LAJMET E MBRËMJES

Protestojnë veteranët, hedhin telefona brenda selisë së EULEX-it

Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka mbajtur të premten protestë para selisë së EULEX në Fushë-Kosovë për të kundërshtuar aksionet e fundit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Bastisjet dhe konfiskimet që janë bërë gjatë javës, nga protestuesit u tha se po shqetësojnë familjarët e dëshmorëve dhe të bashkëluftëtarëve. Ata kërkuan që bastisjet të mos realizohen pa paralajmërim dhe pa prezencë të Policisë së Kosovës

Me dhjetëra telefona u hodhën të premten brenda rrethojave të selisë së EULEX-it në Fushë-Kosovë nga protestuesit që iu bashkuan thirrjes së Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nëpërmjet këtij aksioni ata kanë kundërshtuar bastisjet dhe konfiskimet që Zyra e Prokurorit të Specializuar ka realizuar gjatë javës në disa lokacione.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se bastisjet pa paralajmërim dhe pa prezencë të Policisë së Kosovës po shqetësojnë familjet e dëshmorëve dhe të bashkëluftëtarëve.

“ZPS në Hagë dhe EULEX-i janë duke i shqetësuar familjet e bashkëluftëtarëve tanë dhe familjet e dëshmorëve duke dërguar pa paralajmërim njerëz të panjohur e me kapela në kokë për gjoja intervistime duke i bastisur e konfiskuar telefonat e tyre personalë. ZPS në Hagë, në mungesë të fakteve, vazhdon me filmat e tyre. Kjo gjë kështu siç po bëjnë këta të panjohur për ne, po bëhet në shtetin tonë, sikur dikur në kohën e pushtuesit, dhe institucionet tona vetëm po heshtin. Kërkojmë që shteti të merret seriozisht me këtë dhe mos të lejojë që personat civilë qofshin të ZPS-së apo EULEX-it pa Policinë e Kosovës të na hynë në shtëpi”, ka thënë Klinaku.

Me flamuj e uniformë të UÇK-së, protestuesit kanë qëndruar për rreth gjysmë ore para EULEX-it, duke kërkuar nga shteti që të ndalojë këto bastisje.

“Të bastisin familjet tona, shtëpitë tona dhe më keq familjet e dëshmorëve për një telefon, një gjë që është arkivuar para 25 vjetësh, kjo është me të vërtetë e patolerueshme dhe normal që këto protesta, sot ke e rreptë edhe e shpejtë dhe me një numër të cekët, por herëve të tjera do të jenë shumë më të mëdha dhe do të jenë me një rezultat më ndryshe”, është shprehur veterani Agron Kajtazi.

“Nuk ekziston në rruzullin tokësor që t’i shkohet njeriut me maskë, në shekullin 21, me i hi brenda, se unë kam qenë luftëtar. Gjithherë do të luftoj për të drejtat e mia, për komb temin, deri në frymën e fundit. Kjo është tmerri që është duke na u bë neve, është turp, turp”, ka thënë Afrim Sogojeva, ish-ushtra në zonën e parë të Drenicës.

Protestës iu bashkua edhe kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, i cili ka thënë se aksionet e Speciales janë të jashtëligjshme.

“ZPS po e ndjek UÇK-në, jo krimet në Kosovë. Po i përndjek komandantët dhe ushtarët e saj, duke ua konfiskuar pronat e tyre në mënyrë të paligjshme dhe të dhunshme. Ju e dini se si janë ligjet për konfiskime të tilla, nuk bëhet ashtu si të shkosh në kafe me ia ngjit telefonit, nuk është e lejuar asnjëherë. Fillimisht duhet të njoftohet personi, kush janë ata, pse po dojnë dhe përmes procesverbalit të konfiskohet telefoni”, ka deklaruar Molliqaj.

Për të monitoruar situatën gjatë protestës, Policia në dispozicion pati edhe dronët. E të pranishëm ishin edhe karabinierë të KFOR-it italian.

EULEX-i të enjten ka bastisur shtëpinë e ish-luftëtarit të UÇK-së, Behar Berisha. Ndërkaq ditëve të fundit EULEX-i me urdhër të Dhomave të Specializuara ka sekuestruar telefonat personalë të ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi, ish-të burgosurit politik, Nait Hasani, vëllait të luftëtarit të UÇK-së, Sali Mustafa, dhe ka bastisur shtëpinë e heronjve Fahri e Bahri Fazliu.

Ani se deri më tani nuk ka të arrestuar, dyshimet e para janë për një valë të re të hetimeve, por kësaj radhe për pengim në administrimin e drejtësisë.