Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka deklaruar se fushata zgjedhore në veri të Kosovës po zhvillohet nën presion dhe me metoda brutale nga përfaqësues të Listës Serbe dhe institucione të Serbisë.
Në një intervistë për “Ekonomia Online”, ai ka thënë se këto struktura po ushtrojnë ndikim të drejtpërdrejtë mbi qytetarët dhe kandidatët e partive të tjera.
Sipas Rashiqit, situata në veri mbetet e tensionuar, ndërsa Lista Serbe po përdor shantazhe, kërcënime dhe favore ekonomike për të siguruar mbështetje politike. Ai theksoi se përfaqësues të kësaj liste po vizitojnë shtëpitë e qytetarëve për t’i detyruar të votojnë.
“Situata është e vrazhdë si gjithmonë. Ne po zhvillojmë një fushatë modeste, shpesh në mënyrë të fshehtë, pasi në terren po përdoren metoda brutale nga Lista Serbe. Përfaqësuesit e tyre ushtrojnë presion mbi qytetarët, duke i kërcënuar se do t’i heqin nga lista e pagave ose ndihmave sociale nëse nuk e mbështesin Listën Serbe. Madje po manipulohen edhe ndihmat prej 20 mijë dinarësh për të papunët, dhe po ofrohen deri në 400 vende pune për të siguruar vota”, ka thënë Rashiq.
Ai shtoi se përmes institucioneve lokale, Lista Serbe po ushtron ndikim edhe në sektorin e shëndetësisë, ku qytetarëve u ofrohen vende pune në këmbim të votës.
“Përfaqësuesit e Listës Serbe shkojnë në çdo shtëpi. Nëse ka ndonjë motër medicinale apo mjek, u premtojnë vend pune, me kusht që e gjithë familja të votojë për ta – madje kërkojnë edhe foto të fletës së votimit”, theksoi ai.
Sipas ministrit në detyrë, kjo metodologji e presionit politik është e vjetër dhe e përsëritur që nga viti 2013, kur pas Marrëveshjes së Brukselit, Lista Serbe mori kontrollin mbi institucionet lokale në veri.
Rashiq u shpreh se praktika të ngjashme po zbatohen edhe në Anamoravë, ku përfitues të ndihmave apo subvencioneve shtetërore janë përjashtuar nga listat sociale nëse nuk e mbështesin Listën Serbe.
“Në Anamoravë, qytetarët që kanë marrë ndihma për bujqësi apo materiale ndërtimore janë larguar nga listat sociale nëse kanë treguar mbështetje për parti të tjera. Ka edhe raste kur bashkëpunëtorët e mi janë ndaluar në kufi dhe pyeten nga agjentë të BIA-s serbe. Kërcënimet ndaj familjeve janë të vazhdueshme”, shtoi ai.
Rashiq po ashtu paralajmëroi se janë aktivizuar mekanizma për mobilizimin e qytetarëve me dokumente të Kosovës që jetojnë në Serbi, për t’u kthyer e për të votuar për Listën Serbe.
“Tani po organizohet transporti dhe ushqimi për personat që jetojnë në Serbi, por kanë dokumente të Kosovës, në mënyrë që të kthehen e të votojnë për Listën Serbe. Ata madje e dinë paraprakisht se për kë duhet të votojnë”, përfundoi Rashiq.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë të martën, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet lokale në Kosovë është më e rëndë se ajo e Rusisë në Evropë.