Gjykata Supreme ka vlerësuar se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parapshtesa (PZAP), gabimisht ka vendosur kur e ka hedhur poshtë ankesën e kandidatit shqiptar për kryetar komune në Kllokot, Arbër Emini.
Supremja ka kërkuar nga PZAP-ja të rivendosë për këtë rast.
Arber Emini me datë 13.10.2025, ëstë ankuar në PZAP, me pretendimin se “me datë 12.10.2025 në Zgjedhjet Lokale në Kllokot, Serbia ka ndërhyrë në sistemin zgjedhor në Komunën e Kllokotit, duke fabrikuar dëshmi mjekësore serbe të strukturave paralele për t’u shfrytëzuar votuesit me asistencë të përdorin këtë vërtetim mjekësor”.
Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se PZAP-ja, gabimisht ka vendosur kur e ka hedhur poshtë ankesën e ankuesit, për faktin se nga pretendimet që dalin nga ankesa, Emini është ankuar për procesin dhe parregullsitë gjatë ditës së votimit dhe jo kundër rezultateve preliminare të tabuluara nga KQZ-ja, ashtu siç ka pretenduar PZAP-ja në vendimin e saj.
Andaj, në rivendosje, PZAP, udhëzohet që t’i evitojë shkeljet e theksuara dhe të vendosë në mënyrë meritore lidhur me ankesën e kandidatit të pavarur për kryetar të Komunës së Kllokotit, Arber Emini.
Arbër Emini, kandidat i pavarur, njëkohësisht i vetmi shqiptar në garën për kryetar të Kllokotit, ka marrë 24% të votave, 518 vota gjithsej. Para tij renditen dy kandidatë serbë: Sreçko Spasiq nga partia “Srpska Narodna Sloga” me 31 për qind ose 673 vota, dhe Bozhidar Dejanoviq nga Lista Serbe, që ka dalë i pari me 41 për qind apo 883 vota.
Dallimi mes të parit, Dejanoviqit dhe të dytit Spasiqit është 210 vota, ndërsa votat e Eminit, 518 gjithsej, mund të jenë vendimtare në rundin e dytë.
Por Emini përjashton mundësinë të ftojë votuesit e tij të votojnë për ndonjërin kandidat, pasi, siç ka thënë, që të dy janë të njëjtë.