Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet lokale

Kandidatë të LVV-së i marrin merita për punë të Qeverisë, kryetarët prezantojnë projekte në fund mandati

Hajrulla Çeku

Në ditët e parafundit të fushatës, kandidatët e LVV-së kanë përuruar projekte, nisur punime e nënshkruar kontrata që kryesisht burojnë nga niveli qendror. Disa prej këtyre investimeve, si kompleksi sportiv në Prishtinë, rruga Lipjan-QMI apo restaurimi i Xhamisë së Madhe në Ferizaj, janë prezantuar nga kandidatët pa qenë ende kryetarë komunash. Në disa komuna si Shtime e Podujevë, kandidatët aktualë kanë shfrytëzuar fundin e mandatit për të promovuar projekte të reja

Ditën e parafundit të fushatës zgjedhore, kryetarë dhe kandidatë të Vetëvendosjes për qeverisje lokale e kaluan duke inauguruar projekte, nisur punime të reja e nënshkruar kontrata për investime me nivelin qendror. Në Prishtinë, kandidati Hajrulla Çeku, e përuroi fillimin e punimeve të fazës së dytë për ndërtimin e kompleksit sportiv-stërvitor të “FC Prishtina” në Bernicë, punë kjo që është nisur prej tij në cilësinë e detyrës së ministrit të Kulturës.

“Po besoj e dini që përveç obligimeve kontraktuale, se këto janë para të qytetarëve, e kemi edhe një obligim të madh se fjala është për Prishtinë”, ka thënë Çeku.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në Lipjan, kandidati i LVV-së për kryetar komune, Ilir Qeriqi, e prezantoi nënshkrimin e kontratës nga Ministria e Infrastrukturës për ndërtimin e rrugës Lipjan-QMI, në vlerë prej 6.9 milionë eurosh.

“Kjo rrugë pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin dhe të zvogëlojë kolonat e gjata që kanë qenë një problem i vazhdueshëm për qytetarët. Me nisjen e këtij projekti, fundi i pritjeve të gjata në trafik është më afër se kurrë”, ka thënë Qeriqi.

Promovim për nënshkrimin e kontratës nga Ministria e Kulturës për restaurimin e Xhamisë së Madhe “Mulla Vesel Guta”, me vlerë 1.3 milion euro bëri edhe kandidati i LVV-së për kryetar komune në Ferizaj, Enver Haliti.

“Si propozues i amendamenteve për restaurimin e objekteve të trashëgimisë në Ferizaj, u gëzova me lajmin e mirë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit se është nënshkruar kontrata për restaurimin e Xhamisë së Madhe “Mulla Vesel Guta”, në vlerë prej 1,339,558.50 Euro, me afat 2 vjeçar për realizim të punëve”, ka thënë Haliti.

E në Dragashin, kandidati Filiz Mustafa, e kumtoi lajmin për nënshkrimin e një tjetër kontrate nga Ministria e Kulturës për fillimin e punimeve në ndërtimin e qendrës multifunksionale në këtë komunë, me një investim prej rreth 1 milion euro.

“Shpejt do të nisin edhe punimet. Faleminderit ministër e kryetar i ardhshëm i Kryeqytetit Hajrulla Çeku për angazhimin”, është shprehur Mustafa.

Punë të Qeverisë promovoi edhe kandidati për Kaçanikun, Jeton Raka, teksa ka vizituar zonën e punimeve në rreth-rrotullimin Doganaj–Glloboçicë. Aty ai tha se pas 12 tetorit do të vazhdojë me projekte konkrete e shumë të nevojshme.

E në Fushë-Kosovë, kandidati për kryetar Valon Prebreza e përuroi lëshimin e ujit të pijshëm për 400 familje në Miradi të Epërme.

“Jemi tek rezervuari i cili do të furnizojë Miradinë e Epërme me ujë të pijshëm nga Liqeni i Badovcit. Rezervuari ka kapacitetin prej 150 metrash kub e i cili do të furnizojë më shumë se 400 familje të Miradisë. Sot po e bëjmë lëshimin zyrtarisht”, ka thënë ai.

Në Shtime, kryetari Qemajl Aliu që është në fund të mandatit, i nisi punimet për rregullimin e Varrezave të Dëshmorëve të Shtimes. Njësoj edhe kryetari e kandidati për Podujevën, Shpejtim Bulliqi, nisi një projekt për mbjelljen e drunjve në oborret e shkollave. Tha se do të mbillen 1700 sosh.

Fushatën me premtime për investime e kanë vazhduar edhe kandidatë të tjerë të LVV-së. Ai për kryetar të Vitisë, Arsim Ademi, ka shpalosur programin e tij për Kulturën dhe Sportin në këtë komunë. Ademi ka thënë se do të funksionalizohet Teatri i qytetit, do të mbështeten me subvencione grupet artistike e do të bëhet mbrojtja e objekteve të trashëgimisë kulturore. E për Sportin, u shpreh se do të bëhet përfundimi i palestrës sportive në Dobresh, ndërtimi i tribunave në tri stadiume, ndërtimi i qendrës multifunksionale dhe rehabilitimi i fushave sportive nëpër fshatra.

Në Deçan, kandidati Faton Selmanaj, pas një vizite në fshatin Dubravë ka theksuar problemet e këtij vendbanimi i cili sipas tij, për vite të tëra është lënë në harresë nga pushteti lokal. Ka thënë se me qeverisjen e tij do të zgjidhet problemi i ujit të pijes, kanalizimit të ujërave të zeza, ndriçimit publik të pamjaftueshëm dhe rrjetit elektrik që sipas tij, është në gjendje të rëndë e në disa zona paraqet edhe rrezik për banorët.

Lexo përditësimet tjera
Zgjedhjet

Dita e 28-të e fushatës