Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së 12-të të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave? Në cilat komuna kanë qenë liderët e partive e çfarë kanë premtuar ata?

Tahiri: Do të jem kryetar i terrenit e i zgjidhjes së problemeve

1 muaj më parë / 24 sht 2025 22:48
Arian Tahiri

Kandidati për kryetar të Komunës së Mitrovicës nga PDK-ja Arian Tahiri, gjatë një takimi me qytetarë, ka thënë se do të jetë kryetar i terrenit dhe i zgjidhjes së problemeve.

“Sa herë që flas me qytetarët e Mitrovicës, flas si njëri prej tyre, si djalë i këtij qyteti që e do dhe e njeh mirë. Unë do të jem kryetar i terrenit, i realitetit dhe i zgjidhjes së problemeve të përditshme të qytetarëve tanë. Sepse, Mitrovicën e duam më së shumti, atëherë kur punojmë shumë për të.”, ka shkruar Tahiri në një postim në rrjetin e tij social Facebook.

Gjatë ditës, kandidati Tahiri ka zhvilluar disa takime me përfaqësues të bizneseve në këtë qytet.

Cana kritikon qeverisjen në Rahovec. Ismaili premton barazi gjinore në kabinetin e Prishtinës

1 muaj më parë / 24 sht 2025 22:21 Nga: Rrezon Gashi
Edon Cana

Me përurim punësh dhe me nisje projektesh të reja e kanë vazhduar fushatën elektorale kandidatët e Partisë Demokratike (PDK) që synojnë vazhdimin e mandateve në komunat që i udhëheqin. E, në të tjera janë dhënë premtime për të bërë ndryshime.

Në Prizren, kryetari aktual Shaqir Totaj, i cili garon për mandat të dytë në krye të komunës, ka njoftuar për fillimin e punimeve në shtegun drejt Kalasë së qytetit. Ai ka thënë se përgjatë katër kilometrave do të mbillen drunj, do të vendosen ndriçim i ri publik, shporta dhe ulëse për vizitorët.

“Filluan punimet për transformimin e shtegut të pasmë të këmbësorëve drejt Kalasë së Prizrenit (4km), ku do të mbillen drunj e do të vendosen ndriçim i ri publik, shportat dhe ulëset për vizitorët – infrastrukturë e kushte moderne për vizitorët e shumtë të këtij shtegu, që janë vendës e turistë”, ka thënë Totaj.

Ai ka premtuar edhe investime në kulturë dhe sport gjatë mandatit që po e përfundon.

“Një nga prioritetet ka qenë jeta kulturore dhe sportive. E kemi rritur dukshëm për jetën kulturor, për festivalet, si dhe për klubet sportive. E kemi rinovuar Qendrën Sportive ‘Sezai Surroi’, e kemi rinovuar teatrin ‘Bekim Fehmiu’ dhe e gjitha nuk do mund të bëhej pa përkrahjen e shoqërisë civile dhe organizatave, të cilat i falënderoj për përkushtimin dhe punën që e kanë bërë”, ka theksuar Totaj.

Në Fushë-Kosovë, kandidati për kryetar, Rrahim Tërnava, ka prezantuar projektin për hapësirën multifunksionale te Stacioni i Trenit, të cilin ka thënë se do ta kombinojë me gjelbërim.

“Hapësira është e pasuruar me drunj dekorativë, shkurre dhe lule, të cilat krijojnë një ambient natyror dhe relaksues. Janë përdorur pemë me hije të dendur për të siguruar freski gjatë verës dhe për ta bërë hapësirën më të shfrytëzueshme gjatë gjithë vitit. Një dizajn i kujdesshëm i shëtitoreve dhe ndriçimit publik siguron funksionalitet edhe në orët e mbrëmjes. Në të dy anët e sheshit janë të vendosura lokale afariste moderne, me hapësira për kafene, restorante apo shërbime të tjera. Fasadat e tyre janë të dizajnuara me një stil bashkëkohor minimal, duke ruajtur harmoni me gjelbërimin përreth. Para lokaleve është menduar një hapësirë e bollshme për tavolina në ambient të hapur, duke krijuar një atmosferë sociale dhe atraktive. Në mes ndodhet një shesh pedonal me kalldrëm modern, i rrethuar me pemë dekorative dhe ndriçim urban elegant. Hapësira është e përshtatshme për ecje, pushim, aktivitete kulturore apo evente komunitare. Elementi i mureve dekorative me motive tradicionale dhe ngjyra të gjalla jep një identitet të veçantë vizual, duke kombinuar artin dhe arkitekturën”, ka thënë Tërnava.

E Riad Rashiti, kandidati i PDK-së për kryetar të Gjilanit, është zotuar se do të ndajë 420 mijë euro për projektet e OVL-UÇK-së gjatë katër vjetëve të ardhshëm.

“Me përkushtim të plotë ndaj historisë sonë të lavdishme dhe respekt të thellë për sakrificën e dëshmorëve të kombit, kemi paraparë ndarjen e 420 mijë eurove për projektet e OVL-UÇK-së gjatë katër vjetëve të ardhshëm. Vetëm për vitin 2026, buxheti i dedikuar do të jetë 180 mijë euro, i cili do të investohet në: Finalizimin e projektit të Varrezave të Dëshmorëve; Mirëmbajtjen e shtatoreve dhe përmendoreve të dëshmorëve të kombit; Shpronësimin e tokave ku ndodhen përmendoret e dëshmorëve; Krijimin e një zyre të OVL-UÇK-së në kuadër të kabinetit të kryetarit të Komunës”, ka thënë ai.

Në Prishtinë, Uran Ismaili, i cili kandidon për herë të dytë për kryetar, ka premtuar barazi gjinore në kabinetin komunal.

“Në qeverisjen tonë gratë dhe burrat do të jenë të përfaqësuar 50% me 50%. Të paktën, minimumin duhet ta vendosim që në qeverisje me qenë 50-50, është shumë me rëndësi ta çojmë sinjal për të gjitha qeverisjet dhe të gjithë shoqërinë 50-50 duhet të jetë normë. Përpos departamenteve që do të jenë 50-50, edhe buxhetimi do të jetë gjinor”, ka deklaruar Ismaili.

Në Rahovec, kandidati për kryetar, Edon Cana, ka kritikuar qeverisjen aktuale komunale. 

“Pa vizion, i themi ne ‘pal e val’ – shkel e shko. Një njeri që është ‘shkel e shko’ – ‘pal e val’ për një punë, për krejt punët është njëjtë... Unë çuditem që ne në 2025-n bisedojmë për ujë, kanalizim, rrugë, të gjitha këto. Nga një komunë që ka mbi njëzet milionë euro borxhe, edhe 20 milionë euro të tjera i ka kontraktuar në 6 muajt e fundit për asfalt edhe çuditërisht vetëm me një kompani, edhe rastësisht – e Deçanit”, ka thënë Cana.

E Arta Vokshi-Nallbani, e cila është kandidate e PDK-së për kryetare të Pejës, fushatën e së mërkurës e ka fokusuar në bujqësi.

Haliti premton çerdhe japoneze në Ferizaj e Gola investime për bujqësi e turizëm në Gjakovë

1 muaj më parë / 24 sht 2025 22:06 Nga: Marigona Brahimi
Enver Haliti

Një çerdhe rrethore japoneze dhe një tjetër të modeleve inovative ka premtuar se do t’i ndërtojë në qytetin e Ferizajt kandidati për kryetar komune nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Enver Haliti. 

Krahas tyre, Haliti është zotuar se në rast se del fitues në zgjedhjet lokale të 12 tetorit do të ndërtojë edhe shtatë çerdhe të tjera nëpër fshatrat e komunës.

Për çerdhen rrethore japoneze, ai gjatë fushatës elektorale të së mërkurës ka thënë se do të shtrihet në një sipërfaqe prej 3 mijë e 400 metrash katrorë dhe do të ketë kapacitet për të pranuar 294 fëmijë. Tek e ka shpalosur planin e objektit, Haliti ka thënë se në të do të ketë edhe oborr, si dhe rrugë të brendshme rrethore.

“Në katin e parë zhvillohen aktivitete edukative nëpër klasa, ku gjenden edhe dhomat e fjetjes, ordinanca, tualetet, gardëroba, administrata dhe dhoma e pritjes. Ndërsa në katin e dytë janë dhomat e lodrave, të shkencës, mini- parku botanik, dhomat e qëndrimit, të ushqimit, korridori me pamje nga oborri i brendshëm”, ka thënë ai.

Kjo çerdhe, Haliti ka thënë se do të ndërtohet te parku i çerdhes së vjetër në Ferizaj, ndërkaq të tjerat do të ngrihen për zona të fshatrave. 

“Me programin tonë qeverisës, çerdhja model do të ndërtohet te parku i çerdhes së vjetër në rr. ‘Ramadan Rexhepi’. Krahas objektit të çerdhes që po ndërtohet afër Qendrës së Kompetencës me fondet e qeverisë, çerdhe të modeleve inovative do të ndërtojmë edhe në rrugën ‘Driton Islami’ në qytet, dhe 7 të tjera për zonat e fshatrave Neredime-Manastirc-Balaj, Pleshinë-Zaskok, Lloshkobare me fshatrat përreth, Nikadin-Varosh, Komogllavë-Fshat i Vjetër, Dardani-Zllatar-Mirosalë dhe Talinoc i Jerlive me fshatrat përreth”, ka theksuar Haliti në një videospot të publikuar në Facebook.
E Ardian Gola, i cili është kandidat i Vetëvendosjes për kryetar në Gjakovë, është zotuar që në rast se zgjidhet në krye të komunës do të bëjë investime të cilat do të sigurojnë që uji nga lumi Drini i Bardhë të shfrytëzohet për turizëm dhe për bujqësi. 

“Ne synojmë që potencialin ujor të këtij lumi, ta shfrytëzojmë si potencial bujqësor e turistik, për shkak se pasuria tepër e madhe e florës dhe faunës e bën tepër të përshtatshme për ta shfrytëzuar si potencial të tillë”, ka thënë Gola.

E në Prizren, kandidati për kryetar, Artan Abrashi, ka premtuar se komunës do t’i sjellë një qeverisje të re dhe ndryshe prej kësaj aktuale. 

“Ka ardhur koha ta ndryshojmë këtë gjendje, të sjellim një qeverisje të re. Dhe, unë po premtoj dhe po zotohem sot para jush, që do ta keni përkujdesjen time maksimale”, ka thënë ai.
Në Viti, Arsim Ademi, i cili e synon postin e kryetarit të komunës, ka premtuar investime në kulturë dhe sport.

“Një qendër multifunksionale që e ka rolin e shtëpisë së kulturës, si ajo që është afër qytetit, por që do të jetë në fshatin Pozheran dhe do të bëhet revitalizimi i këtyre stadiumeve të tanishme të futbollit, do të bëhet rregullimi i tribunave”, ka thënë Ademi.

Ai është zotuar edhe për përfaqësimin e grave në nivelin lokal, si dhe mundësi të barabarta në punësim dhe në vendimmarrje. 

“Të krijojmë një Viti që zëri i grave nuk është vetëm i dëgjuar, por edhe vendimtar për të ardhmen e komunës sonë”, ka shkruar ai në Facebook, pas takimit me gra e vajza të fshatit Vërban.

Ilir Qeriqi, i cili është kandidat i LVV-së për kryetar në Lipjan, ka paralajmëruar se në ditët e para të mandatit do t’u drejtohet organeve të rendit për t’i adresuar keqpërdorimet që ai pretendon se i ka bërë me pronat publike kundërkandidati i tij nga Lidhja Demokratike (LDK), Imri Ahmeti, e i cili në zgjedhjet e 12 tetorit garon për ta siguruar edhe një mandat si kryetar komune. 

“Lipjani ka pasur dhe ka shumë prona me potencial të lartë ekonomik, por në shumicën e rasteve këto prona nuk janë dhënë në interes të qytetarëve, por në interes të klaneve dhe shokëve të Imri Ahmetit. Këto keqpërdorime dhe shumë të tjera do t’i adresojmë tek organet e rendit qysh në ditët e para të mandatit tonë. Pronat publike janë të publikut për interes të pronës së përgjithshme. Ato nuk mund dhe nuk do të përdoren asnjëherë për interesa të ngushta”, ka theksuar Qeriqi.

E kandidati për kryetar komune në Pejë, Taulant Kelmendi, është zotuar se gjatë qeverisjes së tij qytetarët do të kenë shërbime më cilësore të shëndetit primar, nëpërmjet platformës së re për evidentimin e pacientëve. Ai ka bërë zotim se qytetit do t’i sigurojë mamografi mobile, ndërsa ka premtuar edhe kontrolle sistematike nisur nga shkollat, lagjet dhe fshatrat e komunës.

Krasniqi: Kaçaniku, bastion i pathyeshëm i PDK-së

1 muaj më parë / 24 sht 2025 22:01
m

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, ka vizituar Kaçanikun prej nga i ka shprehur mbështetje kandidatit për kryetar të kësaj komune, Sabedin Vishit.

Sipas Krasniqit, Kaçaniku është bastioni i pathyeshëm i PDK-së.

“Kaçaniku, bastioni i pathyeshëm i PDK-së, ka dëshmuar për 26 vite se fjala e dhënë ka vlerë vetëm kur mbahet. Besim Ilazi e ka udhëhequr me dinjitet komunën dhe sot i hap rrugë një pasardhësi të denjë, Sabedin Vishit. Sabedini, si profesor dhe përfaqësues i qytetarëve, vjen sot si kandidat i përgatitur me vizion, energji dhe përvojë për një të ardhme edhe ma të mirë.”, ka shkruar Krasniqi në facebook.

Latifi premton 1 milion euro për agroturizëm në Rahovec. Bislimi t’i japë fund kaosit në Viti

1 muaj më parë / 24 sht 2025 21:09 Nga: Arianita Hoti
Smajl Latifi

Me zotimin për investim prej 1 milion eurosh në agroturizëm, kryetari aktual i Rahovecit, Smajl Latifi, i cili e synon edhe një mandat, ka thënë të mërkurën se do ta zhvillojë potencialin e bujqësisë në këtë komunë.

Ai ka thënë se me këto investime do të gjenerojë përfitime afatgjata për qytetarët dhe për ekonominë vendore.

“Do t’i identifikojmë zonat me potencial pranë vreshtave tona dhe do të ndërtojmë infrastrukturën e nevojshme, do të mbështesim ndërmarrësit tanë me bashkëfinancim. Traditën tonë, zemërgjerësinë tonë, do ta kthejmë në pako agroturizmi për turistë. Kjo do të krijojë vende pune dhe të ardhura për familjet, duke e bërë Rahovecin një destinacion turistik”, ka theksuar Latifi.

E në Viti, kandidati i AAK-së për kryetar komune, Labinot Bislimi, ka kritikuar qeverisjen aktuale për menaxhim të dobët me infrastrukturën.

“Jemi në rrugën përtej lumit Morava, pra përballë rrugës me kalldrëm – atë pjesën që e ka bërë me kalldrëm të famshmin e Sokol Halitit – dhe në këtë pjesë ai e ka kthyer në dykahëshe pa vendim komunal, në krye më vete. Kjo rrugë është bërë problem për të gjithë qytetarët, sepse është tejet e ngushtë dhe kur kalon një kamion i përmasave të mëdha është e pamundur që të mos e shkelë vijën e bardhë. Është e pamundur që aty një kamion dhe një autobus të kalojnë njëkohësisht. Kjo është mënyra se si Sokol Haliti vepron”, ka thënë Bislimi në një videospot të publikuar të mërkurën.

Në Prizren, kandidati për kryetar, Besnik Krasniqi, e ka përqendruar fushatën elektorale te pensionistët, për të cilët ka premtuar se do të ndërmarrë masa konkrete drejt përkujdesjes. Në kuadër të këtyre masave, ai e ka bërë zotimin për barna falas dhe për përfaqësim të pensionistëve në proceset vendimmarrëse.

“Pensionistët tanë janë gur themeli ynë! Ata sakrifikuan që ne sot të gëzojmë lirinë dhe jetën që kemi. Për këtë arsye do ta themelojmë Barnatoren e Pensionistëve – barnat esenciale falas, barnat tjera të subvencionuara me 50%. Pensionistët do ta kenë zërin e tyre në vendimmarrje, përfaqësuar në grupin e këshilltarëve të kryetarit. Do të themelojmë Shërbimin e Geriatrisë në kujdesin shëndetësor shtëpiak dhe do të inkuadrojmë ekspertizën e tyre si konsulentë. Pensionistët nuk do të jenë të harruar, por të nderuar e të përkujdesur siç e meritojnë”, ka theksuar tha Krasniqi.

E kandidati për kryetar të Pejës, Ali Berisha, i cili në zgjedhjet e 12 tetorit e synon rikthimin në krye të komunës, e ka shprehur nevojën për rregullimin e qarkullimit urban dhe për modernizimin e infrastrukturës rrugore. E këtë premtim ai ka thënë se do ta jetësojë me anë të programit të përgatitur bashkë me një ekip profesionistësh.

“Ne jemi përgatitë për ta bërë këtë. Qe një vit jemi duke punuar me ekipe – jo unë, se nuk ka njerëz të gjithëdijshëm – por një grup njerëzish profesionalë, duke filluar prej arkitektëve, urbanistëve, mandej ekonomistëve e doktorëve. Ky program i përfshin të gjitha lëmitë. Për qytetin e Pejës e kemi të digjitalizuar programin, ku kemi për ta bërë rrethqarkullimin, kemi për ta rregulluar transitin dhe se ky rrethqarkullim ka për të përfshirë rrugë që do ta lehtësojnë jetën e qytetarëve. Do të fillojë te fabrika e tullave dhe do të dalë rreth qarkullimit te gjimnazi sipër dhe te spitali, e pastaj në Rugovë”, është zotuar Berisha.

Në Gjakovë, Ardian Gjini, i cili është kryetar aktual komune dhe e synon edhe një mandat, ka folur për zhvillim ekonomik dhe për mbështetjen e sipërmarrësve lokalë. Ai është zotuar se do ta vazhdojë rritjen e kapaciteteve turistike, përderisa përfaqësuesit e bizneseve i ka siguruar se do të jenë prioriteti edhe në mandatin e ardhshëm.

“Sot zhvilluam një takim me pronarët dhe menaxherët e bizneseve të qytetit për të diskutuar programin tonë qeverisës dhe mundësitë për zhvillimin ekonomik të Gjakovës për katër vjetët e ardhshëm. Investimet e reja dhe mbështetja për bizneset do të jenë gjithmonë prioritet. Komuna do të ofrojë asete dhe mundësi për të lehtësuar rritjen dhe zhvillimin e bizneseve lokale, ndërsa rritja e kapaciteteve hoteliere dhe zhvillimi i turizmit tashmë po bëhet realitet. Gjakova mbetet një qytet miqësor dhe i hapur për çdo iniciativë që sjell punësim dhe zhvillim për qytetarët tanë”, ka theksuar Gjini.

Ndërkaq në Gjilan, kandidati për kryetar komune, Nazim Gagica, ka thënë se me të kryetar qyteti do të ketë qeverisje efikase dhe zhvillim, ndërsa ka shtuar se qytetarët meritojnë shërbime më të mira dhe një qasje më transparente në vendimmarrje.

Abdixhiku premton t’ia kthejë dinjitetin Gjakovës me Shehun. Selmanaj mësim gjithëditor në Prizren

1 muaj më parë / 24 sht 2025 21:02 Nga: Ardona Popova
ldk

Kryetari i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, ua ka premtuar të mërkurën qytetarëve të Gjakovës rikthimin në rrjedhën e zhvillimit, dinjitetit dhe së ardhmes me ardhjen në krye të komunës të kandidatit të partisë së tij, Shefqet Shehu. 

Para mbështetësve të LDK-së në Gjakovë, ai ka theksuar se Shehu do të jetë një kryetar që do t’i dëgjojë zërin dhe nevojat e qytetarëve.

“Ju keni mundësinë ta ktheni Gjakovën në rrugën e zhvillimit, në rrugën e dinjitetit, në rrugën e së ardhmes. LDK-ja nuk është parti e fjalëve boshe. LDK-ja nuk është parti e propagandës. LDK-ja është parti e punës. Është parti e institucioneve. Është parti e shtetformimit. Me Shefqet Shehun në krye, Gjakova do ta ketë kryetarin që e meriton. Një kryetar që del mes qytetarëve, që i dëgjon ata, që punon për ta, që i bën ata pjesë të vendimmarrjes. Një kryetar që nuk e harron qytetin, por e ngre atë”, ka thënë kryetari i LDK-së.

Abdixhiku e ka vlerësuar Gjakovën si simbol të qytetarisë shqiptare dhe ka theksuar se qyteti ka nevojë për investime dhe projekte konkrete. E gjatë katër vjetëve të fundit, ai ka thënë se Gjakova ka parë vetëm premtime dhe slogane, porse jo edhe rezultate. 

“Këta katër vjet, qyteti juaj ka parë shumë premtime, por pak vepra. Ka parë shumë slogane, por pak rezultate. Ka parë shumë propagandë, por pak projekte. Ka parë një pushtet lokal që nuk e ka ngritur qytetin aty ku e meriton. Dhe më e rëndësishmja: ka parë një qeveri qendrore që e ka harruar Gjakovën. Një qeveri që nuk e ka sjellë zhvillimin, që nuk i ka sjellë investimet, që nuk e ka respektuar këtë qytet. Në Gjakovë, familjet janë lënë pas dore. Tregtarët e bizneset nuk kanë marrë mbështetje.

Të rinjtë janë lënë pa shanse, pa mundësi, pa perspektivë”, është shprehur ai.

E për kandidatin e partisë së tij, Abdixhiku ka theksuar se Gjakova gjatë katër vjetëve të ardhshëm do ta ketë një qeverisje që u jep përparësi qytetarëve dhe projekteve të prekshme.

“Një emër që mishëron ndershmërinë, përkushtimin dhe vizionin. Një emër që është rritur në këtë qytet, që i njeh hallet dhe nevojat e tij, që është pranë jush në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo rrugë. Ky është kandidati ynë, ky është lideri juaj, ky është Shefqet Shehu. Shefqet Shehu nuk është njeri i premtimeve të thata. Nuk është njeri i propagandës. Nuk është njeri i fjalëve të mëdha pa mbështetje”, ka theksuar ai.

E në Prizren, kandidati i LDK-së për kryetar komune, Driton Selmanaj, ka shpalosur planin për transformim të arsimit, duke u zotuar që t’i përfshijë të gjitha shkollat në procesin e mësimit gjithëditor, brenda një periudhe kohore prej katër vjetësh. Ai është zotuar gjithashtu që në çdo shkollë të komunës të ofrohet edhe shërbimi logopedik. 

“Kemi provuar në Prishtinë, si LDK, dhe na ka dalë storie suksesi. Dhe ajo është që të fillojmë me mësimin gjithëditor. Është një sfidë bukur komplekse, por jemi të bindur që kemi për t’ia dalë dhe nuk kemi për t’ia dalë me dy-tri shkolla, por po planifikojmë që brenda 4 vjetësh në krejt Prizrenin të ketë mësim gjithëditor“, ka thënë kandidati Selmanaj.

Burim Krasniqi, i cili është kandidat i AAK-së për kryetar në Rahovec, e ka paralajmëruar ndërtimin në këtë komunë të një tregu të rrushit brenda dy vjetësh.

“Tregu i rrushit është harruar tash e disa vite. Premtime të pabëra kurrë. Tregu i rrushit ka për t’u bërë brenda 2 vjetëve të parë, sepse na duhet të jemi pikë referuese ku njerëzit nga e gjithë Kosova, por edhe jashtë saj, kanë për ta pasur në Rahovec tregun e rrushit dhe kanë për të pasur ku të blejnë rrush të Rahovecit, sepse me rrush të Rahovecit nuk ka”, ka thënë Krasniqi.

Në Suharekë, kandidati i AAK-së për kryetar komune, Ardian Shala, e ka premtuar ndërtimin e një pishine, e cila do të shërbejë për sportistët dhe për nxënësit. Kjo pishinë, ai ka thënë se do të jetë e hapur për t’u përdorur për stërvitje, për përgatitje për gara të ndryshme sportive, por edhe për aktivitete mësimore.

Ndërkaq në Viti, kryetari aktual, Sokol Haliti, i cili e synon edhe një mandat, i ka numëruar investimet e realizuara nëpër fshatra, teksa ka bërë zotim për investime të tjera për zhvillim, progres dhe mirëqenie për secilin qytetar.

Hakohet llogaria në TikTok e kryetarit të Shtimes, Vetëvendosje reagon

1 muaj më parë / 24 sht 2025 14:59
Qemajl Aliu

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Shtime, ka njoftuar se është hakuar llogaria e TikTok-ut e kryetarit të kësaj komune Qemajl Aliu.

Aliu është duke kandiduar nga radhët e Vetëvendosjes edhe për një mandat në krye të Shtimes. 
Lëvizja Vetëvendosje ka bërë thirrje që të merren masat e nevojshme. 

“Para pak minutash, profili në TikTok i kryetarit të Shtimes, Dr.Qemajl Aliut, i menaxhuar nga ekipi i ngushtë i tij, është hakuar nga persona të papërgjegjshëm. Ky veprim është shkelje e ligjit, dhe ne do t’i drejtohemi organeve të rendit për të marrë masat e nevojshme. Menjëherë pas hakimit, kanë nisur të qarkullojnë disa screenshot-e që qartë nuk përfaqësojnë kryetarin Aliu, figurën, kulturën e diskursin e tij. Ky incident ka ndodhur pak minuta para fillimit të xhirimeve të debatit në KTV, një natë pas debaklit të opozitës në debatin e RTK-së. Qytetarë të nderuar, kjo nuk është hera e parë që po tentohet të përbaltet figura e kryetarit, e adresën e të gjitha këtyre shpifjeve e lojërave të ulëta ju e dini shumë mirë. Ne do të vazhdojmë të jemi pranë jush me ide e aktivitete politike dhe nuk do të lejojmë manipulime ose orkestrime që tentojnë të dëmtojnë imazhin tonë. VVazhdojmë fuqishëm me punë të mira e transformim të Shtimes”, ka njoftuar Lëvizja Vetëvendosje.
 

Bekë Berisha premton investime në “Kodrën e Trimave”

1 muaj më parë / 24 sht 2025 14:53
Beke Berisha

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Prishtinës, Bekë Berisha, ka treguar planet e tij për lagjen “Kodra e Trimave”.

Ai ka thënë se kjo lagje është një nga më të mëdhatë dhe më të gjalla në Prishtinë, me njerëz punëtorë, patriotë dhe plot energji për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

Por, sipas tij, si çdo lagje në rritje, ajo ka nevojë për investime dhe përmirësime që do të sjellin kushte më të mira jetese për familjet që jetojnë këtu.

“Sot, Beka u takua me qytetarët e Kodrës së Trimave, në një takim ku u prit me shumë entuziazëm nga kandidatja për Asamble, Arlinda Rama. Arlinda mori fjalën dhe pas saj shumë qytetarë patën për të thënë diçka, të gjithë me një qëllim të përbashkët: që Kodra e Trimave të ketë dinjitetin që e meriton. Nuk ka me mbetë më e harruar si deri më tani”, ka thënë ai.

Gjini takohet me pronarët e bizneseve në Gjakovë, u premton mbështetje

1 muaj më parë / 24 sht 2025 14:17
Ardian Gjini

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i cili është kandidat edhe për një tjetër mandat ka njoftuar se ka zhvilluar takim me pronarët dhe menaxherët e bizneseve të qytetit për të diskutuar programin qeverisës dhe mundësitë për zhvillimin ekonomik të Gjakovës për katër vitet e ardhshme.

Ka deklaruar se investimet e reja dhe mbështetja për bizneset do të jenë gjithmonë prioritet.

“Komuna do të ofrojë asete dhe mundësi për të lehtësuar rritjen dhe zhvillimin e bizneseve lokale, ndërsa rritja e kapaciteteve hoteliere dhe zhvillimi i turizmit tashmë po bëhen realitet. Gjakova mbetet një qytet miqësor dhe i hapur për çdo iniciativë që sjell punësim dhe zhvillim për qytetarët tanë”, ka shkruar ai.

Uran Ismaili premton se 50% e drejtorive do të drejtohen nga gratë

1 muaj më parë / 24 sht 2025 14:15
Uran Ismaili

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka premtuar se në rast se vjen në krye të kryeqytetit atëherë 50% e drejtorive komunale do të drejtohen nga gratë. 

Ai është takura sot në Parkun e Qytetit me një grup vajzash dhe grash për të diskutuar për sfidat dhe problemet. 

Ismaili tha se barazia gjinore ka qenë gjithmonë prioritet i tij dhe se këtë e ka dëshmuar edhe në të kaluarën gjatë kohës së bashkëqeverisjes në Prishtinë, kur nga gjashtë drejtorë, tre kanë qenë gra dhe tre burra. Ai kujtoi gjithashtu se gjatë mandatit të tij si Ministër i Shëndetësisë, 60% e kabinetit të tij kanë qenë gra.

“Edhe qeverisja ime në Komunën e Prishtinës do të përbëhet nga 50% gra dhe 50% burra. Kjo nuk duhet të shihet si përjashtim, por si normë. Askush më mirë se gratë nuk mund t’i njohë nevojat e tyre dhe askush më mirë se ato nuk mund të ofrojë zgjidhjet,” tha Ismaili.

Ai shtoi se gratë jo vetëm që mund të udhëheqin, por edhe do të udhëheqin në qeverisjen e tij.

“Prishtina do të bëhet qytet kampion i barazisë gjinore,” u shpreh ai.

Përveç përfaqësimit të barabartë, Ismaili paralajmëroi se çdo politikë që do të ndërmerret nga komuna do të shoqërohet me buxhetim gjinor, në mënyrë që gratë të jenë të përfshira drejtpërdrejt dhe të kenë mbështetjen financiare që u nevojitet dhe e meritojnë.

Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen më 12 tetor. 
 

Besnik Osmani: Sportistët janë shembulli më i mirë se si me disiplinë dhe përkushtim arrihet suksesi

1 muaj më parë / 24 sht 2025 10:55
Besnik Osmani

Kandidati për kryetar të Komunës së Fushë-Kosovës nga radhët e LDK-së, Besnik Osmani ka takuar sportistët nga mbarë Fushë-Kosova.

Osmani ka shkruar se me sportistët kanë biseduar për sfidat dhe sukseset e tyre, si dhe për rëndësinë që ka mbështetja institucionale ndaj sportit.

“Sportistët tanë janë shembulli më i mirë se si me disiplinë dhe përkushtim arrihet suksesi. Angazhimi ynë është i qartë: të krijojmë kushte më të mira për ta dhe të investojmë në gjeneratat e reja. Bashkë, për sport më të fuqishëm dhe për një të ardhme më të mirë për të gjithë”, ka shkruar Besnik Osmani në Facebook.

Zgjedhjet lokale mbahen më 12 tetor.


 

Besa Shahini premton mbjelljen e 100 mijë pemëve në Prishtinë

1 muaj më parë / 24 sht 2025 10:49
Fushata - Besa Shahini - gjelbrimi

Kandidatja e PSD-së për kryetare të Prishtinës, Besa Shahini, ka premtuar mbjelljen e 100 mijë pemëve në kryeqytet. 

Në një video të postuar në rrjete sociale, Shahini ka thënë se do të mbillen pemë në “Breg të Diellit”, “Ulpianë”, “Dardani”, në Kampusin Universitar, te Konviktet, si dhe përgjatë trotuareve e në oborre të shkollave.

Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen më 12 tetor. 

Hyseni thotë se dy çerdhe që po ndërtohen në Gjilan, pritet të hapen këtë vit

1 muaj më parë / 24 sht 2025 09:28
hyseni

Kryetari i Komunës së Gjilanit, i cili është kandidat edhe për një tjetër mandat, Alban Hyseni, në një njoftim për media ka njoftuar se bashkë me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavcin dhe drejtorin për Arsim, Shpend Nuhiun, kanë vizituar dy çerdhe të cilat pritet të jeni gati së shpejti për fëmijët.

Hyseni ka treguar se kanë vizituar dy çerdhe të qytetit, “njëra në lagjen 8, objekti i çerdhes ka përfunduar, mirëpo përurimi i saj po vonohet për shkak të mosfinalizimit të kuzhinës, si pasojë e mungesës së buxhetit”.

“Ndërsa në çerdhen e gjashtë të re punimet po ecin me ritëm shumë të shpejtë dhe pritet të përfundojnë këtë vit, ndërsa vitin e ardhshëm të finalizohet e të hapet për 100 fëmijë të qytetit”, tha Hyseni.

Kurti: Gjakova e ka mundësinë që me Golën të hapë perspektivën për përparim e zhvillim

1 muaj më parë / 24 sht 2025 09:21
Albin Kurti - Ardian Gola

Kryeministri në detyrë Albin Kurti vlerëson se me Ardian Golën kryetar Gjakova do ta hapë perspektivën për përparim dhe zhvillim dhe njëkohësisht ta ruajë identitetin e trashëgimisë së saj historike. 

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje ishte mbrëmë në Gjakovë për t’i ofruar mbështetje kandidatit të partisë për kryetar të Gjakovës, Ardian Gola. 

“Gjakova e ka mundësinë më të mirë që me Ardian Golën të hapë perspektivën e saj për përparim e zhvillim dhe, në të njëjtën kohë, të ruajë identitetin e trashëgiminë e saj historike – kjo është edhe e mundur edhe ia kemi detyrim. Ajo është nyje strategjike ekonomike, kulturore e kombëtare. Duhet të gjithë të japim nga pak për t’ia dhënë Gjakovës Ardianin që i duhet”, ka shkruar Kurti në Facebook.