Zgjedhjet lokale

Lista Serbe nis fushatën me himn të Serbisë dhe premtimin për “çlirim nga Kurti”

Lista Serbe

Tubimi ka nisur me himnin e Serbisë, e në fjalimet e zyrtarëve serbë nuk pati premtime për projekte të ndryshme, siç bëjnë kandidatët për zgjedhjet lokale. Të gjitha fjalimet ishin politike dhe të koncentruara kundër Qeverisë në detyrë. Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, ka thënë se më 12 tetor qytetarët, sipas tij, do të çlirohen nga kryetarët jolegalë dhe jolegjitim në Mitrovicë të Veriut dhe në tri komunat e tjera veriore, të banuara kryesisht me serbë

Subjekti më i madh i serbëve në Kosovë, Lista Serbe, ka nisur fushatën për zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Mitrovicë të Veriut.

Tubimi ka nisur me himnin e Serbisë, e në fjalimet e zyrtarëve serbë nuk pati premtime për projekte të ndryshme, siç bëjnë kandidatët për zgjedhjet lokale.

Të gjitha fjalimet ishin politike dhe të koncentruara kundër Qeverisë në detyrë.

Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, ka thënë se më 12 tetor qytetarët, sipas tij, do të çlirohen nga kryetarët jolegalë dhe jolegjitim në Mitrovicë të Veriut dhe në tri komunat e tjera veriore, të banuara kryesisht me serbë, transmeton Kossev.

“Ka ardhur dita kur mundemi, mund të them lirisht, ta zëvendësojmë ish-kryetarin e komunës me stilolaps. Ne zgjodhëm të fillojmë fushatën nga Mitrovica e Veriut, sepse ky është bastioni i qëndrimit dhe mbijetesës së serbëve në Kosovë dhe Metohi. Në këtë qytet, ne kemi mbrojtur lirinë, emrin dhe mbiemrin tonë për shekuj me radhë dhe se jemi më të fortë se kurrë. Çdo qytetar, çdo punëtor, çdo fermer, çdo familje ka vuajtur padrejtësi për tre vjet dhe për këtë arsye është koha të zëvendësojmë kryetarin e paligjshëm më 12 tetor”, ka thënë Elek.

Kandidat për kryetar të Mitrovicës së Veriut nga Lista Serbe është Milan Radojeviq. Edhe ai foli vetëm për politikë. Në nisje të fjalimit i pyeti të pranishmit “A e doni lirinë”, në çka ata iu përgjigjën me duartrokitje frenetike e me thirrje në kor: “Atiq, largohu”, duke iu referuar kryetarit aktual të kësaj komune.

“Para më shumë se tre vjetëve, disa njerëz të panjohur erdhën në qytetin tonë dhe filluan të vendosnin për fatin tonë. Si do të jetojmë e ku do të shkojmë. Fëmijëve tanë nuk u lejohet të ecin rrugëve të këtij qyteti, fëmijëve tanë nuk u lejohet të festojnë diplomimin e tyre. Këta njerëz të panjohur filluan të konkurrojnë se kush do të na shkaktonte më shumë dëm. Ata arrestuan fëmijët tanë, njerëz të ndershëm, dëbuan bashkëqytetarët tanë”, ka thënë ai.

Në nisje të fushatës për zgjedhje lokale, me çështje qendrore e politike u morën edhe të tjerët nga Lista Serbe, e që konkurrojnë për asamblistë.