Në mbledhjen e fundit të KQZ-së, Lidhja Demokratike e Kosovës, abstenoi për moscertifikimin e Listës Serbe në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Por, e pyetur nëse kjo ishte një lëvizje taktike a politike, Besa Gaxherri nga LDK-ja e pohoi një gjë të tillë.
Në emisionin “Interaktiv” në KTV, Gaxherri tha se partitë politike nuk është dashur të abstentojnë sepse sipas saj kjo është lojë politike e LVV-së dhe bazuar në zgjedhjet e kaluara, kjo parti do të ceritifikohet sërish pas ankesës që e ka bërë në PZAP.
“Fatkeqësisht është lëvizje taktike e politike. Nuk pajtohem sepse edhe në zgjedhjet e kaluara nacionale të njëjtën lojë e ka luajtur Kurti edhe me zgjedhjet lokale edhe tash. Jemi dëshmitarë që PZAP-ja e kthen. Nuk mendoj që është dashur partitë e tjera të abstentojnë. Është dashur që në bazë rregulloreve e ligjit të votojnë e të ecin tutje. Natyrisht të votojnë pro. Askush nuk pajtohemi me veprimet e Listës Serbe. Por për të mos ndodhur certifikimi është një proces që nuk mundet KQZ-ja ta zgjidhë e as politika. Qeveria duhet ta nis procesin e pastaj gjykatat të vendosin sepse nuk fituam asgjë. Ne i dhamë një kartë Listës Serbe në dorë dhe të gjitha iniciativave të tjera serbe t’i shkelim, e ajo të fuqizohet. Vuçiqit i dhamë një kartë në dorë ta përdorë në institucionet ndërkombëtare dhe ne si Kosovë t’i bëjnë institucionet ndërkombëtare të mendojnë se nuk jemi të gatshëm ta pranojmë minoritetin serb këtu. Ne e dijmë që e kemi një ‘gurë në qafë’, asociacionin dhe nëse sillemi kështu do ta na bëjnë edhe më shumë presion për një version siç e kemi të fundit, të papranueshëm”, deklaroi Gaxherri.
Dy anëtarët e LVV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në mbledhjen e së martës votuan kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme. Shtatë anëtarë abstenuan, ndërsa dy të tjerë, anëtarja serbe dhe kryesuesi Kreshnik Radoniqi, votuan për. Partia më e madhe e serbëve në Kosovë nuk mori votat e mjaftueshme për certifikim.
Për këtë gjë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe BE-ja e kanë kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje. SHBA-ja në reagimin e saj tha se përpjekjet për moscertifikimin e Listës Serbe janë përçarëse. Ndërsa BE-ja, i quajti sjellje të dëmshme për një proces zgjedhor e gjithpërfshirës në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Njëjtë kishte ndodhur edhe në zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt dhe ato lokale më 12 tetor. Asokohe, KQZ-ja s’e pati certifikuar Listën Serbe, por ishte urdhëruar ta bënte një gjë të tillë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).