Kandidati i Partisë Demokratike për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ka prezantuar shtyllën e parë të programit të tij për “Mitrovicën në lëvizje”.
Ai ka thënë se kjo pjesë e programit përfshin infrastrukturë moderne, transport publik, ndërtimin e nënkalimit në magjistralen e Adriatikut, parkingje e projekte të tjera.
“Asfaltimin e të gjitha rrugëve urbane dhe rurale përfshirë Shalën e Bajgorës, ndërtimin e unazës së brendshme në qendër të qytetit, për ta lehtësuar komunikacionin, ndërtimin e parkingjeve publike në tri lokacione në qendër për 2500 vetura”, tha Tahiri.
E afër qytetarëve 24 orë në ditë ka premtuar se do të qëndrojë kandidati i PDK-së për kryetar komune në Skenderaj, Sami Lushtaku.
Këtë zotim ai e ka bërë në tubimin me të rinjtë e komunës, e në të cilin është shoqëruar nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Unë do të jem në shërbim të qytetarëve 24 orë, gjithmonë duke komunikuar dhe duke dëgjuar hallet e secilit qytetar apo secilës familje”, tha Lushtaku.
Krahas Lushtakut, kryetari i PDK-së e shoqëroi në tubim elektoral edhe kandidatin për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja.
Tek e kërkoi mbështetjen për të, Krasniqi ka thënë se nuk ekziston projekt i madh që është realizuar në Lipjan e që nuk e ka vulën e Bujës, si kryetar komune.
“Shukri Buja është njeri i fjalës dhe i punës. Për Shukin, po është po, jo është jo. Atë që e thotë, e mendon mirë, por kur e thotë dhe e premton, atëherë edhe e mban edhe e realizon”, tha Krasniqi.
E në Drenas, kandidati Petrit Hajdari është zotuar për ndërtimin e një muzeu të luftës, për të cilin ka thënë se do ta ruajë të vërtetën, do ta nderojë sakrificën dhe do t’i edukojë brezat.
Këtë muze, ai ka paraparë të ngrejë në një sipërfaqe prej rreth 1 mijë e 500 metrash katrorë, me 20 hapësira për ekspozim e me eksponate për fëmijët e vrarë gjatë luftës.
