Zgjedhjet lokale

Lushtaku: Skenderaj s’bëhet kurrë me ata që Kosovës i sollën vetëm përçarje e sanksione

Sami Lushtaku

Kandidati i PDK-së për kryetar të Skenderajt, Sami Lushtaku, ka thënë se “Skenderaj është me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e me trashëgimtaren politike të saj, Partinë Demokratike të Kosovës”. 

Ai ka thënë se Skenderaj nuk bëhet kurrë me ata që “Kosovën i sollën vetëm përçarje e sanksione ndërkombëtare dhe prishje me aleatët”, duke aluduar te kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje. 

“Skenderaj nuk është e nuk do të bëhet kurrë me ata të cilët sapo erdhën në pushtet, na e ndalën projektin e furnizimit me ujë në Brus, i cili do të zgjidhte problemin e furnizimit me ujë për qytetin dhe fshatrat e Skenderajt, e të cilët sot pa fije turpi premtojnë "Pendën e Kuqicës".  Skenderaj nuk bëhet kurrë me ata që as FSK-në nuk e dërguan kur ndodhi fatkeqësia natyrore e vërshimeve e 19 janarit 2023, e nuk kompenzuan mbi 10 milionë euro dëme në infrastrukturë publike e private. Skenderaj nuk bëhet kurrë me ata që nuk mbahen mend për asnjë projekt infrastrukturor e zhvillimor në Kosovë. Skenderaj nuk bëhet kurrë me ata që Kosovës i sollën vetëm përçarje, sanksione ndërkombëtare e prishje me aleatët tanë ndërkombëtarë, ShBA-të e BE-në, me të cilët Hashim Thaçi e Ushtria Çlirimtare e Kosovës krijoi miqësi nga malet e Kosovës në vitin 1998”, ka shkruar Lushtaku në Facebook. 

Ai ka thënë se “Skenderaj i thotë si gjithmonë ‘jo’ demegaogëve”. 
Lushtaku të dielën pati tubime në Polac, Klinë të Epërme, Marinë dhe Makërmali. 

“E sonte, Polaci, Klina e Epërme, Marina e Makërmali i thanë sërish fuqishëm “PO” Partisë Demokratike të Kosovës. Faleminderit të gjithëve për përkrahjen e madhe e të parreshtur. Kjo mbështetje është dëshmia më e mirë se vizioni ynë për zhvillimin e Skenderajt përmes programit tonë zhvillimor po gjen përkrahje të parreshtur në çdo lagje e në çdo fshat të Skenderajt”, ka shkruar Lushtaku. 

Kurti ishte po ashtu të dielën në Skenderaj duke ofruar përkrahje për kandidatin e LVV-së për kryetar, Hysni Mehani. 

“Kandidati tjetër rival i Hysni Mehanit është kandidat më shumë se multimilioner, që garon për të sunduar jo për të shërbyer”, tha Kurti. 

Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen më 12 tetor. 


 

Lexo përditësimet tjera
zgjedhjet

Dita e 23-të e fushatës