Zgjedhjet lokale

Abdixhiku: Obiliqi meriton qeverisjen më të mirë – mbështetje për Xhafer Gashin

Lumir Abdixhiku

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur një tubim elektoral në Obiliq, ku prezantoi kandidatin e partisë për kryetar të komunës, Xhafer Gashin, raporton Ekonomia Online.

Në fjalën e tij, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e quajti Obiliqin “zemrën energjetike të Kosovës”, duke vlerësuar sakrificën dhe kontributin e qytetarëve të kësaj komune për zhvillimin e vendit.
Ai tha se Obiliqi meriton kujdes dhe investime më të mëdha, pasi ka dhënë shumë për Kosovën.

“Për këtë arsye, Obiliqi meriton një njeri të madh, një udhëheqës shembull, një kryetar kampion, siç e keni tashmë; Obiliqi e meriton njeriun tuaj, njeriun tonë, Kryetarin e tashëm dhe të ardhshëm Xhafer Gashin. Me Xhafer Gashin në krye, Obiliqi ka parë një transformim të madh. Ka parë një qeverisje që ka qenë pranë qytetarëve, një lidership që ka ditur të marrë vendime, një kryetar që ka punuar çdo ditë për qytetin. Me Xhafer Gashin në krye, janë realizuar projekte konkrete. Janë ndërtuar e rinovuar rrugë, janë hapur sheshe e parqe, janë ndërtuar hapësira publike për qytetarët. Janë rinovuar shkolla, janë përmirësuar kushte për nxënës e mësues, janë hapur klasa të reja dhe çerdhe për fëmijët. Janë bërë investime në shëndetësi, janë përkrahur mjekët dhe pacientët. Janë mbështetur bujqit, është përkujdesur për fshatrat dhe periferinë, njësoj si për qytetin. Xhafer Gashi është kryetar i punës, kryetar i ndershmërisë, kryetar i rezultateve. Ai nuk është njeri i fjalëve të thata, ai nuk është njeri i propagandës”, tha Abdixhiku. /EO

Lexo përditësimet tjera
zgjedhjet

Dita e 22-të e fushatës