Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i pyetur për mundësinë e koalicioneve për balotazh, ka deklaruar se i vetmi koalicion i tyre është me qytetarët.
Rama ka thënë se është në mes të një procesi transformues të kryeqytetit, i cili kërkon edhe një mandat të dytë për t’u përmbyllur plotësisht. Ai theksoi se programi qeverisës që ka nisur është afatgjatë dhe kërkon vazhdimësi për realizimin e projekteve tashmë në zhvillim.
“Kemi pasur takime me të gjithë, dhe publikisht po e them – i kam kërkuar të gjithëve që t’i bashkohen vizionit tonë transformues. Kërkesa ime qysh para katër vitesh ka qenë një proces tetëvjeçar transformues. Programi ynë është tetëvjeçar. Tash jemi në mes me projekte transformuese në kryeqytet dhe kërkojmë edhe mandatin tjetër katërvjeçar që ta rrumbullakojmë transformimin e kryeqytetit”, ka thënë Rama, transmeton EkonomiaOnline.
I pyetur nëse ka diskutuar me ndonjë parti politike për lidhjen e koalicioneve për balotazhin, Rama u shpreh se vizioni i tij është i hapur për të gjithë qytetarët që besojnë në zhvillimin e kryeqytetit.
“Koalicion me qytetarët dhe me të gjithë ata që besojnë në vizionin tonë”, ka thënë ai.
Në balotazhin e 9 nëntor, kryetari aktual i kryeqytetit do ta ketë përballë Hajrulla Çekun e Lëvizjes Vetëvendosje.