Rruga “Nexhmi Llumica”, është një ndër rrugët kryesore të lagjes “Kodra e Trimave”, në kryeqytet.
Vozitja këtu është sfidë në vete, pasi rruga është shumë e ngushtë dhe për të kaluar dy vetura duhet që njëri shofer të ndalojë.
Kjo gjendje tash e shumë vjet po i shqetëson banorët e lagjes.
Njëri nga përfaqësuesit e tyre Fahredin Majkovci, thotë që rreziku është permanent sidomos për fëmijët dhe të moshuarit.
“Rreziku është permanent, mungesa e hapësirës dhe frekuentimi i madh i veturave e krijon rrezikun. Fëmijët dhe të moshuarit janë më të ekspozuar ndaj rrezikut. Në rastet kur ka shpejtësi më të madhe, rreziku është evident. Ne po flasim për një lagje që ka rritur numrin e banorëve dhe mungesa e planit zhvillimor e krijon një kaos të tillë me ndërtime dhe me rrugë gjithashtu. Edhe përkundër faktit që rrugët janë të ngushta ne kemi edhe parkime të veturave që mbesin të parkuara për orë të tëra dhe paraqesin shumë pengesa”, ka thënë ai.
Majkovci thotë që situata është e tillë, pasi komuna nuk ka bërë një plan rregullues urban që do ta planifikonte më mirë lagjen.
“Ajo që duhet të vëmë theksin janë rrugët të cilat janë në një situatë kaotike, në mungesë të një plani konkret nga komuna, i cili do t’i adresonte çështjet urbane. Ndërtimi i egër ka rrudhur hapësirën e rrugëve të cilat kthehen në një problem për ne që jetojmë në atë lagje. Rruga “Nexhmi Lluminca”, është një prej rrugëve më të frekuentuara. Në qoftë se planifikojmë të kemi çerdhe publike rruga duhet të trajtohet më me seriozitet”, ka shtuar ai.
Ai thotë se policia nuk është prezente shumë në këto rrugë, për ta menaxhuar situatën.
“Kjo është një nevojë bazike e lagjes sonë dhe nuk po kërkojmë gjëra të mëdha janë nevoja të përditshme. Policia kohë pas kohe po del në lagjen tonë, unë di që ka pasë raste që edhe vetë ne e kemi lajmëruar policinë edhe të njëjtit. Mirëpo rrugët janë shumë të vështira për t’u kaluar, unë theksoj që qarkullimi duhet të jetë i lirë sepse është element bazik i jetës”, ka thënë Majkovci.
Kritika ndaj komunës ka edhe këshilltari komunal nga radhë e Lëvizjes Vetëvendosje i cili jeton në këtë lagje, Besart Krasniqi.
Ai thotë që lagjja e tyre është lënë anash nga qeverisja aktuale.
“Rrugët e ngushta në lagjen ‘Kodra e Trimave’, përveç se paraqesin vështirësi për të kaluar, ato janë edhe të rrezikshme për kalimtarët, pasi mungesa e trotuareve i detyron kalimtarët të ecin në rrugën që është e paraparë për vetura. Edhe më e vështirë bëhet për nënat me karroca(fëmijë) si dhe për personat me nevoja të veçanta. Andaj, Komuna e Prishtinës duhet të bëjë më shumë për zgjerimin e rrugëve në lagjen tonë, dhe në tërë ato lagje të Prishtinës që kemi rrugë të ngushta. Komuna e Prishtinës e udhëhequr nga Përparim Rama -LDK, në shumë çështje të rëndësishme e ka lënë pas dore lagjen ‘Kodra e Trimave’. Ka premtuar plan rregullues nuk e ka bërë. Ka premtuar ndërtimin e shkollës nuk e ka bërë. Ka premtuar ta lidhë ‘Kodrën e Trimave’ me qendrën nuk e ka bërë, e shumë premtime tjera të parealizuara”, ka deklaruar Krasniqi.
KOHA ka provuar që të marrë një përgjigje nga drejtori për Investime Kapitale në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli, por ai nuk ka pranuar që të përgjigjet.