Fushata e kandidatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës të premten
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Prishtinë, Përparim Rama, ka njoftuar se tashmë kryeqyteti ofron qasje në trajnime falas për më shumë se 3 mijë familje. Përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale, ai njoftoi gjithashtu se së shpejti do të finalizohet biblioteka e parë për fëmijë në kryeqytet.
“Për herë të parë në kryeqytet, më shumë se 3000 familje kanë qasje në trajnime falas. Klasat për nëna, kujdes në grup, edhe vizita të rregullta nga profesionistë në shtëpi. Po krijojmë në brez të ri prindërish të përgatitur dhe fëmijë të rritur më mirë. Prishtina përtej improvizimit”, u shpreh Rama.
Kandidati për kryetar të Fushë-Kosovës, Besnik Osmani, është zotuar se në mandatin e tij do të themelojë Muzeun Komunal të Luftës, do të vendosë shtatore të reja për dëshmorët dhe do të krijojë një zyrë të veçantë, e cila, sipas tij, do të ketë mandat specifik për avancimin e vlerave të luftës. Këto zotime Osmani i bëri të premten gjatë një takimi me udhëheqësit e shoqatave të dala nga lufta.
Në Mitrovicë, kandidati për kryetar, Gëzim Plakolli, është zotuar se nëse fiton mandatin, prioritet do t’i këtë pensionistët. Gjatë takimit me Federatën e Sindikatave të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës së Kosovës, Plakolli prezantoi edhe programin e tij katërvjeçar.
Ndërtimin e një oborri riciklues të mbeturinave, pishinë gjysmolimpike, palestër të mbyllur sportive dhe sheshin qendror “Edmond Hoxha”, janë disa nga projektet që ka premtuar t’i realizojë kryetari aktual i Junikut, Ruzhdi Shehu, nëse fiton edhe një mandat tjetër.
Ndërsa në Ferizaj, Visar Azemi, tha se nëse i besohet mandati katërvjeçar, arsimi do të jetë prioritet kryesor.
“Çka kemi me bo? Do të vendosim kujdestar sigurie pranë shkollave që fëmijët tanë të jenë të sigurt. Do të ofrojmë shujta të ngrohta për çdo nxënës. Mësimin tërëditor në shkollat e Ferizajt dhe krijimin e librave shkollorë sportivë do ta kemi prioritet. Do t’i modernizojmë shkollat, 500 klasa do të kenë tabela digjitale”, ka thënë ai.
