Zgjedhjet lokale

Kandidatët e PDK-së për kryetarë të komunave ua kushtojnë ditën grave

PDK - Prishtinë

Kandidatët e Partisë Demokratike për kryetarë komunash, ditën e katër të fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, ua kanë kushtuar grave. 

Në Gjilan, takim me vajzat e gratë ka zhvilluar kandidati i kësaj aprtie për kryetar të komunës, Riad Rashiti. 

E pranishme ishte edhe sekretarja e PDK-së Vlora Çitaku e cila në formë të një këshille miqësore për Rashitin, ka thënë se duhet dëgjuar kërkesat e grave, pasi sipas saj, ato janë në të vërtetë kërkesat e komunitetit. 

“Kërkesat e grave nuk janë kërkesa luksi, të kërkosh çerdhe për fëmijë - nuk është luks, të kërkosh që të kesh ndriçim nëpër rrugë - nuk është luks, në mënyrë që ne të ndihemi të sigurta tek shkojmë në shkolla, puna a shtëpi – nuk është luks, të ecësh pa frikën e qenve endacak – nuk është luks. Gruaja kur bënë kërkesa karshi pushtetit, asnjëherë nuk i bënë veç si grua, i bënë edhe si nënë, si motër, si bashkëshorte. Ke parasysh që kërkesat e grave janë kërkesat e komunitetit”, ka thënë Çitaku. 

Në takim janë prezantuar edhe 14 kandidatet për asambliste që janë pjesë e listës së PDK-së për zgjedhjet për Kuvend Komunal.

E, Rashiti ka premtuar se 2 për qind e buxhetit vjetor të komunës do ta ndajë për fuqizimin e grave, në rast se merr besimin për kryetar të Gjilanit. 

“Deri sot jo vetëm Gjilani, por asnjë komunë e Kosovës nuk ka pasur buxhet të ndarë, linjë e veçantë e buxhetit për hratë dhe unë në programin tim i kam 2% e buxhetit të përgjithshëm të Komunës së Gjilanit, vjetor që është, të destinuara për fuqizimin e gruas. Vlera e 2 përqindëshit të buxhetit është 800 mijë euro çdo vit të cilat do jenë të destinuara për projektet e gruas në Gjilan. Për katër vite 3.2 milionë euro do jenë të destinuara për fuqizimin e gruas në Gjilan”, ka thënë Rashiti. 

Ai po ashtu është zotuar se do prezantojë skemë subvencionimi për prindërit që i dërgojnë fëmijët në çerdhet private. 

“Do të ketë subvencionim 75 euro në muaj për çdo fëmijë që nuk mund të sistemohet në çerdhet publike por që do të shkoj në çerdhet private. Ky është një lehtësim jashtëzakonisht i madh sepse hapësirat, apo vendet në çerdhet publike janë të kufizuara”, ka deklaruar Rashiti.

E në Mitrovicë të Jugut, kandidati i PDK-së për kryetar komune Arian Tahiri, njëherësh nënkryetar në mandatin aktual, ka thënë se, nëse e merr pushtetin, do të angazhohet drejt mundësive të barabarta, si për burrat, ashtu edhe për gratë. 

“Si kryetar i ardhshëm, unë do të angazhohem për krijimin e mundësive të reja për gratë në Mitrovicë, duke ofruar trajnime profesionale, mundësi punësimi dhe mbështetje për bizneset e reja të tyre. Së bashku me Nafije Rexhën si asambliste dhe tërë ekipin tim, do të sigurojmë që gratë në Mitrovicë ta kenë vendin që meritojnë, të kenë mundësi të barabarta dhe të kontribuojnë në zhvillimin e qytetit tonë”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

E në kryeqytet, Uran Ismaili, si premtim ka dhënë përmirësimin e sigurisë publike. 

“Nuk ka vend në kryeqytet për rrugë të errëta e të pasigurta! Vajzat dhe gratë e Prishtinës meritojnë më mirë! Kjo është zgjidhja jonë për një Prishtinë me rrugë të sigurta 24/7: 1,000 rrugë shtesë me ndriçim; 450 km trotuare të reja; Trajtim human të 5,000 qenve endacakë; 200 oficerë të trajnuar të sigurisë nëpër shkolla”, ka shkruar Ismaili në Facebook. 

Takim me gratë, të martën, ka zhvilluar edhe kandidati për kryetar të Kaçanikut, Sabedin Vishi.


Totaj: Puna jonë 4-vjeçare po shihet kudo

Kandidati për kryetar të Prizrenit nga radhët e PDK-së, Shaqir Totaj, përmes disa postimeve në Facebook, ka prezantuar disa nga punët që thotë se janë kryer gjatë mandatit të tij.

“Në kuadër të investimeve nga Drejtoria Komunale e Arsimit dhe Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në SHFMU “Vëllezërit Frashëri” në Planejë të Hasit janë realizuar punime të rëndësishme në infrastrukturën shkollore. Gjatë kësaj faze të investimeve është bërë: Lyerja e brendshme e objektit shkollor; Renovimi i fasadës së jashtme; Rregullimi i oborrit të shkollës me hapësira të gjelbra dhe elemente betony; Ndërtimi i terrenit të kompletuar sportiv”, ka shkruar mes tjerash Totaj.

Sipas Totajt, puna e tij 4-vjeçare po shihet kudo.

“Puna jonë 4-vjeçare po shihet kudo! E kthyem besimin e qytetarëve se mund të punohet mirë dhe drejt! Qytetarët po e vlerësojnë dhe po u besojnë më shumë punëve sesa fjalëve. Prandaj, sot kërkojmë besimin qytetar për një mandat të dytë – për punët e mira që i kemi përfunduar dhe projektet e mëdha që do t’i prezantojmë për Prizrenin modern”, ka shkruar Totaj në një tjetër postim në Facebook.

Tutje, kryetari aktual i Prizrenit si një nga projektet që i realizoi gjatë mandatit të tij është edhe zhbllokimi i Tranzitit të ri.

“Nga zotimi në punë. Pas 15 vjetësh e zhbllokuam Tranzitin e ri, ndërsa e lidhëm një pjesë të qytetit me Autostradën. Projekte të mëdhaja e transformuese për qytetin na presin në 4 vitet e ardhshme”, shkroi Totaj në Facebook.

Totaj, mbrëmjen e së martës njoftoi se ka vizituar disa nëndegë të partisë në Prizren.


 

Lexo përditësimet tjera
Zgjedhjte 2025

Dita e katërt e fushatës