Kandidati i Partisë Demokratike (PDK) për kryetar të Rahovecit, Edon Cana, fushatën zgjedhore të martën e ka përqendruar në lojën “Counter-Strike” me të rinjtë e komunës. Ndonëse nuk ka treguar aftësi të veçanta në lojë, ai ka bërë zotim për t’i mbështetur sportet elektronike.
Ndryshe prej tij, kandidati për kryetar komune në Mitrivicë, Arian Tahiri, ka shpalosur planin për ta bërë revitalizimin e lumit Ibër, në brigjet e të cilit ka premtuar të ndërtojë shteg për ecje dhe për biçikleta.
“Do ta revitalizoj tërësisht lumin Ibër, duke e kthyer atë në një hapësirë që lidh dhe pasuron jetën në këtë pjesë të Mitrovicës. Shteg për ecje dhe biçikleta, që lidh lagjet mes vete. Hapësira gjelbëruese dhe parqe urbane, për rekreacion dhe pushim të familjeve. Ndriçim modern dhe estetik, që sjell siguri dhe gjallërim të jetës edhe në mbrëmje. Ibri do të jetë vendi ku qytetarët do të takohen, shëtisin dhe ndajnë jetën me njëri-tjetrin”, ka thënë ai.
Në Lipjan, Shukri Buja, i cili ka qenë kryetar para 12 vjetësh dhe tani synon që të kthehet në krye të komunës, ka njoftuar për një marrëveshje bashkëpunimi me Nismën Socialdemokrate. Kjo parti nuk do të ketë kandidat për kryetar në Lipjan por do ta mbështesë Bujën, ndërsa një marrëveshje të ngjashme ai e ka nënshkruar javën e kaluar edhe me Partinë e Ashkalinjëve për Integrim.
“Partia Demokratike e Kosovës dhe unë si kandidat për Kryetar të Komunës, së bashku me Nismën Socialdemokrate, kemi bashkuar forcat në një marrëveshje për zgjedhjet lokale në Lipjan. Sipas kësaj marrëveshjeje, Nisma do të mbështesë kandidaturën time për Kryetar të Komunës dhe nuk do të ketë kandidat të saj, ndërsa për Kuvendin Komunal do të garojë me listën e vet. Ky bashkim është i ndërtuar mbi themelin e lavdishëm e të përbashkët, kontributin tonë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Buja.
Në Viti, kandidati për kryetar komune, Bekim Azizi, ka prezantuar një projekt për tregun e gjelbër.
“Qytetarët dhe tregtarët e komunës sonë nuk e meritojnë gjendjen aktuale të këtij tregu. Ky projekt do të jetë model për të gjithë, duke përfshirë edhe hapësira të mjaftueshme për parking, si dhe kushte të përshtatshme dhe moderne për fermerët, tregtarët dhe blerësit”, ka deklaruar ai.
E në Prishtinë, kandidati i PDK-së që garon për të dytën herë për kryetar komune, Uran Ismaili, ka shpalosur planin për lagjen Tophane.
“Rishikim i planit të Tophanes për të siguruar zhvillim për të gjithë; Ndërtimi i një çerdheje të re; Qendra e re komunitare për ringjallërimin e lagjes; Rregullimi i kabllove elektrike; Legalizimi i pronave; Restaurimi i klubit të boksit dhe objekteve identitare të lagjes; Bulevard modern me fasada moderne përgjatë rrugës Lidhja e Prizrenit; Ndërtimi i trotuareve dhe shtigjeve të ecjes për këmbësorë. Tophanja është shumë afër qendrës për të qenë kaq larg vëmendjes së qeverisjes komunale”, ka thënë ai.
Ismaili ka paralajmëruar gjithashtu edhe më shumë gjelbërim nëpër lagje.
“Për një kohë të gjatë, në Prishtinë është ndërtuar pa plan e pa kontroll. Ky nuk është problem që ka nisur dje, por është problem që është bërë edhe më i rëndë në këto katër vjet... Gjatë katër viteve të ardhshme, çdo lagje do të ketë hapësirë të gjelbër, këndin e lodrave dhe parkun, jo më larg se 300 metra. Në lagjen Dardania, Ulpiana dhe Bregu i Diellit do të krijojmë hapësira të reja me drunj mbi parkingjet nëntoksore që do t’i ndërtojmë, në Kodrën e Trimave do të ndërtojmë dy parqe të reja brenda lagjes. Në lagjen Kalabria do të bëjmë Parkun Jugor të Prishtinës prej 12 hektarësh, si mushkëri të reja për qytetin”, ka theksuar Ismaili.
Kryetari aktual i Prizrenit, Shaqir Totaj, që kandidon për një mandat të dytë, ka njoftoi për përurimin e disa projekteve në fshatin Kobaj.
“Tjerët kanë veç llafe për fshatin Kobaj, kurse ne punët e mira për këtë paralagje të Prizrenit. Sot përuruam fushën sportive dhe rrethojën e shkollës në fshatin Kobaj si dhe disa projekte të rëndësishme infrastrukturore, fillimin e ndërtimit e 14 akseve rrugore dhe ndriçimin publik! Nga sot ky fshat ka marrë pamje të re, e të cilën po e shtrijmë në secilën lagje dhe fshat të komunës sonë!”, ka thënë Totaj.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, gjatë një tubimi në Novosellë të Pejës, ka thënë se në këtë komunë do të ketë balotazh, pas të cilit do të fitojë kandidatja e subjektit të tij, Arta Vokshi-Nallbani, teksa në Kamenicë, ai e ka quajtur kandidaten, Jona Arifi, profesioniste të përkushtuar dhe përfaqësuese të një gjenerate të re që sjell energji e vizion për një të ardhme ma të mirë.