Zgjedhjet lokale

KQZ-ja jep garanci për publikim të shpejtë të rezultateve

Të mbushur me material zgjedhor e të shoqëruar nga Policia, dhjetëra kamionë iu drejtuan që në orët e para të së shtunës qendrave të mëdha komunale në kuadër të përgatitjeve të fundit për zgjedhjet lokale të së dielës.

Qytetarë të 38 komunave të dielën do të kenë mundësi të votojnë për kryetarë dhe përfaqësues të tyre në Kuvende komunale. E për këtë synim, 948 qendra votimi në gjithë Kosovën do t’i hapin dyert në orën 7 të mëngjesit e do t’i mbyllin, në orën 19.

Para se të hapen, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se gjithçka do të jetë gati.

“Këto materiale zgjedhore vendosen në Qendrat Komunale të Numërimit, të vendosura në çdo komunë dhe nga aty, të dielën në mëngjes do të shpërndahen në qendra të votimit”, ka thënë Elezi.

Për përgatitjet e bëra, kanë diskutuar të shtunën edhe anëtarë të KQZ-së.

Përfaqësues të Sekretariatit të KQZ-së njoftuan se 3 mijë e 467 qytetarë do të votojnë përmes ekipeve mobile, prej të cilëve 1 mijë e 508 votues janë në shtëpi, 1 mijë e 956 votues në klinika shëndetësore, shtëpi të të moshuarve, qendra të paraburgimit e qendra korrektuese dhe 3 votues që janë në arrest shtëpiak.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi, kërkoi që të kihet kujdes me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor që administrohet nga ekipet mobile.

“Në zgjedhjet e fundit kemi pasë votime edhe përtej orarit të paraparë... Kërkoj që të jeni në kontakt me zyrtarët komunalë që ata t’i krijojnë me kohë ekipet mobile, ekipet që do të merren me këtë proces votimi në mënyrë që të mbyllen në kohën e paraparë”, ka thënë ai.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, KQZ-ja dështoi që t’i publikojë në kohë rezultatet preliminare.

E sqarime lidhur me përgatitjet e bëra për ta shmangur përsëritjen e kësaj situate edhe më 12 tetor ka kërkuar anëtari i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, Sami Kurteshi.

“A keni ndonjë shenjë, ndonjë element që ju bën me dyshu ose që mundet me paraqitë probleme nesër për nxjerrjen e rezultateve preliminare qysh na ka ngja në shkurt 2025? Sa është garancia e madhe?”, e ka pyetur ai ushtruesin e detyrës së kryeshefit të KQZ-së, Besnik Buzhala.

“Shpresojmë që mos me ndodhë ajo që ka ndodhë më 9 shkurt, por angazhimi i stafit në këta 3 muajt e fundit ka qenë jashtëzakonisht i madh, i stafit profesional që është marrë me zhvillimin e rezultateve për zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër”, është përgjigjur Buzhala.

Sipas të dhënave të KQZ-së, janë gjithsej 2 milionë e 69 mijë e 98 qytetarë me të drejtë vote për zgjedhjet lokale, prej të cilëve 43 mijë e 933 janë të regjistruar nga diaspora.