Raste të dyshuara për blerje votash kanë ndodhur në disa komuna të Kosovës në ditën e zgjedhjeve lokale, përfshirë komunat e Graçanicës dhe Istogut. Një person dyshohet se ka pranuar 10 euro për të votuar për një kandidat në Istog. Ndërsa në Graçanicë është arrestuar një person meqë dyshohet se ka fotografuar votën pasi ishte paguar 50 euro për të votuar kandidatin Igor Rashiq nga subjekti politik ‘Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë’.
Dhjetë euro për një votë. Kaq ka qenë shuma që një qytetar e ka marrë për ta shitur votën në zgjedhjet lokale të së dielës në Komunën e Istogut, në këmbim të votës për një subjekt politik të caktuar, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, ka bërë të ditur se i dyshuari, 18-vjeçar, që është me aftësi të kufizuara, është arrestuar, por më pas është liruar në procedurë të rregullt, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
Raste të ngjashme janë raportuar edhe në disa komuna të tjera.
Në Graçanicë, një person është arrestuar pasi dyshohet se e ka fotografuar fletën e votimit dhe për të ka pranuar para.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që dyshohet se kishte fotografuar fletën e votimit dhe kishte deklaruar se për këtë veprim i ishin ofruar 50 euro. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin policor.
E sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, personi i arrestuar është i nacionalitetit serb dhe dyshohet se ka votuar për kandidatin Igor Rashiq nga subjekti “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, njëherësh vëllai i nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nenad Rashiq.
“Ju njoftojmë se njëri nga personat e arrestuar është identifikuar, ndërsa personi tjetër është ende në proces të identifikimit. Rasti është në hetim nga Prokuroria kompetente. Personi i cili ka kryer veprën penale është i nacionalitetit serb i cili ka votuar për kandidatin Igor Rashiq me numër 172 i subjektit politik “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Praktika të ngjashme janë evidentuar edhe gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku vlera e një vote arrinte deri në 50 euro.
Në Malishevë, një person kishte ofruar nga 50 euro për çdo qytetar që do të votonte kandidatin për kryeministër Albin Kurti, duke bërë thirrje hapur për këtë veprim edhe në rrjetet sociale.
Pas ndërhyrjes së Policisë, ai ishte arrestuar dhe më pas u dënua me gjashtë muaj burgim.
Megjithatë, dënimi iu zëvendësua me gjobë në shumën prej 2,000 eurosh.
Sociologu Genc Xërxa, thotë se raste të tilla ndodhin për shkak të mungesës së vetëdijes qytetare dhe moskuptimit ë rëndësisë së votës.
“Këto raste zakonisht ndodhin në ato vende ku prania e shtetit është më pak e ndjeshme dhe sigurimi i votës është i dobët. Njerëzit shpesh ndodhen nën presione të ndryshme për të votuar një kandidat të caktuar. Janë një mori faktorësh që i shtyjnë disa votues të cilët mund të jenë të pavëmendshëm ose jo mjaftueshëm të emancipuar për rëndësinë e votës — të bëjnë pazare me parti të ndryshme apo me kandidatë të ndryshëm”, ka thënë Xërxa.
Në raportin 24-orësh të Policisë theksohet se edhe në Prizren janë arrestuar dy persona njëri në cilësinë e dhënësit dhe tjetri të marrësit të një shume prej 120 eurosh, në mënyrë që të votohej një kandidat i caktuar.
E në Komunën e Kllokotit polica raporton se të dielën një grua është arrestuar nën dyshimin se kishte lëshuar raporte mjekësore të rreme për të mundësuar asistencë gjatë procesit të votimit.