Zgjedhjet lokale

Shqiptarët mund të vendosin për kryetarin serb të Kllokotit, e serbët për atë shqiptar të Obiliqit

Në balotazh, në Kllokot dhe Obiliq roli i komuniteteve pakicë në këto komuna pritet të jetë vendimtar. Në Kllokot, Arbër Emini, i vetmi kandidat shqiptar, ka mundësi të përcaktojë fituesin mes dy kandidatëve serbë, e rol të njëjtë mund të ketë edhe Lista Serbe në garën e balotazhit në Obiliq, ku do të përballen Xhafer Gashi i LDK-së dhe Halil Thaçi i LVV-së

Në Kllokot, shqiptarët mund të vendosin për kryetarin serb e në Obiliq, serbët mund të përcaktojnë fituesin mes dy kandidatëve shqiptarë.

Rezultatet e zgjedhjeve të 12 tetorit i kanë çuar të dyja komunat në balotazh.

Arbër Emini, kandidat i pavarur, njëkohësisht i vetmi shqiptar në garën për kryetar të Kllokotit, ka marrë 24% të votave, 518 vota gjithsej. Para tij renditen dy kandidatë serbë: Sreçko Spasiq nga partia “Srpska Narodna Sloga” me 31 për qind ose 673 vota, dhe Bozhidar Dejanoviq nga Lista Serbe, që ka dalë i pari me 41 për qind apo 883 vota.
Dallimi mes të parit, Dejanoviqit dhe të dytit Spasiqit është 210 vota, ndërsa votat e Eminit, 518 gjithsej, mund të jenë vendimtare në rundin e dytë.

Por Emini përjashton mundësinë të ftojë votuesit e tij të votojnë për ndonjërin kandidat, pasi, siç ka thënë, që të dy janë të njëjtë. Po ashtu është ankuar për parregullsi që, sipas tij, e kanë dëmtuar kandidaturën e tij.

“Unë nuk i kam pranuar dhe nuk do t’i pranoj këto rezultate dhe nuk jam përcaktues, sepse nuk do të angazhohem për asnjërin kandidat. Kam kërkuar të përsëriten zgjedhjet për arsye të ndërhyrjes së Serbisë dhe strukturave ilegale serbe në procesin zgjedhor në Kllokot. Për mua, Lista Serbe dhe SNS-ja janë 2në1, pra janë një brumë. Kokë e këmbë i kanë te Radoiçiqi dhe Vuçiqi”, ka thënë Emini.

Ditën e zgjedhjeve, policia ka arrestuar një grua nën dyshimin se ka lëshuar raporte mjekësore të rreme për të mundësuar asistencë gjatë procesit të votimit.

Emini konsideron se përmes lëshimit të raporteve të rreme nga institucionet shëndetësore paralele është dëmtuar vota e tij.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ai ka paralajmëruar ankesë në PZAP me kërkesën për anulim dhe përsëritje të votimit në Kllokot.

E në Komunën e Obiliqit, ku në balotazh do të përballen Xhafer Gashi i Lidhjes Demokratike dhe Halil Thaçi i Lëvizjes Vetëvendosje, roli përcaktues mund t'i mbetet Listës Serbe.

Në rundin e parë, Gashi ka marrë 5.827 vota, ndërsa Thaçi 252 më pak.

Kandidati i Listës Serbe për kryetar, Goran Dançetoviq, ka dalë i treti me 604 vota, e në zgjedhjet për Kuvend Komunal, kjo parti ka grumbulluar 1.140 vota.

Kandidati i LVV-së, Thaçi ka akuzuar kryetarin aktual, Gashi, për marrëveshje me Listën Serbe.

“Çdo mundësi koalicioni është e përjashtuar me Listën Serbe. Ne nuk bëjmë koalicion, ne nuk bëjmë takime me ta, ne jemi të bindur që fitorja në Obiliq i takon qytetarëve shqiptarë që do ta bëjnë ndryshimin. Ne jemi fitues në këto zgjedhje, me votat e shqiptarëve jemi fitues, jemi mbi 350 vota më shumë se Lidhja Demokratike. Mirëpo, Lidhja Demokratike, e ashtuquajtura Lidhje Demokratike që ky kryetar garon nën siglën e Lidhjes Demokratike, ata kanë pasur marrëveshje dhe kanë marrëveshje me Listën Serbe”, ka thënë Thaçi.

Por, Gashi ka mohuar pretendimet e Thaçit.

“Janë të pavërteta ato që i ka thënë z. Thaçi, koalicion kam vetëm me qytetarë”, ka thënë ai.

Rundi i dytë i votimit do të zhvillohet më 9 nëntor.