Kandidati i vetëm shqiptar për kryetar të Kllokotit, Arbër Emini, ka shprehur pritjen që PZAP-ja t’i anulojë rezultatet e zgjedhjeve në këtë komunë dhe të përsëritet votimi, pas vendimit të Gjykatës Supreme që i jep të drejtë atij. Për procesin zgjedhor në Kllokot, Prokuroria ka nisur hetime nën dyshimet se një person ka lëshuar vërtetime nga institucione shëndetësore paralele të Serbisë, për të mundësuar votimin me asistencë.
Gjykata Supreme i ka dhënë të drejtë kandidatit të pavarur për kryetar të Kllokotit, Arbër Emini, i cili ka kërkuar anulimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe përsëritjen e tyre.
Me këtë vendim, Supremja e ka urdhëruar Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që ta trajtojë në meritë ankesën e Eminit.
Supremja ka vlerësuar se PZAP-ja ka gabuar kur e ka hedhur poshtë ankesën si të parakohshme, meqë Emini u ankuar për procesin e votimit, jo për rezultatet.
“Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se PZAP, gabimisht ka vendosur kur e ka hedhur poshtë ankesën e ankuesit për faktin se nga pretendimet që dalin nga ankesa, i njëjti është ankuar për procesin dhe parregullsitë gjatë ditës së votimit dhe jo kundër rezultateve preliminare të tabuluara nga KQZ-ja, ashtu siç ka pretenduar PZAP-ja në vendimin e saj”, tha Supremja.
Vendimin e saj Supremja e ka arsyetuar edhe me faktin se Emini ishte ankuar ndaj partive Lista Serbe dhe Srpska Narodna Sloga, e jo ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Gjykata e ka urdhëruar PZAP-in ta shqyrtojë edhe njëherë ankesë e Eminit dhe të nxjerr vendim të drejtë dhe të ligjshëm.
Gjatë ditës së zgjedhjeve, policia ka arrestuar një grua, nën dyshimin se ka lëshuar vërtetime mjekësore të rreme për të mundësuar votimin me asistencë. Vërtetimet u lëshuan nga institucionet shëndetësore paralele të Serbisë në Kosovë.
Prokuroria Themelore në Gjilan, ka konfirmuar për KOHËN se ky rast është nën hetime dhe lidhur me të janë kryer edhe veprime hetimore.
“Me datën 17.10.2025, Policia e Kosovës me Urdhër të Gjykatës Themelore në Gjilan ka kryer disa urdhër kontrolle në e Komunën e Kllokotit në fshatin Verbovc, dhe në fshatin Pasjan. Ju njoftojmë se për rastin konkret, ende janë duke u ndërmarrë veprime hetimore, dhe për momentin nuk mund të japim më shumë detaje”, tha Prokuroria.
Komuna e Kllokotit u krijua në vitin 2010 gjatë procesit të decentralizimit.
Regjistrimi i popullsisë i kryer në 2024-n tregoi se në këtë komunë shumica e popullsisë i takojnë etnisë shqiptare. Bazuar në të, ka 1702 shqiptarë krahas 1330 serbëve.
Por që nga krijimi, pushteti lokal është udhëhequr nga serbët.
Sipas Eminit, partitë Lista Serbe dhe Srpska Narodna Sloga, duke shkelur ligjin dhe rregullat zgjedhore, e mundën atë në zgjedhje.
Rezultatet e deritanishme nxjerrin dy kandidatë serb në balotazh: Bozhidar Dejanoviqin e Listës Serbe me 883 vota dhe Sreçko Spasiqin e SNS-s me 673 vota. Emini doli i treti me 518 vota.
Por në zgjedhjet për Kuvend Komunal, partitë shqiptare morën 813 vota.
Emini tha se nuk do të heqë dorë nga kërkesa që zgjedhjet në Kllokot të përsëriten.
“Mendoj që PZAP-ja ka dëshmi, fakte, argumente që parregullsitë gjatë ditës së zgjedhjeve në Kllokot të ndërhyrjes së strukturave ilegale të Serbisë. Është çështje që duhet të merret parasysh dhe të garantoj një proces të lirë dhe demokratik. Të çoj Kllokotin në rivotim”, tha Emini.
Ligji për Zgjedhjet i jep PZAP-së kompetencën të anulojë rezultatet në një vendvotim apo qendër votimi, dhe ta urdhërojë KQZ-në ta përsërisë votimin.