Zgjedhjet 2025

Partitë rivale të Listës Serbe të rrezikuara nga presioni i Beogradit

Rreziku i tërheqjes së kandidatëve serbë nga gara zgjedhore po rritet për shkak të ndikimit të Serbisë dhe presionit të saj për ta mbështetur Listën Serbe. Partitë politike serbe nuk janë të sigurta që kandidatët e tyre do t’i bëjnë ballë presionit deri më 28 dhjetor. E analistët serbë e kritikojnë ndërhyrjen e Serbisë në procesin zgjedhor, sidomos me shpalljen e vendeve të reja të punës. Theksohet se marrëdhënia e votuesve me Listën Serbe është kryesisht transaksionale

Rreziku për tërheqjen e kandidatëve nga gara zgjedhore pas presionit të Serbisë është zgjeruar edhe te partitë e tjera serbe, pos asaj të Nenad Rashiqit. Kryetari i Aleancës Kosovare, Goran Marinkoviq, nuk është i sigurt nëse kandidatët për deputetë të partisë së tij do t’i bëjnë ballë presionit deri më 28 dhjetor. Ai e ka shprehur këtë shqetësim, një ditë pasi dy kandidatët e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e lanë Rashiqin dhe u rreshtuan në mbështetje të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, dhe Listës Serbe, veç pak ditë pasi Vuçiq bëri thirrje që serbët e Kosovës ta votojnë LS-në.

“Edhe ne shqetësohemi për këtë, por mendoj se kemi kandidatë që janë të guximshëm, të mençur dhe mendojnë me kokën e tyre. Por asnjëherë nuk i dihet, presioni është tepër i madh. Ne jemi kundër veprimeve të njëanshme të Qeverisë së Serbisë dhe favorizimit të një liste. Fatkeqësisht, të gjitha thirrjet tona nuk kanë dhënë rezultat që një mënyrë e tillë ndihme të mos bëhet gjatë fushatës zgjedhore dhe të mos favorizohet një listë e vetme”, ka thënë Marinkoviq.

Analist politik, Ognjen Gogiq, thotë se thirrja që Vuçiqi bëri për ta mbështetur Listën Serbe do të ketë ndikim përcaktues tek elektorati serb në Kosovë, që është i varur financiarisht nga Serbia.

“Duke pasur parasysh varësinë e madhe të shumë serbëve të Kosovës nga mbështetja financiare dhe institucionale e Serbisë, thirrje të tilla nga Beogradi kanë ndikim vendimtar në sjelljen elektorale. Shumica e votuesve nuk presin shumë nga vetë Lista Serbe, por votojnë për të ruajtur lidhjen e tyre me Beogradin dhe për të shmangur konfrontimin. Për këtë arsye, kjo është rruga me rezistencën më të vogël”, ka thënë Gogiq.

Slagjan Nikolçeviq dhe Gordana Mihailoviq u tërhoqën nga gara pasi thanë se veprimet e kryetarit të partisë, Nenad Rashiq, po e dobësojnë pozicionin e popullit serb në Kosovë. Thanë se politika e ndjekur nga Serbia dhe presidenti i saj Vuçiq janë shpresa dhe mburoja e vetme e serbëve të Kosovës. Ky veprim i tyre erdhi pas thirrjes së Vuçiqit për përkrahjen e Listës Serbe. Njësoj, disa ditë para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, u tërhoq nga gara edhe Sreçko Spasiq, kandidat për kryetar të Kllokotit dhe iu bashkua Listës Serbe - me kandidatin e së cilës ishte në garën e balotazhit. Në zgjedhjet e kaluara nacionale, të 9 shkurtit, Lista Serbe fitoi nëntë ulëse në Kuvend, nga 10 sosh sa i ka të rezervuara komuniteti serb. Ulësen e dhjetë e fitoi Nenad Rashiq.

Veç një javë para mbajtjes së zgjedhjeve të 28 dhjetorit Serbia ka shpallur konkurse për 350 vende të reja pune në sistemin paralel shëndetësor në Kosovë. Kjo sipas politikanëve e analistëve serbë është praktikë e ndërhyrjes që Serbia e përdor në çdo cikël zgjedhor.

Politikani Goran Marinkoviq thotë se hapja e këtyre vendeve të punës është mashtrim për të blerë vota e për të ndikuar në rezultatin zgjedhor të së dielës.

“Mashtrimi i votuesve që jetojnë në kushte të vështira, pa dyshim do të ndikojë në rezultatet. Edhe pse populli e di dhe e ndien se e gjithë kjo është gënjeshtër, megjithatë vendos të votojë për këto gënjeshtra, sepse presioni është i madh. Aleanca Kosovare dhe unë si kryetar do t’i përshëndesim vendime të tilla, sepse hapja e këtyre vendeve të punës janë një kapital i madh për çdo komunitet. Por duke e ditur se po gënjejnë popullin, ne jemi kundër veprimeve të tilla që kanë për qëllim frikësimin dhe mashtrimin e qytetarëve”.

E analisti Gogiq thekson se këtë model punësimi Serbia e përdori edhe para zgjedhjeve lokale për mobilizim të votuesve që ta mbështesin Listën Serbe. Sipas tij, marrëdhënia e votuesve me Listën Serbe është transaksionale.

“Hapja e vendeve të reja të punës shërben si një mjet i drejtpërdrejtë mobilizimi. Për shumicën e serbëve të Kosovës, mbështetja financiare dhe institucionale nga Serbia është thelbësore për jetesën e tyre. Prandaj, premtimet për punësim i inkurajojnë fuqishëm votuesit të mbështesin Listën Serbe. Në këtë kuptim, marrëdhënia ndërmjet votuesve dhe Listës Serbe është kryesisht transaksionale. Nëse Kosova shkon në një tjetër raund zgjedhjesh të parakohshme në pranverë, siç e presin shumica, Serbia do ta përsëriste të njëjtën gjë. Kjo është një mënyrë për t’i mbajtur votuesit nën kontroll”, ka thënë Gogiq.

Lidhur me presionin dhe ndikimin e Qeverisë së Serbisë në procesin zgjedhor nuk janë deklaruar në Qeverinë e Kosovës.