Zgjedhjet lokale

Aliu premton “serra smart” për bujqit në Ferizaj, Ismaili “palestër vertikale” në Prishtinë

pdk

Kandidatë të Partisë Demokratike (PDK) për kryetarë komunash të mërkurën kanë bërë zotime për investime shumëmilionëshe. Në Ferizaj, Agim Aliu ka thënë se përmes investimeve prej mbi 7 milionë eurosh do ta transformojë sektorin e bujqësisë me teknologji dhe infrastrukturë të re. Në Prizren, Shaqir Totaj ka përuruar monumentin “Vrapuesja e Prizrenit” dhe një stadium të ri futbolli. Në Gjilan, kandidati Riad Rashiti e ka paraqitur planin për shëndetësi, duke premtuar kontrolle sistematike mjekësore për nxënës dhe për pensionistë. E në Prishtinë, Uran Ismaili është zotuar për ndërtimin e një “palestre vertikale” sportive në lagjen Kolovicë

Investime prej shumë miliona eurosh kanë premtuar kandidatë të Partisë Demokratike (PDK) për kryetarë të komunave gjatë fushatës elektorale të së mërkurës.

Në Ferizaj, kryetari aktual i komunës dhe kandidat për edhe një mandat, Agim Aliu, është zotuar për investime në bujqësi, që përfshijnë fushën e teknologjisë dhe të infrastrukturës.

“Mbi 7 milionë euro investime për ferma më produktive dhe fshatra më të zhvilluar. ‘Serra Smart’ me sensorë për lagështi, temperaturë dhe ujitje automatike. Kontroll nga telefoni, prodhim i qëndrueshëm gjatë gjithë vitit, më pak kosto, më shumë rendiment. Nisim me ferma familjare dhe të mesme modele të thjeshta për t’u përsëritur. Sisteme të ujitjes, rezervuarë të ujërave atmosferikë dhe zgjidhje sipas zonës... Investim në hapjen e rrugëve të reja të arave për qasje më të lehtë në toka bujqësore.

Efiçiencë në kohë, më pak shpenzime transporti, më shumë leverdi dhe arsye që të rinjtë tanë ta shohin bujqësinë si biznes. Do të investojmë në basene për silazh dhe subvencione për silose”, është zotuar ai.

Në Prizren, kryetari Shaqir Totaj, i cili njëherësh është në garë edhe për mandatin e dytë, ka thënë se qyteti është duke u pasuruar me projekte të reja kulturore dhe sportive, tek e shpalosi një monument në rrugët e qytetit.

“Rrethi i Bazhdarhanës u hijeshua sot me përurimin e monumentit ‘Vrapuesja e Prizrenit’, një artefakt i rrallë i zbuluar në rajonin e Prizrenit dhe i ruajtur prej dekadash në Muzeun Britanik të Londrës. Kjo vepër unike simbolizon identitetin unik të Prizrenit dhe përbën një vazhdimësi të ruajtjes së trashëgimisë sonë historike”, ka thënë Totaj, teksa ka njoftuar edhe për përurimin e stadiumit të ri të futbollit në Gjonaj.

Riad Rashiti, i cili është kandidat i PDK-së për kryetar në Gjilan, ka premtuar kontrolle sistematike mjekësore për nxënës dhe pensionistë.

“Asnjë mjek i përgjithshëm PA punë; Funksionalizimi i projektit ‘Përzgjedh mjekun familjar’; Mbulim i tërësishëm i barërave esenciale nga buxheti komunal për nivelin primar; Furnizimi i rregullt me material për analiza laboratorike; Kontrollet sistematike për nxënësit klasa 1/5/9; Kontrolle për pensionistët; një herë në vit me ekg e analiza laboratorike; Rritje e buxhetit për subvencionim të barërave dhe pajisjeve të tjera mjekësore në DSH; Kampanja ndërgjegjësuese për sëmundjet kronike- përmes grupit të edukimit; Karrigia e stomatologut në shkollat e mëdha; QMF e AMF të reja; Menaxhim dhe planifikim i resurseve humane për nevojat e shëndetësisë primare; Rritje e buxhetit për subvencionim të OJQ-ve, ku për fokus kanë mbështetjen e grupeve të cenueshme”, ka shpalosur Rashiti planin e tij.

Në Fushë-Kosovë, kandidati Rrahim Tërnava ka publikuar një pjesë të platformës së tij për gratë dhe vajzat, duke premtuar qendra, biznese e mbështetje të drejtpërdrejtë financiare.

“Pikat kryesore të platformës sonë për gratë: Përfshirje 40–50% të grave në vendimmarrje; Qendra për gratë viktima & Zyra për barazinë gjinore; 200 biznese të reja për gra; 200 projekte praktike me pagesë për vajza; 12 panaire mujore; 5 kooperativa fermere për gra; 500 € për çdo lindje, 1000 € për fëmijën e tretë; Subvencione banesash për çiftet e reja; Kartë komunale për 1.000 familje të reja; 10 çerdhe e kopshte të reja; 100 bursa STEM për vajza çdo vit; Mbështetje për arsimin e vajzave të reja; Klinikë mobile gjinore; Kartë shëndeti për gratë dhe kontrolle falas që shpëtojnë jetë”, ka thënë Tërnava. 

E në Prishtinë, kandidati i PDK-së për kryetar komune, Uran Ismaili, ka shpalosur zotimet e tij për lagjen Kolovicë, e në të cilën ka thënë se planifikon që të bëjë investime në rrafshin e arsimit, të infrastrukturës dhe në transport publik.

“Këto janë zotimet e mia për Kolovicën: Ndërtimi i çerdhes së re për lagjen, Qendër Komunitare Multifunksionale, Palestër vertikale në tri nivele për sporte të ndryshme, legalizimi i pronave dhe hartimi i planit rregullues për lagjen, ndriçim publik në çdo rrugë dhe hapësirë publike, përmirësim i infrastrukturës rrugore dhe të trotuareve, autobusë modernë, pritore të ndriçuara dhe transport publik i qasshëm nga të gjitha pjesët e lagjes”, ka deklaruar Ismaili.

Lexo përditësimet tjera
Fushata zgjedhore

Dita e 19-të e fushatës