Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së 11-të të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave? Në cilat komuna kanë qenë liderët e partive e çfarë kanë premtuar ata?
Hyseni: Llapjanët i dhanë vulën e fitores LDK-së
Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubim në Podujevë, ku kryetari i kësaj partie Lumir Abdixhiku ia ka ofruar mbështetjen kandidatit për kryetar komunale Ekrem Hyseni.
Abdixhiku ka thënë se “Llapi nuk falë!” dhe se “Doku po vjen”.
E LDK-ja në një postim në Facebook ka thënë se “Podujeva sonte ka folur me zë të lartë për ndryshim, për shpresë dhe për zhvillim”.
“Atmosfera entuziaste, energjia e jashtëzakonshme dhe mbështetja e madhe e qytetarëve të Podujevës dëshmuan fuqishëm besimin e tyre në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe në kandidatin për kryetar të komunës, Ekrem Hysenin. Podujeva sonte foli me një zë të lartë për ndryshim, për shpresë, për zhvillim. Qindra e mijëra llapjanë i dhanë mbështetje të jashtëzakonshme kandidatit tonë, njeriut të ndershëm, punëtor e të përkushtuar, Ekrem Hysenit, kryetarit të ardhshëm të Podujevës. Ky mobilizim është dëshmi e qartë se Llapi, djepi i Rugovizmit dhe zemra e LDK-së edhe këtë herë do të prijë në fitoren e madhe më 12 tetor. LDK-ja me Ekrem Hysenin dhe ekipin e saj, është garancia e qeverisjes së mirë, zhvillimit dhe dinjitetit për Podujevën. Llapi drejt fitores së madhe të 12 tetorit!”, është shkruar në postimin e LDK-së.
E kandidati për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni, ka thënë se “llapjanët i dhanë vulën e fitores së LDK-së”.
“Folën sonte për 12 tetorin! Folën bindshëm, folën sigurt, folën qartë! LDK dhe Llapi janë një! Nga sonte në Llap nuk ka fushatë, ka festë të fitores bindëse të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të qytetarëve tanë! Faleminderit secilit prej jush për nderin e madh, për përkrahjen e jashtëzakonshme!” – ka shkruar Hyseni në Facebook.
Tahiri: Brenda mandatit, të gjitha shkollat e Vushtrrisë do të ofrojnë mësim tërëditor
Kryetari i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka kualifikuar kandidatin e partisë së tij për kryetar komune në Vushtrri, Xhafer Tahiri, si kryetar që do t’ia kthejë qytetit katër vitet e humbura nga pushteti aktual.
“Sot Vushtrria është në qendër të një beteje të madhe. Një beteje që nuk është vetëm për kryetarin e Komunës, por për dinjitetin e qytetit, për zhvillimin e tij, është për të ardhmen e familjeve e fëmijëve tuaj. Në këtë betejë ne e kemi një emër që nuk ka nevojë shumë për prezantim. Një emër që tashmë e njihni, një emër që tashmë e keni votuar, e keni parë në punë, e keni provuar si kryetar komune, Një emër që nga 2017 deri në 2021 udhëhoqi këtë qytet me përgjithësi, ky është kandidati ynë, Xhafer Tahiri”, ka thënë Abdixhiku gjatë tubimit të mbajtur të martën në Vushtrri.
Ai e ka akuzuar pushtetin aktual në këtë komunë për qeverisje me mungesë vizioni.
“Vushtrria juaj, Vushtrria jonë nuk duhet më të humbasë kohë as edhe një ditë, as edhe një minutë. Kjo e ka prekur secilin qytetarë të Vushtrrisë, e ka prekur edhe fermerin, e ka prekur biznesin e tregtarin, e ka prekur edhe rininë e juaj që nuk gjen shans për të ardhmen këtu brenda Vushtrrisë. Ka prekur edhe fëmijët tuaj me shkolla që kanë mbetur të pandryshuar. Vushtrria ka humbur 4 vite, sepse ata që e morën drejtimin nuk patën as vizion, nuk patën as përgjegjësi”, ka theksuar ai.
Abdixhiku e ka theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të 12 tetorit për të ardhmen e qytetit dhe të gjithë Kosovës.
“Vushtrria është qyteti i urës së famshme, i tregut të lashtë, i punës, i dijes dhe i qytetarisë. Është qyteti që gjithmonë ka ditur të japë shembull, që gjithmonë ka ditur të udhëheqë, që gjithmonë ka ditur të qëndrojë krenar përballë çdo sfide. Dhe prandaj, të jem këtu sonte, mes jush, është një emocion i madh, është një nder i madh, është një përgjegjësi e madhe. Ky qytet ka dhënë gjithmonë shumë për Kosovën. Ka dhënë njerëz të shkolluar, ka dhënë punëtorë të ndershëm, ka bërë sakrifica të mëdha për lirinë dhe pavarësinë e Republikës”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka theksuar se Tahiri ka dëshmuar përkushtim dhe përgjegjësi gjatë mandatit të tij si kryetar komune në vitet 2017-2021, duke sjellë zhvillime të dukshme për Vushtrrinë.
“Xhafer Tahiri ka qenë kryetar i Vushtrrisë në një periudhë të rëndësishme. Në ato katër vite ai solli projekte konkrete, nisi punë që ndryshuan fytyrën e qytetit, ngriti standarde të reja qeverisjeje. Ai tregoi se si udhëhiqet me përgjegjësi, se si respektohet qytetari, se si punohet për të ardhmen”, ka thënë kryetari i LDK-së.
E kandidati Tahiri ka bërë premtim para qytetarëve se do ta shndërrojë Vushtrrinë në një qytet më të gjallë dhe më të zhvilluar, teksa është zotuar se gjatë mandatit të tij prioriteti do të jetë i përqendruar te gruaja, nëna dhe fëmijët. E për fëmijët, ai ka premtuar se të gjitha shkollat e komunës do të përfshihen në mësim gjithëditor.
“Vushtrria jonë ka pasur vite kur ishte e gjallë, sheshet plot zë. Por ka pasur edhe vite kur gjithçka ka heshtur. Po ndoshta na u desh kjo ngecje për ta kuptuar vazhdimin. Për të kuptuar që së bashku mundemi ta ndërtojmë të ardhmen tonë. Në këtë qytet, gruaja e nëna do të përkrahen nga komuna. Pika e dytë në programin tonë është arsimi, fëmija dhe shkolla. Mësim gjithëditor në shkollë është zotimi ynë për të gjithë nxënësit dhe familjeve të qytetit tonë të zemrës. Brenda mandatit tonë të gjitha shkollat në qytet do të jenë të përfshira në mësim gjithëditor”, ka thënë Tahiri.
Ai ka shtuar se kthimi i tij është shpresë për Vushtrrinë, duke i premtuar qytetit transformim.
“Qyteti i Vushtrrisë meriton zhvillim modern urban, bashkë me ekipin tonë të ekspertëve kemi hartuar planin e zhvillimit modern urban të qytetit të Vushtrrisë. Kemi plan konkret buxhetor dhe të ndarë në kohë për të transformuar qytetin e Vushtrrisë. Për të transformuar rrugët, lagjet dhe çdo pjesë të Vushtrrisë që sot është lënë e braktisur e harruar”, ka shtuar kandidati për kryetar të Vushtrrisë.
Tahiri ka premtuar gjithashtu përkrahje në bujqësi, kujdes për fëmijët, qendra shëndetësore funksionale dhe shërbime më cilësore për qytetarët.
Ismaili: Zotimet për lagjet do t’i përfundoj, ose nuk kandidoj për mandatin e dytë
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga PDK-ja, Uran Ismaili, të martën prezantoi zgjidhjet e tij për një Prishtinë funksionale dhe projektet konkrete për “Tophanen”. Planet, sipas tij, kanë dalë drejtpërdrejt nga problemet dhe shqetësimet që banorët kanë ndarë gjatë bashkëbisedimeve me të.
Në fjalën e tij, Ismaili theksoi pesë shtyllat kryesore të programit për Prishtinën: një kryeqytet pa trafik, i pastër, me rrugë të sigurta, ku hapësirat i përkasin komunitetit e jo betonit, dhe një Prishtinë e orientuar drejt së ardhmes me inovacion, kulturë e sport në qendër.
Ai ka thënë se “Tophanja”, edhe pse ndodhet vetëm pak hapa larg qendrës, ka mbetur për vite të tëra jashtë vëmendjes komunale.
“Tophanja do të bëhet pjesë e erës së re që po vjen në Prishtinë. Unë do të jem kryetar i secilit qytetar, pavarësisht bindjeve apo përkatësive politike,” u shpreh Ismaili, duke shtuar se zotimet që i ka dhënë për lagjet ose do t’i përfundojë ose nuk do të kandidojë për një mandat të dytë.
Në planin e tij për këtë lagje, ai përfshiu rishikimin e planit urban për zhvillim të rregullt të lagjes, rregullimin e kabllove elektrike, krijimin e shtigjeve për këmbësorë dhe çiklistë, si dhe përmirësimin e qarkullimit e qasjes së sigurt dhe të lehtë në rrugët kryesore që e ndërlidhin me lagjet e tjera.
Projektet identifikuese për “Tophanen” nga Ismaili:
Bulevardi modern me fasada të rinovuara përgjatë rrugës “Lidhja e Prizrenit”;
Subvencionimi i bizneseve të lagjes për t’u bërë pjesë e konceptit urban me rrugë model, fasada të harmonizuara dhe vitrina të integruara;
Një çerdhe e re publike;
Restaurimi i klubit të boksit dhe objekteve identitare të lagjes;
Krijimi i një qendre komunitare – hapësirë sportive, kulturore dhe edukative – për fëmijë, të rinj dhe të moshuar;
Legalizimi i pronave.
Ismaili ka thënë se këto projekte do ta kthejnë “Tophanen” në një lagje moderne, funksionale dhe me identitet të fortë urban, duke e bërë një pikë referimi dhe krenarie për kryeqytetin.
Gjini prezanton park në Korenicë. Ramosaj pajisje për kujdes paliativ në Deçan
Me vendosjen e gur themelit për një park rekreativo-sportiv dhe amfiteatër veror në fshatin Korenicë, kryetari aktual i Gjakovës dhe kandidati për edhe një mandat, Ardian Gjini, e ka bërë zotimin të martën për krijimin e një hapësire që do t’u shërbejë banorëve dhe komunitetit të gjerë si pikëtakim dhe vend për aktivitete kulturore e sportive.
“Një hapësirë e re që shumë shpejt do të bëhet pikëtakim i gjeneratave dhe frymëzim për komunitetin. Vlera e investimit komunal: 42,777 €. Ky projekt është pjesë e buxhetimit me pjesëmarrje, ashtu si edhe terreni sportiv në Rogovë dhe parku i lodrave në Bllokun e Ri, të cilat po ashtu janë në fazën e implementimit”, ka thënë ai.
E qeverisjen e tij në krye të komunës, Gjini e ka kualifikuar model që ka sjellë bashkëpunime të rëndësishme mes komunës dhe sektorit privat. “Katër vjetët e fundit u bë shumë, ka mbetur ende për t’u kryer, prandaj jam në garë. Në Këshillin publiko-privat që e kam themeluar janë arritur bashkëpunime biznesore që kanë sjellë kontrata milionëshe. Iu kemi ndihmuar bizneseve me infrastrukturë, me zona të reja ku mund të takohen e të bashkëpunojnë. Kemi ndikuar që bizneset të zhvillohen dhe të sjellin investime të reja”, ka theksuar Gjini.
Në Deçan, kryetari aktual Bashkim Ramosaj, i cili e synon edhe një mandat, ka prezantuar finalizimin e projektit për kujdesin paliativ, duke pranuar pajisje dhe aparaturë të nevojshme për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).
“Ky projekt me rëndësi të madhe për shëndetin e qytetarëve tanë është realizuar falë bashkëfinancimit mes Komunës së Deçanit dhe organizatës AQH. Me këtë hap po bëhet e mundur funksionalizimi i një shërbimi të domosdoshëm për pacientët që kanë nevojë për kujdes të specializuar dhe dinjitoz. Si kryetar i komunës jam i përkushtuar që shëndetësia të mbetet prioritet i yni dhe që çdo qytetar i Deçanit të ketë qasje në shërbime cilësore dhe moderne”, ka thënë ai.
E kandidati për kryetar të Pejës, Ali Berisha, i ka vazhduar kritikat për udhëheqjen komunale teksa ka premtuar se në rast se ai vihet në krye të qeverisjes komunale, nuk do të lejojë që qytetarët “të mashtrohen”.
“Qe 12 vjet është keqpërdor kjo punë. Ka pasur mundësinë, ka qenë kryetar komune dhe e ka keqpërdorur këtë punë duke e proklamuar gjithçka, por asnjëherë të vërtetën. E ka nënshkruar parkun nacional dhe i ka marrë në qafë krejt banorët e Rugovës duke u thirrur në ta. Rugova sot nuk mund të funksionojë mirë për shkak të atij nënshkrimi”, ka thënë ai.
AAK-ja fushatë ka pasur edhe në Drenas e Skenderaj, i pranishëm në të cilat ka qenë kryetari i partisë, Ramush Haradinaj.
“Në Drenas, kandidati ynë për kryetar, Beqir Kiqina, me ekipin e tij, dëshmon frymë, vullnet e përkushtim për ta çuar përpara vizionin ‘Dritë për Drenasin’. Përkrahja e bizneseve të vogla e të mesme, zgjidhja e problemit të ujit të pijshëm e kanalizimit dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik janë shtylla të forta të programit tonë. Në Skenderaj, lista jonë udhëhiqet nga Feriz Shala, profesionist dhe aktivist i hershëm i Aleancës, i cili bashkë me ekipin e tij synon të sjellë një qasje ndryshe në Asamble”, ka thënë ai.
E në Rahovec, Smajl Latifi, i cili kandidon për edhe një mandat kryetari komune, ka vizituar fermerë dhe blegtorë, të cilëve u ka premtuar vazhdim të mbështetjes.
“Nuk ka sektor që Komuna e Rahovecit nuk e ka prekur me dorën e mbështetjes. Blegtorët që vizitova këtë mëngjes ndihen të kënaqur që përfitojnë nga subvencionimi i qumështit për litër dhe nga shërbimet falas të veterinarisë që i mundëson Komuna jonë. Dy blegtorëve që vizitova sot u premtova që mbështetja jonë konkrete do të rritet e zgjerohet, për të krijuar kushte edhe më të mira për veprimtarinë e tyre bujqësore”, ka theksuar ai.
Zenun Elezaj, i cili është kryetar komune në Istog dhe e synon edhe një tjetër mandat, ka shpalosur projektin për kanale të ujitjes në fshatrat Stupë, Budisalc, Krushevë e Madhe dhe Rudicë. Ai me këtë rast ka theksuar se projekti ka ndikuar drejtpërsëdrejti në përmirësimin e kushteve për bujqit, duke siguruar rendimente më të larta dhe zhvillim të qëndrueshëm të bujqësisë në komunë.
Peci premton investime në lagjen “Tuneli i Parë”: Është lënë pas dore nga qeverisja që po ikën
Kandidati për kryetar të Komunës së Mitrovicës nga Lëvizja Vetëvendosje, Faton Peci, përmes një postimi në facebook, premtoi investime në lagjen “Tuneli i Parë”, pasi sipas tij është lënë pas dore.
“Lagjja Tuneli i parë është lënë pas dore nga qeverisja që po ikën, ndërsa banorët kanë mbetur me problemet e përditshme të pazgjidhura. Në qeverisjen tonë lokale, do të bëjmë: Renovimin e banesave të vjetra, Largimin dhe menaxhimin e mbeturinave, Rregullimin e rrjetit të ujërave të zeza, Kujdes të vazhdueshëm për hapësirat e gjelbra, Transportin përmes ndërmarrjes së Trafikut Urban, Rregullimin e stacioneve të pritjes”, sipas Pecit, Mitrovica do të ndryshojë dhe një gjë të tillë ai do e bëjë realitet.
Abdixhiku nga Vushtrria: Xhafer Tahiri është kandidati i punës dhe i fitores
Lidhja Demokratike e Kosovës, të martën ka mbajtur një tubim në Vushtrri. Kreu i kësaj partie Lumir Abdixhiku, tha se kandidati Xhafer Tahiri e ka dëshmuar përkushtimin e tij për punë sa ishte kryetar gjatë periudhës 2017-2021.
“Xhafer Tahiri është kandidati i fitores, jo vetëm sepse ka emrin e LDK-së, por sepse ka provuar me vepra se si punohet. Sepse ka treguar se pushteti nuk është për vete, por për qytetarët. Sepse ka dëshmuar se kryetari i vërtetë nuk është ai që flet më shumë, por ai që punon më shumë. Vushtrria meriton më shumë. Meritoni infrastrukturë të denjë. Meritoni bujqësi të përkrahur. Meritoni shkolla moderne, mësim cilësor e tërëditor, kujdes për fëmijët. Meritoni qendra shëndetësore funksionale, shërbime cilësore, kujdes të vazhdueshëm. Meritoni një qytet të gjallë, të zhvilluar, të denjë. Dhe këto nuk janë fjalë të kota. Janë punë që bëhen. Janë punë që LDK-ja i ka bërë kudo që ka qeverisur. Janë punë që Xhafer Tahiri i ka bërë dhe do t’i bëjë përsëri”, deklaroi kryetari i LDK-së, raporton "Ekonomia Online".
Abdixhiku vlerësoi kontributin e Vushtrrisë ndër vite dhe theksoi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për të ardhmen e qytetit dhe të gjithë Kosovës.
Haradinaj viziton Drenasin dhe Skenderajn, iu ofron mbështetje kandidatëve për kryetarë
Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, ka vizituar sot Drenasin dhe Skenderajn, në mbështetje të kandidatëve për kryetar nga këto komuna.
“Në Drenas, kandidati ynë për kryetar, Beqir Kiqina, me ekipin e tij, dëshmon frymë, vullnet e përkushtim për ta çuar përpara vizionin “Dritë për Drenasin”. Përkrahja e bizneseve të vogla e të mesme, zgjidhja e problemit të ujit të pijshëm e kanalizimit dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik janë shtylla të forta të programit tonë. Me Beqirin janë bashkuar shumë të rinj e të reja që besojnë në energjinë dhe vizionin e Aleancës për një Drenas më të zhvilluar.”, shkroi Haradinaj për kandidatin e Drenasit nga AAK-ja.
Ndërsa, për atë të Skenderajt, Feriz Shala, tha se interesi i qytetarit vihet mbi gjithçka.
“Në Skenderaj, lista jonë udhëhiqet nga Feriz Shala, profesionist dhe aktivist i hershëm i Aleancës, të cilit i janë bashkuar personalitete të përkushtuar për të sjellë një qasje ndryshe në Asamble, ku interesi qytetar vihet mbi gjithçka. “Dritë për Komunat” nuk është vetëm slogan, por vizion për ta shtrirë qeverisjen shembullore në secilën komunë.”, theksoi Haradinaj në postimin e tij në Facebook.
Krasniqi: Me Jonën e ardhmja e Kamenicës është më e mirë
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Jona Arifi është e duhura për ta udhëhequr Kamenicën.
Arifi është kandidate e PDK-së për kryetare të Kamenicës.
“Sot në Kamenicë pata kënaqësinë të jem në mbështetje të Jonës - një vajze të guximshme, profesioniste e përkushtuar dhe përfaqësuese e një gjenerate të re që sjell energji e vizion për një të ardhme ma të mirë. Jona është shembull se si të rinjtë dhe gratë e vendit tonë mund dhe duhet të marrin përgjegjësi. Ajo ka punuar me pasion dhe ka dëshmuar se është gati të udhëheqë me komunën që e do shumë - Kamenicën. Me Jonën, e ardhmja e Kamenicës është ma e mirë!” – ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Besnik Osmani: Prodhuesit vendorë meritojnë më shumë mbështetje
Kandidati nga radhët e LDK-së për kryetar të Komunës së Fushë-Kosovës, Besnik Osmani, ka zhvilluar sot një vizitë në një biznes prodhues në komunë, ku është njohur nga afër me sfidat që po kalon sektori i përpunimit të ushqimeve.
Në diskutim me përfaqësuesit e biznesit, u theksua se rritja e kostove, sidomos atyre të energjisë, ka krijuar vështirësi të mëdha për të ruajtur konkurrueshmërinë dhe praninë në treg.
Osmani tha se bizneset prodhuese janë shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik dhe se ato duhet të kenë përkrahje të veçantë nga institucionet lokale.
“Mbështetja e prodhuesve tanë është çelësi për zhvillim ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës dhe forcimin e kapaciteteve vendore,” tha Osmani.
Ai shtoi se vizioni i tij është që Fushë-Kosova të ecë përtej sfidave aktuale, duke u bërë një komunë që ofron kushte më të favorshme për prodhuesit dhe sipërmarrësit lokalë./KSP
Çeku i gatshëm për debat me Ramën: Caktoje datën dhe studion
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinë, Hajrulla Çeku, i ka bërë thirrje kryetarit aktual të kryeqytetit Përparim Rama, që të caktojë datën dhe studion për një debat televiziv.
Çeku ka thënë se është njoftuar nga ekipi i tij për një deklaratë të kandidatit të LDK-së për kryetar, Përparim Rama, se është i gatshëm për debat publik.
Çeku ka thënë se të dy kanë pasur ofertë për të marrë pjesë në një debat televiziv, por Rama s’e kishte konfirmuar pjesëmarrjen.
“Kryetar në ikje, unë jam këtu, të lutem, caktoje ditën, studion, atje do jem të ballafaqohemi dhe t’i shpalosim konceptet tona për Prishtinën”, tha Çeku në videomesazh.
Uran Ismaili prezanton projektin për gjelbërim: Parqe të reja jo më larg se 300 metra për çdo lagje
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka mbajtur sot një konferencë për media ku prezantoi planin e tij për gjelbrim në kryeqytet.
“Mijëra banorë janë shtuar, ndërsa hapësirat e gjelbra janë tkurrur vit pas viti. Familjet tona janë përjashtuar nga rrugët, nga sheshet dhe nga hapësirat. Jeta e tyre është kthyer brenda katër mureve të banesave të tyre. Kjo nuk është drejtësi,” tha ai.
Ismaili u zotua se pas 12 tetorit do të vendosë një standard të ri për kryeqytetin: Secila lagje në Prishtinë ta ketë parkun, këndin e lojërave apo hapësirën e gjelbër në distancë më së largu prej 300 metra nga shtëpia.
“Ky është standardi që do të kthejë baraspeshën mes ndërtimeve dhe jetës së qytetarëve. Prishtina ka nevojë për frymëmarrje të re dhe kjo fillon nga hapësirat e përbashkëta të gjelbërta dhe komunitare – nga pemët e mbjella në çdo rrugë, nga një park në çdo lagje dhe nga një terren lojërash vetëm disa hapa nga dera e çdo shtëpie. Nuk do të kemi më Prishtinë të betonit, por Prishtinë të njerëzve,” tha Ismaili.
Në planin e Ismailit, janë të parapara parqe të reja dhe hapësira të gjelbra në çdo pjesë të kryeqytetit, përfshirë:
- Dy parqe të reja në Kodrën e Trimave;
- Parkun Jugor të Prishtinës në Kalabri, me sipërfaqe prej 12 hektarësh;
- Hapësira të reja të gjelbra në Bardhosh dhe Hajvali.
Ndërsa parqe të reja në Dardani, Ulpianë dhe Bregun e Diellit mbi parkingjet nëntokësore.
Buja bashkon forcat me Nismën në Lipjan. Tahiri në Mitrovicë premton gjelbërim përgjatë Ibrit
Kandidati i Partisë Demokratike (PDK) për kryetar të Rahovecit, Edon Cana, fushatën zgjedhore të martën e ka përqendruar në lojën “Counter-Strike” me të rinjtë e komunës. Ndonëse nuk ka treguar aftësi të veçanta në lojë, ai ka bërë zotim për t’i mbështetur sportet elektronike.
Ndryshe prej tij, kandidati për kryetar komune në Mitrivicë, Arian Tahiri, ka shpalosur planin për ta bërë revitalizimin e lumit Ibër, në brigjet e të cilit ka premtuar të ndërtojë shteg për ecje dhe për biçikleta.
“Do ta revitalizoj tërësisht lumin Ibër, duke e kthyer atë në një hapësirë që lidh dhe pasuron jetën në këtë pjesë të Mitrovicës. Shteg për ecje dhe biçikleta, që lidh lagjet mes vete. Hapësira gjelbëruese dhe parqe urbane, për rekreacion dhe pushim të familjeve. Ndriçim modern dhe estetik, që sjell siguri dhe gjallërim të jetës edhe në mbrëmje. Ibri do të jetë vendi ku qytetarët do të takohen, shëtisin dhe ndajnë jetën me njëri-tjetrin”, ka thënë ai.
Në Lipjan, Shukri Buja, i cili ka qenë kryetar para 12 vjetësh dhe tani synon që të kthehet në krye të komunës, ka njoftuar për një marrëveshje bashkëpunimi me Nismën Socialdemokrate. Kjo parti nuk do të ketë kandidat për kryetar në Lipjan por do ta mbështesë Bujën, ndërsa një marrëveshje të ngjashme ai e ka nënshkruar javën e kaluar edhe me Partinë e Ashkalinjëve për Integrim.
“Partia Demokratike e Kosovës dhe unë si kandidat për Kryetar të Komunës, së bashku me Nismën Socialdemokrate, kemi bashkuar forcat në një marrëveshje për zgjedhjet lokale në Lipjan. Sipas kësaj marrëveshjeje, Nisma do të mbështesë kandidaturën time për Kryetar të Komunës dhe nuk do të ketë kandidat të saj, ndërsa për Kuvendin Komunal do të garojë me listën e vet. Ky bashkim është i ndërtuar mbi themelin e lavdishëm e të përbashkët, kontributin tonë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Buja.
Në Viti, kandidati për kryetar komune, Bekim Azizi, ka prezantuar një projekt për tregun e gjelbër.
“Qytetarët dhe tregtarët e komunës sonë nuk e meritojnë gjendjen aktuale të këtij tregu. Ky projekt do të jetë model për të gjithë, duke përfshirë edhe hapësira të mjaftueshme për parking, si dhe kushte të përshtatshme dhe moderne për fermerët, tregtarët dhe blerësit”, ka deklaruar ai.
E në Prishtinë, kandidati i PDK-së që garon për të dytën herë për kryetar komune, Uran Ismaili, ka shpalosur planin për lagjen Tophane.
“Rishikim i planit të Tophanes për të siguruar zhvillim për të gjithë; Ndërtimi i një çerdheje të re; Qendra e re komunitare për ringjallërimin e lagjes; Rregullimi i kabllove elektrike; Legalizimi i pronave; Restaurimi i klubit të boksit dhe objekteve identitare të lagjes; Bulevard modern me fasada moderne përgjatë rrugës Lidhja e Prizrenit; Ndërtimi i trotuareve dhe shtigjeve të ecjes për këmbësorë. Tophanja është shumë afër qendrës për të qenë kaq larg vëmendjes së qeverisjes komunale”, ka thënë ai.
Ismaili ka paralajmëruar gjithashtu edhe më shumë gjelbërim nëpër lagje.
“Për një kohë të gjatë, në Prishtinë është ndërtuar pa plan e pa kontroll. Ky nuk është problem që ka nisur dje, por është problem që është bërë edhe më i rëndë në këto katër vjet... Gjatë katër viteve të ardhshme, çdo lagje do të ketë hapësirë të gjelbër, këndin e lodrave dhe parkun, jo më larg se 300 metra. Në lagjen Dardania, Ulpiana dhe Bregu i Diellit do të krijojmë hapësira të reja me drunj mbi parkingjet nëntoksore që do t’i ndërtojmë, në Kodrën e Trimave do të ndërtojmë dy parqe të reja brenda lagjes. Në lagjen Kalabria do të bëjmë Parkun Jugor të Prishtinës prej 12 hektarësh, si mushkëri të reja për qytetin”, ka theksuar Ismaili.
Kryetari aktual i Prizrenit, Shaqir Totaj, që kandidon për një mandat të dytë, ka njoftoi për përurimin e disa projekteve në fshatin Kobaj.
“Tjerët kanë veç llafe për fshatin Kobaj, kurse ne punët e mira për këtë paralagje të Prizrenit. Sot përuruam fushën sportive dhe rrethojën e shkollës në fshatin Kobaj si dhe disa projekte të rëndësishme infrastrukturore, fillimin e ndërtimit e 14 akseve rrugore dhe ndriçimin publik! Nga sot ky fshat ka marrë pamje të re, e të cilën po e shtrijmë në secilën lagje dhe fshat të komunës sonë!”, ka thënë Totaj.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, gjatë një tubimi në Novosellë të Pejës, ka thënë se në këtë komunë do të ketë balotazh, pas të cilit do të fitojë kandidatja e subjektit të tij, Arta Vokshi-Nallbani, teksa në Kamenicë, ai e ka quajtur kandidaten, Jona Arifi, profesioniste të përkushtuar dhe përfaqësuese të një gjenerate të re që sjell energji e vizion për një të ardhme ma të mirë.
Rama: E rikthyem Galerinë e Qytetit, ishte shndërruar në lokal afarist
Kryetari i Komunës së Prishtinës, njëherësh kandidat për një mandat të dytë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Përparim Rama, ka thënë se e kanë rikthyer Galerinë e Qytetit.
Sipas Ramës, së shpejti Galeria do t’i rihapë dyert më një ekspozitë kushtuar artistëve.
“Aty ku dikur mblidheshin intelektualë e aktivistë për të ngritur jetën kulturore, politike e sociale të Kosovës. Pranë ëmbëltores legjendare ‘Elida’, për dekada, kjo hapësirë ishte shndërruar në lokal afarist. Ne si Kryeqytet e kthyem këtë hapësirë dhe së shpejti galeria do të rihapë dyert me një ekspozitë kushtuar artistëve tanë, atyre që me art mbajtën gjallë idealin.”, ka shkruar në Facebook Rama.
Kupina takohet me banorë të lagjes “Pejton”: Prishtina të zhvillohet duke ruajtur traditën
Fehmi Kupina nga Lidhja e Prishtinës, bashkë me Sheqir Zenelin i cili është numri dy i listës së tyre për Kuvend Komunal, janë takuar me banorë të lagjes “Pejton” në kryeqytet.
Kupina ka thënë se kjo zonë e Prishtinës ka pësuar ndryshime të mëdha dhe shpeshherë banorët nuk janë konsultuar për orientimin e zhvillimit.
”Kjo zonë e Prishtinës ka pësuar ndryshime të mëdha dhe shpeshherë banorët nuk janë konsultuar për orientimin e zhvillimit. Ne iu premtuam banorëve se do të bëjmë çdo gjë për të marrë parasysh kërkesat e tyre dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës në këtë zonë të mbingarkuar”, ka shkruar Kupina në postimin e tij në Facebook.
Hyseni takon përfaqësuesit e OVL-UÇK-së: Detyra jonë është ta ruajmë amanetin e tyre
Kryetari aktual i Komunës së Gjilanit, njëherësh kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për mandat të dytë, ka takuar të martën përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Takimet me ta Hyseni i ka quajtur të veçanta sepse sipas tij, në to ndihet fryma e sakrificës dhe e krenarisë kombëtare.
“Bashkë me zv.ministrin e Mbrojtjes, Shemsi Syla, dhe kandidatin e listës tonë fituese për asamble, Kushtrim Zeqirin, patëm nderin të takojmë veteranë të luftës, ata që me guxim shkruan faqet më të lavdishme të historisë sonë të re. Është detyrë dhe përgjegjësi e gjeneratës sonë që amanetin e tyre ta ruajmë, duke ndërtuar vend më të fortë e më të drejtë për qytetarët tanë.”, ka shkruar Hyseni në një postimin e tij në Facebook.
Para këtij takimi Hyseni bashkë me ministren në detyrë të arsimit, Arbërie Nagavci, ka takuar mësimdhënëset e Komunës së Gjilanit.
Qendër të programit zgjedhor, Hyseni ka theksuar se e ka investimin në arsim.
“Diskutuam për arritjet e deritanishme dhe për mandatin e ri, duke theksuar se qendër e programit tonë mbetet vazhdimi i investimeve në arsim përmes disa pikave të qarta, që i prezantuam edhe para mësimdhënësve”, ka shkruar ai në një tjetër postim në Facebook.
Krasniqi: Në Pejë do të jemi në balotazh, për të fituar më 9 nëntor
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në tubimin e mbajtur në Novosellë të Pejës të hënën, ka kërkuar mobilizim në mbështetje të kandidates së PDK-së për kryetare të Komunës së Pejës, Arta Vokshi-Nallbani.
Në njoftimin e PDK-së për këtë tubim thuhet se Krasniqi ka theksuar se kandidatura e Vokshi-Nallbanit është një mesazh se politika në Kosovë ka nevojë për të ndryshuar vërtetë.
“Jam i bindur edhe nga përvoja, të cilën e kemi bashkërisht që sa më shumë që ka gra në lidership, në vendimmarrje, sa më shumë që ka të rinj e të reja në udhëheqësi edhe politika bëhet ma e mirë. Gara vetëm sa ka filluar dhe me 12 tetor do të jemi bashkë në balotazh për të fituar me datën 9 nëntor”, citohet të ketë thënë Krasniqi.
Ndërkaq, kandidatja e PDK-së për kryetare të Komunës së Pejës, Vokshi-Nallbani ka thënë se demokracia e vërtetë arrihet vetëm atëherë kur udhëheqësit e komunës qeverisin bashkë me qytetarët dhe për qytetarët.
“Andaj, ju ftoj të besoni në mua, të besoni në kandidatët tanë për asamble komunale, besoni në PDK-në dhe me 12 tetor të tregojmë që Peja mundet ma mirë, po mundet ma mirë vetëm me PDK-në”, citohet ajo në njoftimin e PDK-së.
Tahiri premton “pamje të re” të Ibrit në Mitrovicë
Arian Tahiri, kandidat i Partisë Demokratike për kryetar të Mitrovicës, ka premtuar revitalizim të tërësishëm të lumit Ibër në këtë komunë.
“Ibri, krenaria e qytetit, do të ketë pamje të re! Unë do ta revitalizoj tërësisht lumin Ibër, duke e kthyer atë në një hapësirë që lidh dhe pasuron jetën në këtë pjesë të Mitrovicës”, ka shkruar ai në Facebook të martën.
Tahiri ka thënë se në këtë plan synon shteg për ecje dhe biçikleta, që lidh lagjet mes vete, hapësira gjelbëruese dhe parqe urbane, për rekreacion dhe pushim të familjeve dhe ndriçim modern dhe estetik, që sjell siguri dhe gjallërim të jetës edhe në mbrëmje.
“Ibri do të jetë vendi ku qytetarët do të takohen, shëtisin dhe ndajnë jetën me njëri-tjetrin”, ka shtuar ai.
Tahiri synon ta vazhdojë qeverisjen e PDK-së në këtë komunë. Ai deri tash ishte nënkryetar i Bedri Hamzës.
Në fushatë përurohen 15 shërbime në Poliklinikën Specialistike të Podujevës
Është përuruar Poliklinika Specialistike në Podujevë. Poliklinikës nga sot, 23 shtator, i janë shtuar 15 shërbime specialistike. E shiriti kësaj poliklinike i ishte prerë më 8 gusht, kur ishte përuruar shërbimi i hemodializës.
Në një deklaratë për media nga ky përurim të martën, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka cilësuar investimin shumë të rëndësishëm për Podujevën.
“Ky institucion shëndetësor është i gatshëm të ofrojë shërbime të specializuara për qytetarët duke shmangur nevojën për udhëtime në Prishtinë për çdo vizitë specialistike. Ambiente të reja, rregull, disiplinë, pastërti, ndriçim të përshtatshëm”, ka thënë Kurti që ka premtuar “vazhdim të investimeve të tjera në Podujevë për të mirën e të gjithë qytetarëve”.
Në kohën e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se përurimi është “realizim i premtimit të fillimit të mandatit”.
“I kemi 15 shërbime shtesë falë angazhimit të Qeverisë Kurti, ministrit të Shëndetësisë, drejtorisë së Shërbimit Spitalor dhe nga sot qytetarët tanë s’do të kenë nevojë të maltretohen me pritje të gjata për të kryer shërbime specialistike në shërbimin spitalor në Prishtinë dhe ky është moment i veçantë për të gjithë ne”, ka thënë ai.
Siç ka bërë të ditur vetë Bulliqi një ditë më parë, në këtë poliklinikë do të nisin shërbimet 15 specialistë: gjinekologu, reumatologu, kardiologu, endokrinologu, hematologu, gastroenorologu, nefrologu, pulmologu, ortopedi, kirurgu abdominal, kirurgu, torakal, kirurgu vaskular, urologu, pediatri dhe neurologu.
Vlera e këtij projekti mbërrin në 2.4 milionë euro.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e pati paralajmëruar këtë poliklinikë qysh më 30 dhjetor të vitit të shkuar.