Ajet Avdili ka 37 vjet që jeton e punon në Zvicër dhe këtë përvojë synon ta bartë edhe në Novobërdë, në rast se fiton besimin e qytetarëve.
Kandidati i AAK-së, në emisionin “Zgjedhjet në Kohë – Debati për Novobërdën”, ka thënë se ka hartuar program të detajuar me ekspertë të fushës.
Por baza e programit, siç ka thënë, është përvoja dhe lidhjet që ka me Zvicrën.
“Vijë nga mërgimi, 37 vjet i kam kaluar në Zvicër. Si pikë e parë do të sjelli një kulturë sociale nga atje, pastaj kulturë menaxheriale, nuk mund ta zbatojmë të gjithën në Kosovë, por një pjesë po. Do të sjell edhe një kulturë intelektuale. Nga to që kam marrë nga mërgimi, kësaj here po provoj me i sjell në Kosovë”, ka thënë Avdili.
Ai është ndalur te Kalaja e Novobërdës si një prej atraksioneve më të mëdha për vizitorët në gjithë vendin.
“Kemi rastin e Kalasë së Novobërdës, si ta bëjmë kalanë atraktive për vizitorë edhe nga vendi jonë, por edhe nga jashtë. E bëjmë nëse e hartojmë projektin mirë, nëse dimë më definu dhe dimë me i dhënë rrugëzgjidhje atij projekti dhe për të kërkuar donacione. Nuk bëhet kalaja vetëm me mjete të komunës së Novobërdës, por do të bëhet edhe më investime të Qeverisë dhe me donacione. Këtë mund ta bëjë, kam lidhje atje (Zvicër v.j.), me deputetë e parti, e kam këtë përvojë”, ka deklaruar Avdili.
Ai ka folur edhe për projekte të tjera dhe ka theksuar se organi mbikëqyrës duhet të luajë rol më të madh, kur bëhet fjalë për zbatim të projekteve.
