Zgjedhjet lokale

LDK-ja mbyll fushatën në Prishtinë, Abdixhiku: Kryeqyteti është dëshmia e suksesit të Përparim Ramës

Lumir Abdixhiku

Lidhja Demokratike e Kosovës ka përmbyllur sonte fushatën zgjedhore në Prishtinë, me thirrjen që të dielën qytetarët të dalin dhe të votojnë për kandidatin e kësaj partie për kryetar të ri të kryeqytetit Përparim Rama.

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se presin fitore në zgjedhjet e së dielës.

“Prishtina që u zotuam se do ta duam me plot me zemër, flet me shkollë që kanë ndryshuar, flet me mësimin tërëditor, flet me rrugë që lidhen me unaza që marrin jetë dhe lagje që marrin frymë, flet me vizionin tonë të qartë me njerëzit tanë të ndershëm në shërbimin e qytetit. Kryeqyteti është dëshmia më e mirë e suksesit dhe vizionit të Përparim Ramës, duke sjellë ndryshime të mëdha në arsim. Fëmijët e Prishtinës sot mësojnë më shumë dhe kanë më shumë përgatitje për jetën, dhe prindërit e dinë se fëmijët e tyre janë më të sigurt në shkolla moderne dhe kushte më të mira. Ne e bëjmë një Prishtinë, do ta bëjmë gjithandej nëpër Kosovë... Prishtina është më e fortë se propaganda, sepse puna e ndershme gjithmonë fiton mbi lojën politike. LDK e Përparimi ka fituar me punë dhe jo me pallavra e me propagandë”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka folur mbi projektet që do të përfundojnë projektet si rruga A, projekti i unazës së brendshme dhe ndërtimin e shesheve të reja, duke thënë se Prishtina ka nevojë për qeverisje serioze me Përparim Ramën kryetar në katër vjetët e ardhshme.

“Prishtina nuk ka kohë për eksperimente dhe lojëra politike, por ka nevojë për qeverisje serioze dhe këtë e ofron vetëm Përparimi dhe LDK-ja, prandaj më 12 tetor qytetarët e Prishtinës do të zgjedhin punën mbi propagandën, do të zgjedhin Përparim Ramën dhe LDK-në me të parën... Le ta kuptojmë, aty ku ata na bllokojnë ne ndërtojmë, aty ku ata ndajnë ne bashkojmë, aty ku ata jetojnë nga sharja ne jetojmë nga shpresa, aty ku ata ushqejnë me frikë ne ushqejmë me besim, aty ku ata na i humbin vitet ne fitojmë të ardhmen”, tha Abdixhiku.

Kandidati për kryetar të Prishtinës Përparim Rama ka folur mbi mandatin e tij të parë dhe problemet me të cilat është përballur nga niveli qendror, për siç tha ai, inatet e të tjerëve për pengimin e projekteve, por pavarësish kësaj kryeqyteti nuk u dorëzua. Ai tha se Prishtina është shndërruar në një qendër kulturore.

“Prishtina nuk u bllokua kurrë. Asnjë lojë politike nuk mundi ta ndalë vizionin për një Prishtinë moderne, sepse ajo është përgjegjësi, dashuri dhe detyrë...Prishtina ecë përpara me vizon dhe transparencë, dhe me besimin e juaj të qytetarëve...Kemi bërë gjëra të mëdha që na kanë qitur në harta botërore. Qytetarët e Prishtinës e dinë kush ka ndërtuar ura dhe kush ka ngritur pengesa. Në mandatin e dytë do ta çojmë Prishtinës Përtej. Projektet që ka nisur nuk do të ndalen, por do të bëhen realitet. Do të bëjmë unazën e jashtme, spitalin e kryeqytetit, do të zgjerojmë mësimin tërë-ditor në të gjitha shkollat, do të ndërtojmë shkolla moderne, çerdhe të reja, qendra sociale dhe do të hapim edhe fshatin olimpik, zemrën e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”, ka thënë Rama.

Ai tha se do të ndërtojnë edhe parkun më të madhin në 25 vjetët e fundit, parkun memorial “Ibrahim Rugova” dhe memorialin “Adem Jashari”, ndërtimin e qendrës teknologjike dhe inteligjencës artificiale për të rinjtë.

Në këtë tubim janë prezantuar edhe kandidatët për asamblistë nga radhët e LDK-së në Prishtinë.

Lexo përditësimet tjera
Zgjedhjet

Dita e 28-të e fushatës