Bashkimi Evropian është shprehur i zhgënjyer për moscertifikimin e dy partive politike serbe në Kosovë, Lista Serbe dhe Demokracia Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Në një deklaratë, BE-ja e ka cilësuar për keqardhje qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
“BE-ja është e zhgënjyer për moscertifikimin e dy partive politike të serbëve të Kosovës. Është për keqardhje qëndrimi i Vetëvendosjes gjatë procesit të certifikimit. Karakteri gjithëpërfshirës i zgjedhjeve të ardhshme lokale është kyç për të ardhmen e raporteve në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Partitë politike që i kanë përmbushur kriteret ligjore duhet të lejohet të marrin pjesë në zgjedhje dhe përfaqësuesit e zgjedhur duhet të marrin detyrat gjithandej Kosovës, bazuar në një proces të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirës”, thuhet në reagim.
BE-ja ka thënë se pret që institucionet përgjegjëse të sigurojë se i gjithë procesi, përfshirë apelimi i partive, të kryhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në Kosovë.
Sipas BE-së, përjashtimi i cilitdo akter politik bie ndesh me parimet e demokracisë. BE-ja ka thënë se do të vazhdojë t’i monitorojë nga afër zhvillimet.
Shqetësim për vendimin e KQZ-së të premten shprehën edhe shtetet e QUINT-it e zyra e BE-së në Kosovë. Në një reagim të publikuar pasdite, QUINT-i e cilësoi minim të demokracisë vendimin për moscertifikim.
Një ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e certifikoi Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Me dy vota për, dy kundër dhe shtatë abstenime, certifikimi u refuzua, pasi paraprakisht anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ publikuan dokumente që tregojnë se kandidatë të Listës Serbe për kryetarë komunash apo asamblistë, mbajnë pozita në organet paralele të Serbisë në Kosovë. E të premten, kjo parti paralajmëroi ankesë në PZAP.
Nuk u certifikua as partia Demokracia Serbe e Aleksandar Arsenijeviqit, i cili kërkohet nga autoritetet e sigurisë në Kosovë.
E, vendim i ngjashëm për moscertifikim ishte marrë në KQZ edhe në zgjedhjet nacionale që u mbajtën në shkurt, por vendimi është përmbysur pas ankesës në instanca më të larta.
Lista Serbe është partia kryesore e serbëve të Kosovës. Ajo mban lidhje të forta me Serbinë, ndërkaq zyrtarë të saj që zgjidhen në institucione të Kosovës në shumë raste kanë mbajtur edhe funksione në institucionet paralele të Serbisë, që funksionojnë ilegalisht në Kosovë.
Nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, e mori përgjegjësinë për sulmin terrorist të organizuar në 2023-tën në Banjskë të Zveçanit, e në të cilin morën pjesë rreth 50 persona të armatosur. Pas sulmit, ai dha dorëheqje nga partia dhe ndodhet në Serbi.