Në njoftimin për media, PDK-ja ka theksuar se ky hap është ndërmarrë “në mbrojtje të vullnetit të qytetarëve të Mitrovicës” dhe “në përputhje me afatet dhe procedurat ligjore”.
“Sot, në mbrojtje të vullnetit të qytetarëve të Mitrovicës, Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar, brenda afatit ligjor, ankesën zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa”, thuhet në njoftim.
Sipas partisë, qëllimi i ankesës është mbrojtja e integritetit të procesit zgjedhor dhe votës së lirë së qytetarëve.
“PDK siguron qytetarët e Kosovës, e veçanërisht ata të Mitrovicës, se do të ndjekë me përgjegjësi të gjitha procedurat ligjore për të garantuar që rezultati përfundimtar të pasqyrojë vullnetin real të qytetarëve,” thuhet më tej.
PDK-ja ka theksuar se rivotimi është i vetmi opsion që “i bën drejtësi procesit dhe vullnetit qytetar”.
“Ne besojmë se vetëm rivotimi i bën drejtësi procesit zgjedhor dhe vullnetit qytetar. Vota është e shenjtë. Demokracia fillon e mbaron me ruajtjen dhe respektimin e saj”, përfundon njoftimi i partisë.
Në Mitrovicë të Jugut ka pasur pretendime për parregullsi. Mbrëmë u urdhërua të ndërpritej numërimi për shkak se në disa fletëvotime nuk përputhej numri serik.
Nga KQZ-ja kanë thënë se bëhet fjalë për gabim teknik. Pasditen e sotme, u urdhërua që të rifillohej numërimi.
Sipas rezultateve preliminare, Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje e fitoi Mitrovicën në balotazh me Arian Tahirin e PDK-së.