Fluksi i veturave është i lartë në këtë rrugë në lagjen “Aktash”.
Përkundër faktit që rruga është e ngushtë, mbetet ndër më të frekuentuarat në lagje.
Në krahun e saj gjendet edhe shkolla fillore “Naim Frashëri”.
Pikërisht është kjo arsyeja pse banorët e lagjes po ndihen të rrezikuar.
Adlum Ramadani jeton në “Aktash” dhe thotë se shoferët e veturave në këtë rrugë vozisin me shpejtësi të madhe.
Si rrjedhojë ndihen të shqetësuar për rrezikun që u kanoset fëmijëve që frekuentojnë këtë shkollë.
“Ky është një segment rrugor që paraqet rrezikshmëri të lartë për ne si banorë të kësaj pjese të kryeqytetit. Njëkohësisht është edhe rrezik i madh edhe për nxënësit e kësaj shkolle. Për shkak që kur mbahet mësimi këtu ka numër të madh të nxënësve. Nëse analizohet vijueshmëria e veturave këtu nuk funksionon as përparësia e kalimit të veturave, pastaj edhe shpejtësia është shumë e madhe. Ne kemi bërë edhe kërkesë zyrtare te DSHP-ja, rreth 1 muaj më parë, nga e cila kemi pranuar përgjigje pozitive pra që e njëjta është pranuar dhe tash ka mbetur në fazën e implementimit, mirëpo ka 3 javë që prej kur është aprovuar nuk është duke u implementuar nga Drejtoria e Investimeve Kapitale”, ka thënë Ramadani.
Ramadani tutje deklaron që komuna duhet të jetë pranë problemeve të qytetarëve dhe të mos merret vetëm me “projektet madhore”.
“Ne e kuptojmë që aktualisht komuna është duke u marrë me projekte madhore. Mirëpo edhe kërkesat e banorëve duhet të merren parasysh. Sidomos kërkesat e tilla që përbëjnë një rrezik të drejtpërdrejtë të qytetarëve. Kjo duhet të trajtohet me prioritet të lartë dhe nuk bëhet fjalë për një kërkesë të thjeshtë por për një kërkesë që ne po përballemi me rrezik në këtë rrugë”, ka shtuar ai.
Drojën më të madhe e kanë për fëmijët të cilët vijojnë mësimin pranë shkollës dhe përballen çdo ditë me rrezikun.
“Pikërisht këtu është çështja kryesore pasi që këtu është shkolla dhe vijueshmëria është tejet e lartë e nxënësve. Ata sigurisht për shkak të moshës nuk dinë ta perceptojnë rrezikun dhe kësisoj janë të përballur direkt me shpejtësinë e veturave, e në rastin më të keq të mundshëm mund edhe të kemi pasoja me fatalitet këtu. Këtu ka shumë vijueshmëri të veturave me shpejtësi tejet të lartë. Unë konsideroj që kjo gjë nuk do të duhej të ndodhte në një lagje kaq të madhe”, ka thënë ai.
Sipas Ramadanit, kërkesa e tyre ka qenë minore dhe shprehet i indinjuar me neglizhencën e komunës.
“Fillimisht kërkesa jonë ka qenë tejet minore. Krejt çfarë kemi kërkuar ne ka qenë vendosja e policëve të shtrirë, që bëhen në kuadër të shenjëzimit vertikal, pra bëhet fjalë për një rrugë e cila është ndërtuar tash së voni dhe nuk është aq e vjetër sa të bëhet rindërtim i saj. Thjesht të vendosen disa policë të shtrirë dhe të minimizohet rreziku permanent. Ne si banorë dhe prindër jemi tejet të indinjuar me komunën kjo për shkak se kërkesa jonë po neglizhohet. Çdo ditë që kalon është një ditë më e rrezikshme për ne dhe familjet tona”, është shprehur ai.
KOHA ka provuar që ta pyesë edhe drejtorin e ri i Shërbimeve Publike, Bekim Gashi, mirëpo i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.
Kurse drejtori i Investimeve Kapitale, Sokol Havolli, ka kohë që nuk prononcohet për emisionin “038”.