Zgjedhjet 2025

VV-ja ia merr një ulëse në Kuvend PDK-së

Kuvendi

Pas numërimit të votave të diasporës të verifikuara para Vitit të Ri, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur 50.67 për qind të votave, duke ia marrë edhe një deputet Partisë Demokratike të Kosovës, e cila aktualisht ka 20.43 për qind të votave.

Nga 56 deputetë siç parashihej në rezultatet preliminare, VV-ja do t’i marrë 57 ndërkaq PDK-ja 22 nga 23. Nuk janë numëruar ende votat me kusht dhe ato të personave me aftësi të kufizuar. Me rezultatet aktuale, LDK-ja pritet t’i ketë 15 deputetë, ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6.

 Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ka përfunduar numërimi i votave me postë të verifikuara para Vitit të Ri. Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 72.20 për qind të tyre apo 19.344 vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 10.15 për qind apo 2.720 vota. Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës 9.56 për qind ose 2.560 vota.

Ndarjet bëhen sipas formulës D’hondt.

Eugen Cakolli nga KDI-ja  ka thënë se mandati i 57 i Vetëvendosjes është fituar me diferencë minimale, pasi sipas tij, koeficienti i LVV-së është rreth katër pikë më i lartë se ai PDK-së.

"KQZ ka përfunduar numërimin e të 92 kutive të votimit me postë – rreth 26,500 vota – të cilat tashmë janë përfshirë në rezultatin kumulativ.  Por kjo është vetëm rreth gjysma e votave me postë, sepse nga nesër, do të verifikohen dhe numërohen edhe rreth 20 mijë vota të tjera me postë. Pas përfshirjes së votave me postë deri më tani, LVV ka fituar një mandat shtesë, duke kaluar në 57 mandate, ndërsa PDK ka rënë në 22 mandate. Ky ndryshim është rezultat i performancës së LVV-së në (rreth 72%), por edhe i performancës gati tre-fish më të dobët të LDK-së në votat me postë, krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit.  Mandati i 57-të i LVV-së është fituar me diferencë minimale, meqenëse aktualisht, koeficienti i LVV-së është vetëm rreth 4 pikë më i lartë se ai i PDK-së, që në terma realë përkthehet në afërsisht ~160 vota diferencë në nivel kombëtar për atë mandat – një diferencë që statistikisht ende nuk e konsolidon përfundimisht atë ulëse për LVV-në”, ka shkruar ai.

Cakolli ka shtuar se me rreth 20 mijë vota të tjera me postë dhe afërsisht 10 mijë vota me kusht ende për t’u numëruar, ndryshime në shpërndarjen e mandateve janë të mundshme vetëm nëse këto vota devijojnë ndjeshëm nga trendet aktuale.

“Konkretisht, skenarët e mundshëm (jo-definitiv) janë: LVV mund të kalojë në 58 mandate vetëm nëse arrin rreth 80%* të votave të mbetura me postë, ose edhe më pak pikë të përqindjes, në rast se LDK bie nën ~8%. PDK mund të rikthehet në 23 mandate vetëm nëse shënon një përmirësim të dukshëm të performancës (mbi ~13-14%), dhe njëkohësisht LVV ose LDK performojnë më dobët se deri tani.Në të kundërtën, shpërndarja aktuale e mandateve pritet të mbetet e pandryshuar: 57-22-15-6”, thuhet në postimin e tij në Facebook.