Ka vite që gjendja me mbeturina është e njëjtë.
Banorët e lagjes “Kodra e Trimave”, këtë pjesë e njohin si “Te bazeni”, mirëpo vetëm freski nuk ka.
Kundërmimi nga sasia e mbeturinave këtu është i madh, sidomos tani në sezonin e verës.
Besart Krasniqi, i cili është banor i kësaj lagjeje dhe këshilltar i LVV- së, thotë se ka bërë shumë kërkesa në komunë për largimin e deponisë, por që kërkesat e banorëve kanë hasur në veshin e shurdhër të komunës.
“Jemi në lagjen ‘Kodra e Trimave’, saktësisht në rrugën ‘Nexhmi Llumnica’, këtë pjesë ne e quajmë ‘Te bazeni’ është në gjendje shumë të keqe. Unë ka tre vjet që po bëj kërkesa të vazhdueshme si në kuvendin komunal por edhe kam dërguar edhe kërkesës me email në adresën e zyrtarëve komunal dhe kryetarin e komunës, Përparim Rama. Asnjëherë deri më tani nuk kanë ndërmarr ndonjë hap për largimin e kësaj deponie në lagjen tonë. Përveç kësaj ne kemi edhe deponi të tjera në lagjen tonë. Edhe te shkolla “Asim Vokshi” dhe është shumë afër shkollës. Ka edhe në qendër deponi të tjera dhe komuna po i mbyll sytë”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ngre alarmin që nga sasia e madhe e bërllokut mund të shpërthejë edhe ndonjë sëmundje.
“Këtu është shumë rrezik edhe të jetohet siç po shihet këtu ka edhe shtëpi dhe njerëz që jetojnë. Ka rrezik që të shpërthejë edhe ndonjë epidemi e sëmundjeve për shkak të pastërtisë. Tash e kemi edhe motin e ngrohtë edhe ka lloj-lloj materialesh dhe përbërjesh. Këtu me një aksion të vogël simbolik komuna mund të largojë këto deponi, pjesë e cila është shumë e rëndësishme për lagjen tonë. Do të ishte më bukur që të ketë ndonjë kënd të lojërave”, ka thënë ai.
Kryetari Rama në fillimin e mandatit të tij ka qenë në këtë zonë dhe banorëve u kishte premtuar largimin e deponisë.
“Kryetari Rama ka qenë këtu dhe më pati premtuar që brenda muajit mbeturinat do të largohen nga këto hapësira. Mirëpo tani janë bërë 4 vjet dhe nuk ka asnjë rezultat të premtimit. Në tetor janë zgjedhjet dhe siç po shihet komuna dhe kryetari nuk kanë vullnet për largimin e mbeturinave. Unë shpresoj dhe uroj që i njëjti nuk do të jetë më kryetar i komunës së Prishtinës në zgjedhjet e tetorit”, ka shtuar ai.
Krasniqi propozon që komuna të vendosë edhe kamera për monitorim dhe të gjobisë personat që qëllimisht hedhin mbeturina.
“Normalisht edhe vetë banorët një pjesë kanë faj që po i hedhin mbeturinat këtu. Por ka qenë pikërisht kjo arsyeja që unë kam bërë thirrje te komuna që të dënohen apo gjobiten personat që hedhin mbeturina këtu pra në vendin që nuk është i destinuar. Ne nuk mundemi që të vuajmë të gjithë pasojat e disa individëve që hedhin gjithandej mbeturina. Por prapë barra e fajit mbetet te komuna, që duhet të vendosë ndonjë kamerë monitorimi apo diçka e tillë që me minimizu fenomenin”, ka thënë ai.
Banorët edhe më herët janë ankuar për shpërfillje të lagjes së tyre nga komuna.