Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Banorët e Kliçinës kërkojnë mbikalim për sigurinë e nxënësve

Kliqine

Në fshatin Kliçinë, banorët kërkojnë ndryshimin e projektit për segmentin rrugor Dollc-Zahaq, duke përfshirë ndërtimin e mbikalimit dhe të një rrethrrotullimi. Banorët janë shprehur të shqetësuar për sigurinë e rreth 400 nxënësve të shkollës “Naum Veqilharxhi”, sepse, siç thonë ata, nënkalimi aktual nuk i plotëson kushtet për shfrytëzim

Rezana Bozhlani

Banorët e fshatit Kliçinë të Pejës kanë protestuar edhe të enjten duke kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ndërtimin e një mbikalimi në rrugën magjistrale që është në ndërtim e sipër.

Nxënësit e këtij fshati, sipas tyre, po detyrohen që çdo ditë ta kalojnë rrugën për në shkollë, me përcjellje të të rriturve, e banorët thonë se nënkalimi aktual nuk i përmbush kushtet.

Krahas kësaj, kërkesë nga banorët është bërë edhe për ndërtimin e një rrethrrotullimi në hyrje të fshatit, për siç thonë të bëhet lidhja mes Kliçinës, Jabllanicës, Rusujës dhe Lugut të Baranit.

Organizatori i protestës, Elbasan Krasniqi, që është asambleist në Kuvendin Komunal të Pejës ka deklaruar se banorët nuk janë informuar për ndryshim të projektit, në të cilin thotë se fillimisht ishte i paraparë ndërtimi i mbikalimit.

“Kanë qenë dy projekte, një ka qenë nënkalimi për nxënës dhe këmbësorë, kurse tjeri ka qenë mbikalimi. Domethënë unë edhe në Kuvend komunal jam asambleist, kurse në vitin 2025 neve ky plan na është prezantuar se është ky plani që kemi menduar ne se është efetktiv mirëpo me kalim të kohës kemi kuptuar se planprojekti ka ndryshuar, atëherë ne jemi detyruar si banorë të Lugut të Lishanit, të mblidhemi. Kemi bërë peticion, e kemi dërguar te punëkryesi edhe e kemi dërguar te Ministria e Infrastrukturës kërkesën tonë të bashkuar me peticion, domethënë kanë kaluar 15 ditë që nga ajo ditë e deri në ditën e stome nuk kemi marrë përgjigje”, ka thënë Krasniqi.

Drejtori i shkollës, Abdyl Hajradini, e ka konsideruar mbikalimin të domosdoshëm sepse sipas tij, nënkalimi aktual nuk i përmbush kushtet për sigurinë e nxënësve.

“Kjo rrugë gjithmonë ka qenë stresuese mund të them, për drejtorinë e shkollës, për mësimdhënësit, për prindërit, për gjithë këtë komunitet, sepse ka qenë gjithmonë një rrugë e rrezikshme për shkak të kthesës të cilën e ka, por një ashtu është ndërtuar edhe nënkalimi por ne kemi pasur gjithmonë shqetësim sepse edhe nënkalimi është mbushur me ujë, zakonisht në sezonin dimëror, vjeshtor, kur ka shira të mëdha. Gjithmonë janë munduar ta pastrojnë, e me thirrjen e emergjencave e gjitha ato, por prapë se prapë nuk ke mundur ta realizosh atë që e ke pasur prioritet, sigurinë e fëmijës”, ka thënë ai.

Banorët e fshatit kanë shprehur pakënaqësi ndaj Qeverisë në detyrë për siç kanë thënë ndryshim të planit.

“Ne nuk është dashur të dalim këtu aspak, por na imponon Qeveria. Qeveria e papërgjegjshme, e cila nuk mendon për të mirën e qytetarëve por e bën sa t’ia bëjë qejfin dikujt. Këtu ende pa filluar punimet, kur e kanë projektuar ka qenë “pikë kyçje” sepse këtu është shkolla, fshati i ndarë në dy pjesë ne tash të shkojmë te njëri-tjetri ashtu si e kanë projektuar ata, duhen 20 kilometra për të shkuar unë te djali im”, është shprehur Hasan Berisha.

Kritika ka bërë edhe banori Xhavit Gesku.

“E kemi këtë rrugë këtu sepse kjo lidhet me Lug të Baranit, me Kliçinë, Leshan, Jabllanicë, Rusujë, varrezat i kemi këtu, nxënësit i kemi, pasurinë e kemi mbi asfalt. Çka tjetër? Nxënësit a po i shihni, marri i qoftë kësaj qeverie. Na kanë larguar mbikalimin këtu e kanë vendosur në Vllaviqicë, a është në rregull kjo?”, ka thënë ai.

Në peticionin drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, banorët e Kliçinës kanë kërkuar që në projekt të përfshihet ndërtimi i një rrethrrotullimi në hyrje të fshatit dhe mbikalimi.

KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Infrastrukturës lidhur me peticionin dhe kërkesat e ngritura nga banorët e fshatit Kliçinë, por deri në publikimit e tekstit nuk ka marrë përgjigje.