Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se po vazhdon numërimi i votave me kusht. Sipas KQZ-së, numërimi i këtyre votave dhe atyre të personave me nevoja të veçanta pritet të përfundoj gjatë ditës së sotme.
“Mund t'iu konfirmoj se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025. Procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta, pritet të përmbyllet gjatë ditës së sotme.Deri më tani (e martë, 6 janar 2026, ora 16:00) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar 49 nga 57 vendvotimet, në të cilat më 28 dhjetor u mundësua votimi me kusht”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Sipas të dhënave, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9,900 votues të regjistruar për të votuar me kusht, ndërkaq, numri i votuesve të regjistruar në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta ka qenë 2,860.
Kur janë numëruar gati 90 për qind e votave me kusht, Lëvizja Vetëvendosje ka 50.30 për qind të tyre, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 20.20 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 10.51 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.85 për qind.