë. Janë të maskuar, flasin gjuhë të ndryshme, një pjesë flasin sllavisht. Ne nuk do të lejojmë gjëra të tilla. Lirinë e kemi fituar me luftë dhe gjak dhe nuk lejojmë të na marrin”, ka thënë ai.

Në afërsi janë parë edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

11:25

EULEX-i bastis zyrat e OVL-së së UÇK-së

Misioni për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka bastisur të premten zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në vendin e ngjarjes janë parë policë të EULEX-it të cilët kanë hyrë brenda këtyre zyrave në Prishtinë, raporton KP.

Veprimi vjen një ditë pasi Gjykata Speciale nisi me arrestimet në Kosovë. Ajo dje zyrtarizoi aktakuzën ndaj Salih Mustafës, që u arrestua në Kosovë me ndihmën e EULEX-it.

Tre herë për një periudhë jo të gjatë kohore, krerë të OVL-së së UÇK-së, kanë bërë të ditur se në zyrat e tyre kanë pranuar nga të panjohur dosje të Gjykatës Speciale ndërsa kanë njoftuar po ashtu se ato ia kanë dorëzuar hetuesve të kësaj gjykate.