Përkujdesje për bizneset e vogla të qytetit të Prizrenit ka premtuar kandidati për kryetar nga Lëvizja Vetëvendosje, Artan Abrashi.
Ai akuzoi kryetarin aktual të komunës, Shaqir Totajt, se po keqpërdor autoritetin zyrtar për interesa private, gjë që, sipas tij, do ta cenojë mirëqenien e bizneseve të vogla.
Abrashi tha se me qeverisjen e tij nuk do të lejohet ndërtimi i qendrës tregtare në Bazhdarhane, pasi theksoi se do të goditshin bizneset e vogla e ato zejtare.
“Ky projekt do të shkatërronte bizneset e vogla që janë shpirti i këtij qyteti dhe nuk do ta lejojmë që kjo t’i ndodhë Prizrenit. Çdo zhvillim duhet të bëhet në shërbim të qytetarëve dhe jo të interesave të ngushta private. Shaqë, dil kallëzo ku janë 100 milionë euro? Ose mua ose Prokurorisë”, ka thënë Abrashi.
Për bizneset e vogla e të mesme, mbështetje ka premtuar edhe kandidati për kryetar të Pejës, Taulant Kelmendi.
Ai ka thënë se kjo mbështetje do të ofrohet duke u mundësuar bizneseve krijimin e infrastrukturës së nevojshme, rritjen e kapaciteteve të punësimit e ndërlidhjen e arsimit dual me tregun e punës.
E gjatë një vizite në Klubin e Shahut në Gjakovë, kandidati për kryetar të kësaj komune, Ardian Gola, premtoi ndërtimin e një kompleksi sportiv, për të cilin tha se do të përfshijë shumicën e sporteve.
“Krejt çka mbetet është me e ndërru mendësinë qeverisëse. Është një kompleks sportiv që e kemi në plan ta bëjmë. Një park olimpik, ku do të jenë të gjitha hapësirat për shumicën dërrmuese të sporteve që i zhvillojmë ne si Kosovë”, ka thënë Gola.
Në Gjilan kryetari i Komunës që synon edhe një mandat, Alban Hyseni, ka promovuar punën gjatë qeverisjes 4-vjeçare, dhe u ankua se ka paguar mbi 17 milionë euro borxhe të trashëguar. Ai ka premtuar se edhe në mandatin e ri do të tregojë disiplinë financiare.
Ndërkaq, kandidati për kryetar të Junikut, Jetmir Tofaj, i ka kritikuar kundërkandidatët e tij, për të cilët theksoi se i ikin ballafaqimit publik me të për të shpalosur planet për komunën.
“Sot nga ora 13:45 e kishim të paralajmëruar debatin për Junikun këtu në KTV, ku asnjëri nga kundërkandidatët e mi nuk morën pjesë. Unë i ftoj të ballafaqohen me mua, të ballafaqojmë vizionin tonë për Junikun, sepse vetëm kështu jemi korrekt ndaj qytetarit të cilit i kërkojmë votën dhe besimin në katër vjetët e ardhshëm”, ka thënë Tofaj.
Në Mitrovicë, kandidati për kryetar, Faton Peci, është zotuar për mbështetjen e të rinjve në sektorin e teknologjisë, ofrim të kurseve të gjuhëve të huaja dhe trajnime për aftësim profesional.
