Lidhja Demokratike e Kosovës mbajti një tubim elektoral në Prishtinë (Dega IV), ku kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, theksoi se kryeqyteti është dëshmi e qeverisjes së suksesshme të LDK-së, raporton Ekonomia Online.
Ai vlerësoi mandatin e kryetarit aktual, Përparim Rama, duke veçuar projektin e mësimit tërëditor si një “revolucion kombëtar” në arsim dhe Unazën e Brendshme të qytetit si një “standard i ri urban”.
“Prishtina është LDK, sepse Prishtina është e kaltër, sepse Prishtina është me Përparim Ramën. Dhe kur Prishtina është me ne, është e gjithë Kosova me ne. Prishtina nuk është vetëm kryeqyteti administrativ i Kosovës. Prishtina është fytyra e shtetit tonë, pasqyra e modernitetit tonë, dritarja nga ku shihet e ardhmja jonë. Është qyteti i rinisë, i energjisë, i ideve, është qyteti i ëndrrave më të guximshme. Çdo fitore kombëtare është nisur këtu, çdo shpresë është ndezur këtu, çdo hap i madh përpara është hedhur nga ky qytet. Dhe mu për këtë arsye, përgjegjësia jonë ndaj Prishtinës është më e madhe se kudo tjetër. Ky qytet nuk mund të ngecë, ky qytet nuk mund të mbetet peng, ky qytet nuk mund të humbasë kohë. Prishtina duhet të ecë përpara, sepse vetëm kur ecën Prishtina, ecën edhe Kosova. Katër vjet më parë, ne i dhamë këtij qyteti një vizion të ri dhe një kryetar ndryshe. Ne sollëm Përparim Ramën – njeriun e arkitekturës, të urbanizmit modern, të përvojës ndërkombëtare, të ideve që shohin përpara”, tha Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së tha se Përparim Rama nuk erdhi nga politika e fjalëve të thata, por ai erdhi nga bota e punës konkrete.
“Nuk erdhi për retorikë, por për vizion. Dhe sot, katër vjet më pas, kryeqyteti është dëshmia më e qartë e suksesit të këtij vizioni. Projekti më i madh, krenaria më e madhe e këtyre katër viteve, është mësimi tërëditor. Për herë të parë në historinë e kryeqytetit, fëmijët tanë kalojnë ditën e tyre në shkolla moderne, me kushte të denja, me ushqim të sigurt, me kujdes të veçantë pedagogjik, me aktivitete të shumta që i përgatisin për jetën. Ky projekt nuk është vetëm një risi arsimore; është një revolucion nacional. Është mbështetje për çdo prind që e di se fëmija i tij është i sigurt gjatë gjithë ditës. Është investim për çdo familje që e ka tashmë një barrë më pak. Është garanci për të ardhmen e çdo fëmije që rritet me dije, me kulturë dhe me mundësi të barabarta. Ky projekt e dallon Prishtinën nga çdo komunë tjetër dhe e vendos kryeqytetin tonë si model për gjithë Kosovën. Dhe ky projekt ka një autor të qartë: Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Përparim Ramën”, shtoi ai.
Abdixhiku tha se LDK është forca që premton dhe realizon, ndërsa më 12 tetor qytetarët do të zgjedhin mes zhvillimit dhe stagnimit.
“Një tjetër projekt madhor që po e transformon qytetin është Unaza e Brendshme e Prishtinës. Për vite e dekada, ky projekt nuk ekzistonte veçse në letra, në premtime të pambajtura, në plane që kurrë nuk u nisën. Sot, falë qeverisjes sonë, Unaza është bërë realitet. Ky projekt është frymëmarrja e qytetit. Është shpëtimi nga kaosi urban. Është lidhja mes lagjeve, është kursimi i kohës për qytetarët, është mundësia e re për zhvillimin e bizneseve. Unaza është standardi i ri i kryeqytetit modern. Dhe ky standard e mban vulën e LDK-së. Sepse vetëm me LDK-në, projektet e mëdha nisin dhe përfundojnë. Në krah të Unazës, kemi Rrugën A – boshtin e ri të zhvillimit ekonomik të kryeqytetit. Ky korridor i ri urban nuk është thjesht një rrugë e shtruar. Është arterie zhvillimi. Është korridor që i jep qytetit dimension tjetër. Është hapësirë për investime, është rritje e vlerës së pronës, është lidhje strategjike me ekonominë e gjithë vendit. Rruga A është shembulli më i qartë se si qeverisja jonë mendon për të ardhmen, jo vetëm për të sotmen. Është dëshmi se vizioni ynë nuk është i kufizuar te ditët që jetojmë, por shikon dekadat që vijnë”, tha kreu i LDK-së.
Abdixhiku e cilësoi Unazën e Brendshme si një nga projektet më të rëndësishme që po ndryshon fytyrën e Prishtinës pas dekadash premtimesh të pambajtura.
“Prishtina jonë është edhe qyteti i shesheve. Hapësirat publike të këtij qyteti janë bërë identiteti i tij. Dhe këto identitete po bëhen vetëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Sheshi “Ibrahim Rugova”, sheshi “Skënderbeu”, sheshi “Zahir Pajaziti”, sheshi i Katedrales, e së shpejti edhe sheshi i Xhamisë së Re – janë dëshmi e punës sonë të palodhur për t’i dhënë qytetit qendra të reja urbane. Janë hapësira që i japin jetë qytetit, që i afrojnë njerëzit, që krijojnë identitet modern e qytetar. Ne i kemi krijuar këto sheshe, ne i kemi mbrojtur nga zërat që i kundërshtuan, ne i kemi mbajtur gjallë edhe kur disa thoshin se duhen zhbërë. Sepse Prishtina nuk duhet të lakmohet, ajo duhet të dashurohet. Dhe këtë dashuri ia jep vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës. Të gjitha këto projekte janë dëshmi të qarta të punës sonë. Janë projekte që flasin vetë. Janë premtime të mbajtura, janë vizione të kthyer në realitet. Dhe janë dallimi më i madh mes nesh dhe të tjerëve. Sepse përballë këtyre veprave, të tjerët nuk kanë çfarë të tregojnë. Ata flasin, ne punojmë. Ata premtojnë, ne ndërtojmë. Ata shohin qytetin si plaçkë politike, ne e shohim si amanet qytetar. Më 12 tetor, qytetarët e Prishtinës do të bëjnë zgjedhjen e tyre. Në njërën anë është stagnimi, është propaganda, është kaosi. Në anën tjetër është zhvillimi, është puna konkrete, është vizioni. Në njërën anë janë ata që flasin shumë e nuk bëjnë asgjë. Në anën tjetër jemi ne që punojmë dhe ndërtojmë. Në njërën anë janë ata që e shohin qytetin si plaçkë. Në anën tjetër jemi ne që e shohim si amanet”, tha Abdixhiku.
Kurse, Përparim Rama tha se Prishtina ka qenë dhe duhet të vazhdojë të jetë me LDK duke theksuar se në fillim të mandatit ai ka treguar se programi i Prishtinës përfundon me dy mandate.
“E me një numër të madh të projekteve si smart city që e përmenden që jemi të parët jo vetëm në Kosovë, as në rajon por ndër të parët në Evropë sepse Prishtina dinë, Prishtina donë, Prishtina mundet, Prishtina ka profesionalistë me të cilët mendojmë për të mirën dhe për të ardhmen e vendit tonë dhe së bashku shkojmë përtej, prandaj, edhe një herë 113 më 12 tetor, Prishtina e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Prishtina e secilit qytetar që e donë të mirën e kryeqytetit. E mos të harrojmë që e kemi pa që duhet të kemi ansamblenë e fortë, është kryetari i fortë me ansamblenë e fortë e së bashku e qojmë Prishtinën përtej, prandaj edhe një herë duartrokitje për këta ansambleistë të mrekullueshëm këtu që secili e donë Prishtinën më shumë se tjetri, që secili nevojat e qytetarëve i bjen këtu te ne në kabinet në qeverisjen tonë që së bashku po i bëjmë pjesë e programit tonë 2025-2029. Vetëm shkoni e shikoni në Prishtina.work numrin e projekteve që e ka bo Prishtina këto katër vitet e fundit, kemi më shumë se 1000 projekte. Më shumë se Qeveria e Kosovës në gjithë Kosovën. Kjo është Prishtina, kjo është LDK”, tha ai.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor, ku qytetarët e të gjitha komunave të Kosovës do të votojnë për kryetarë të komunave të tyre dhe për asambleistët në kuvendet komunale./EO
