LAJMET E MBRËMJES

Rashiq: Serbia po përdor metoda brutale për ndikim në zgjedhje

Forma të ndryshme të presionit mbi serbët që të votojnë për Listën Serbe, ka përmendur ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq. Ai ka thënë se për të ndikuar në zgjedhjet e 12 tetorit, edhe Serbia po përdor metoda brutale

Deputeti serb Nenad Rashiq ka thënë të mërkurën se Serbia është duke përdorur metoda brutale për të ndikuar në zgjedhjet lokale në Kosovë.

Rashiq, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se përfaqësuesit e Listës Serbe janë duke iu shkuar nëpër shtëpi qytetarëve serbë për të siguruar mbështetje. 

“Përfaqësuesit e Listës Serbe po bëjnë qoftë shantazhe, qoftë kërcënime ndaj të gjithë njerëzve që mendojnë ndryshe. Nëse janë aktivistë të një partie tjetër politike, ata janë aty duke i hequr nga lista e pagave nëse kanë pagë, nga lista e asistencës sociale, manipulojnë me këta 20 mijë dinarë për secilin që është i papunë, por krejt këta mekanizma po përdoren në mënyrë kaq brutale ndaj njerëzve sikur që janë armiqtë më të mëdhenj që kanë ata dhe ofertat e fundit 400 vende që janë ofruar për punë”, ka thënë Rashiq.

Një ditë më parë, kryeministri në detyrë Albin Kurti i ka kërkuar BE-së që të sanksionojë Serbinë për veprimet e saj. Ai ka thënë se ndërhyrjet e shtetit serb në zgjedhjet në Kosovë janë më të rënda se ato të Rusisë në Evropë.

E ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, ka thënë, se për zgjedhjet e 12 tetorit është duke u organizuar ardhje e serbëve nga Serbia. 

“Tani, disa pelegrinë që janë zhvendosur nga këtu, që kanë dokumente të Kosovës, tash në këto ditë janë duke i organizuar në formën që transporti është i organizuar, u paguhet ushqimi dhe meditja që të vijnë këtu të votojnë. Gjatë përgatitjes kanë edhe listat kë të votojnë, çka të votojnë, normalisht të gjithë janë të udhëzuar për ta votuar Listën Serbe”, ka thënë Rashiq.

Ndërkaq, shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka bërë thirrje për proces të lirë e të drejtë, derisa qytetarët i ka ftuar të dalin e të votojnë në numër të madh.

“Është e domosdoshme që votimi të kryhet në një mënyrë të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse, vullneti i votuesve të respektohet dhe rezultatet të zbatohen. Këto zgjedhje lokale janë një provë e demokracisë së Kosovës. Kalimi i tyre me sukses i hap Kosovës mundësi të reja”, ka thënë Orav.

Të dielën, presidenti i Serbisë, Alekandër Vuçiq, premtoi punësimin e 400 serbëve në institucionet paralele të shëndetësisë në Kosovë. E paraprakisht, ish-kryeministri Millosh Vuçeviq, tash këshilltar i Vuçiqit, tha se Lista Serbe “është e vetmja që i mbron serbët” në Kosovë.