Zgjedhjet lokale

Kosova voton për udhëheqësit e komunave

Zgjedhjte 2025

Qytetarë të 38 komunave të dielën do të kenë mundësi të votojnë për kryetarë dhe përfaqësues të tyre në Kuvende komunale. E për këtë synim, 948 qendra votimi në gjithë Kosovën do t’i hapin dyert në orën 7 të mëngjesit e do t’i mbyllin, në orën 19.

Para se të hapen, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se gjithçka do të jetë gati.

“Këto materiale zgjedhore vendosen në Qendrat Komunale të Numërimit, të vendosura në çdo komunë dhe nga aty, të dielën në mëngjes do të shpërndahen në qendra të votimit”, ka thënë Elezi.

Për përgatitjet e bëra, kanë diskutuar të shtunën edhe anëtarë të KQZ-së.

Përfaqësues të Sekretariatit të KQZ-së njoftuan se 3 mijë e 467 qytetarë do të votojnë përmes ekipeve mobile, prej të cilëve 1 mijë e 508 votues janë në shtëpi, 1 mijë e 956 votues në klinika shëndetësore, shtëpi të të moshuarve, qendra të paraburgimit e qendra korrektuese dhe 3 votues që janë në arrest shtëpiak.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi, kërkoi që të kihet kujdes me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor që administrohet nga ekipet mobile.

“Në zgjedhjet e fundit kemi pasë votime edhe përtej orarit të paraparë... Kërkoj që të jeni në kontakt me zyrtarët komunalë që ata t’i krijojnë me kohë ekipet mobile, ekipet që do të merren me këtë proces votimi në mënyrë që të mbyllen në kohën e paraparë”, ka thënë ai.

Rezultati me kohë

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, KQZ-ja dështoi që t’i publikojë në kohë rezultatet preliminare.

E sqarime lidhur me përgatitjet e bëra për ta shmangur përsëritjen e kësaj situate edhe më 12 tetor ka kërkuar anëtari i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, Sami Kurteshi.

“A keni ndonjë shenjë, ndonjë element që ju bën me dyshu ose që mundet me paraqitë probleme nesër për nxjerrjen e rezultateve preliminare qysh na ka ngja në shkurt 2025? Sa është garancia e madhe?”, e ka pyetur ai ushtruesin e detyrës së kryeshefit të KQZ-së, Besnik Buzhala.

“Shpresojmë që mos me ndodhë ajo që ka ndodhë më 9 shkurt, por angazhimi i stafit në këta 3 muajt e fundit ka qenë jashtëzakonisht i madh, i stafit profesional që është marrë me zhvillimin e rezultateve për zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër”, është përgjigjur Buzhala.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve për kryetarë të komunave dhe të subjekteve politike duhet të bëhet në vendvotim, pasi të përfundojë procesi i votimit.

Zëdhënësi Elezi ka bërë të ditur se KQZ-ja ka bërë përgatitjet që më 12 tetor të publikohen rezultatet preliminare të kandidatëve për kryetarë të komunave dhe të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale. Ndërkaq, gjatë zhvillimit të procesit të votimit, në orare të caktuara është planifikuar të publikohen edhe të dhëna për pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje, për secilën komunë, qendër votimi dhe vendvotim.

Apeli i Radoniqit

Një ditë para zgjedhjeve, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka përcjellë një mesazh për qytetarët. Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe të shprehin lirshëm vullnetin e tyre demokratik.

“Ftojmë të gjithë qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe demokratike: të votojnë dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Pjesëmarrja juaj është e një rëndësie të veçantë, andaj ju bëjmë thirrje të bëheni pjesë e këtij procesi”, ka deklaruar Radoniqi.

Ai ka apeluar për përgjegjësi dhe profesionalizëm nga të gjithë anëtarët e këshillave të vendvotimeve.

“Ju bëjmë thirrje që të veproni me përgjegjësi, profesionalizëm dhe paanshmëri, duke respektuar në përpikëri procedurat ligjore dhe rregullat zgjedhore, në mënyrë që vullneti i qytetarëve të garantohet dhe të mbrohet plotësisht”, ka thënë ai.

Në mesazhin e tij, kryetari i KQZ-së nënvizoi se institucioni që e udhëheq po bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit, për të garantuar një proces të qetë, të drejtë dhe të sigurt në të gjitha komunat e vendit.

Kamera gjithkund

Përveç KQZ-së, në ditën e zgjedhjeve dhe për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pritet të angazhohen edhe institucionet e ndryshme, siç janë Policia, Prokuroria e Shtetit, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Këshilli Gjyqësor dhe Komisioni i Pavarur i Mediave.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se një nga masat e drejtpërdrejta që është ndërmarrë për ruajtje të integritetit zgjedhor, është vendosja e kamerave regjistruese në çdo vendvotim. Ai ka thënë se kjo është bërë në 38 Qendrat Komunale të Numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

“Vendosja e kamerave regjistruese bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit zgjedhor të procesit të votimit dhe numërimit të fletëvotimeve”, ka thënë Elezi.

E, Policia ka bërë të ditur se ka bërë përgatitjet dhe planifikimet lidhur me zgjedhjet e së dielës.

Sipas Policisë, për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, do të angazhohet një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, të përfshirë në njësite të ndryshme.

Policia ka marrë masa shtesë duke caktuar koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet e tjera të angazhuara, si dhe duke hartuar udhëzues për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë ligjore gjatë procesit zgjedhor.

“Qëllimi kryesor i këtij urdhri operativ është krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për qytetarët, mbajtja e rendit dhe sigurisë publike, si dhe sigurimi i Qendrave të Votimit, Këshillave Komunale, depove zgjedhore dhe materialit sensitiv”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ky institucion gjithashtu ka apeluar te drejtuesit e subjekteve zgjedhore dhe qytetarët që për çdo informacion të dyshuar lidhur me sigurinë e procesit të njoftojnë institucionet kompetente përmes linjës 192, emailit [email protected] ose në stacionet më të afërta policore, në mënyrë që të ndërmerren masat ligjore menjëherë.

Sipas të dhënave të KQZ-së, janë gjithsej 2 milionë e 69 mijë e 98 qytetarë me të drejtë vote për zgjedhjet lokale, prej të cilëve 43 mijë e 933 janë të regjistruar nga diaspora.

Lexo përditësimet tjera
Vota - zgjedhjet 2025

LIVE: Kosova voton për udhëheqësit e komunave