Zgjedhjet lokale

Haliti premton çerdhe japoneze në Ferizaj e Gola investime për bujqësi e turizëm në Gjakovë

Enver Haliti

Kandidati i LVV-së për kryetar të Ferizajt, Enver Haliti, ka premtuar ndërtimin e një çerdheje rrethore japoneze dhe çerdhe të tjera në fshatrat e komunës. Në Gjakovë, Ardian Gola ka premtuar shfrytëzimin e ujit të Drinit të Bardhë për turizëm dhe bujqësi, ndërsa në Prizren, kandidati Artan Abrashi është zotuar për qeverisje ndryshe. Premtime për kulturë, sport, shëndetësi dhe për luftimin e keqpërdorimeve kanë dhënë edhe kandidatët në Viti, Pejë dhe Lipjan

Një çerdhe rrethore japoneze dhe një tjetër të modeleve inovative ka premtuar se do t’i ndërtojë në qytetin e Ferizajt kandidati për kryetar komune nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Enver Haliti. 

Krahas tyre, Haliti është zotuar se në rast se del fitues në zgjedhjet lokale të 12 tetorit do të ndërtojë edhe shtatë çerdhe të tjera nëpër fshatrat e komunës.

Për çerdhen rrethore japoneze, ai gjatë fushatës elektorale të së mërkurës ka thënë se do të shtrihet në një sipërfaqe prej 3 mijë e 400 metrash katrorë dhe do të ketë kapacitet për të pranuar 294 fëmijë. Tek e ka shpalosur planin e objektit, Haliti ka thënë se në të do të ketë edhe oborr, si dhe rrugë të brendshme rrethore.

“Në katin e parë zhvillohen aktivitete edukative nëpër klasa, ku gjenden edhe dhomat e fjetjes, ordinanca, tualetet, gardëroba, administrata dhe dhoma e pritjes. Ndërsa në katin e dytë janë dhomat e lodrave, të shkencës, mini- parku botanik, dhomat e qëndrimit, të ushqimit, korridori me pamje nga oborri i brendshëm”, ka thënë ai.

Kjo çerdhe, Haliti ka thënë se do të ndërtohet te parku i çerdhes së vjetër në Ferizaj, ndërkaq të tjerat do të ngrihen për zona të fshatrave. 

“Me programin tonë qeverisës, çerdhja model do të ndërtohet te parku i çerdhes së vjetër në rr. ‘Ramadan Rexhepi’. Krahas objektit të çerdhes që po ndërtohet afër Qendrës së Kompetencës me fondet e qeverisë, çerdhe të modeleve inovative do të ndërtojmë edhe në rrugën ‘Driton Islami’ në qytet, dhe 7 të tjera për zonat e fshatrave Neredime-Manastirc-Balaj, Pleshinë-Zaskok, Lloshkobare me fshatrat përreth, Nikadin-Varosh, Komogllavë-Fshat i Vjetër, Dardani-Zllatar-Mirosalë dhe Talinoc i Jerlive me fshatrat përreth”, ka theksuar Haliti në një videospot të publikuar në Facebook.
E Ardian Gola, i cili është kandidat i Vetëvendosjes për kryetar në Gjakovë, është zotuar që në rast se zgjidhet në krye të komunës do të bëjë investime të cilat do të sigurojnë që uji nga lumi Drini i Bardhë të shfrytëzohet për turizëm dhe për bujqësi. 

“Ne synojmë që potencialin ujor të këtij lumi, ta shfrytëzojmë si potencial bujqësor e turistik, për shkak se pasuria tepër e madhe e florës dhe faunës e bën tepër të përshtatshme për ta shfrytëzuar si potencial të tillë”, ka thënë Gola.

E në Prizren, kandidati për kryetar, Artan Abrashi, ka premtuar se komunës do t’i sjellë një qeverisje të re dhe ndryshe prej kësaj aktuale. 

“Ka ardhur koha ta ndryshojmë këtë gjendje, të sjellim një qeverisje të re. Dhe, unë po premtoj dhe po zotohem sot para jush, që do ta keni përkujdesjen time maksimale”, ka thënë ai.
Në Viti, Arsim Ademi, i cili e synon postin e kryetarit të komunës, ka premtuar investime në kulturë dhe sport.

“Një qendër multifunksionale që e ka rolin e shtëpisë së kulturës, si ajo që është afër qytetit, por që do të jetë në fshatin Pozheran dhe do të bëhet revitalizimi i këtyre stadiumeve të tanishme të futbollit, do të bëhet rregullimi i tribunave”, ka thënë Ademi.

Ai është zotuar edhe për përfaqësimin e grave në nivelin lokal, si dhe mundësi të barabarta në punësim dhe në vendimmarrje. 

“Të krijojmë një Viti që zëri i grave nuk është vetëm i dëgjuar, por edhe vendimtar për të ardhmen e komunës sonë”, ka shkruar ai në Facebook, pas takimit me gra e vajza të fshatit Vërban.

Ilir Qeriqi, i cili është kandidat i LVV-së për kryetar në Lipjan, ka paralajmëruar se në ditët e para të mandatit do t’u drejtohet organeve të rendit për t’i adresuar keqpërdorimet që ai pretendon se i ka bërë me pronat publike kundërkandidati i tij nga Lidhja Demokratike (LDK), Imri Ahmeti, e i cili në zgjedhjet e 12 tetorit garon për ta siguruar edhe një mandat si kryetar komune. 

“Lipjani ka pasur dhe ka shumë prona me potencial të lartë ekonomik, por në shumicën e rasteve këto prona nuk janë dhënë në interes të qytetarëve, por në interes të klaneve dhe shokëve të Imri Ahmetit. Këto keqpërdorime dhe shumë të tjera do t’i adresojmë tek organet e rendit qysh në ditët e para të mandatit tonë. Pronat publike janë të publikut për interes të pronës së përgjithshme. Ato nuk mund dhe nuk do të përdoren asnjëherë për interesa të ngushta”, ka theksuar Qeriqi.

E kandidati për kryetar komune në Pejë, Taulant Kelmendi, është zotuar se gjatë qeverisjes së tij qytetarët do të kenë shërbime më cilësore të shëndetit primar, nëpërmjet platformës së re për evidentimin e pacientëve. Ai ka bërë zotim se qytetit do t’i sigurojë mamografi mobile, ndërsa ka premtuar edhe kontrolle sistematike nisur nga shkollat, lagjet dhe fshatrat e komunës.

Lexo përditësimet tjera
zgjedhjet

Dita e 12-të e fushatës