Zgjedhjet 2025

Hamza premton reforma ekonomike dhe rritje të mirëqenies

PDK-Hamza

Në ditën e nëntë të fushatës elektorale për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka premtuar lidhje të autostradave, zhvillim ekonomik dhe përmirësim të standardit të jetesës. Para qytetarëve të Ferizajt, Hamza ka adresuar kritika ndaj qeverisjes aktuale teksa ka premtuar se një prej prioriteteve të qeverisjes së tij do të jetë rikthimi i stabilitetit dhe i shpresës mes qytetarëve të Kosovës. Ai ka premtuar gjithashtu zhvillim ekonomik si dhe mbështetje për bizneset e vogla dhe të mesme, nëpërmjet lehtësirave fiskale

Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka premtuar zhvillim ekonomik, investime infrastrukturore dhe përmirësim të standardit të jetesës gjatë tubimit të mbajtur të enjten me qytetarë në Ferizaj.

Ai ka bërë zotimin se një prej projekteve kryesore, të cilën do ta zhvillojë me ardhjen në pushtet, është ajo e lidhjes së autostradës së kombit me autostradën “Arbër Xhaferi”, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe përafrimit edhe më shumë të Kosovës me Shqipërinë.

“Do ta lidhim autostradën e kombit me autostradën ‘Arbër Xhaferi’. Qytetarët e Ferizajt nuk do të kenë më nevojë që të shkojnë në Prishtinë për të udhëtuar drejt Shqipërisë, sepse nga Banulla do të dalin në Duhël të Suharekës përmes autostradës së re”, ka premtuar ai para qytetarëve në Ferizaj.

Hamza ka adresuar edhe kritika për qeverisjen aktuale e të cilën e ka mbajtur përgjegjëse për keqqeverisje, mungesë stabiliteti dhe rritje të ndjeshme të çmimeve të produkteve bazë dhe të energjisë elektrike.

Ai ka dhënë se alternativën e qartë për dalje nga kjo situatë e ofron vetëm PDK-ja.

“Kosova nuk ka dështuar, por është keqqeverisur. Çmimet janë rritur deri në 40 e 50 për qind, energjia elektrike është shtrenjtuar, ndërsa pagat dhe pensionet kanë mbetur pothuajse në vend. Kjo do të ndryshojë me qeverinë e PDK-së”, është shprehur Hamza, teksa ka shtuar se në programin e partisë së tij fokusi është vendosur te mbështetja për bizneset.

E për bizneset e vogla dhe ato të mesme, kandidati i PDK-së për kryeministër ka premtuar lehtësira fiskale nëpërmjet lirimit nga tatimi të atyre që kanë qarkullim deri në 10 mijë euro. E për ato me qarkullim deri në 30 mijë euro, ai është zotuar se tatimi do të zbatohet vetëm mbi fitimin real.

Hamza ka premtuar gjithashtu grante dhe subvencione për bizneset prodhuese dhe inovative, si dhe lehtësira për kompanitë që punësojnë mbi 50 punëtorë. Si tjetër premtim, ai e ka numëruar reformën në tatimin mbi vlerën e shtuar. Ka premtuar edhe ndaljen e rritjes së tatimit në pronë, si dhe mbështetje për sektorin privat.

Në programin e tij janë përfshirë premtime për rritje të pagave dhe të pensioneve. Ai ka përsëritur zotimin se pagat deri në 400 euro nuk do t’i nënshtrohen tatimit, e në ato që janë mbi këtë nivel ka premtuar se do të aplikohen norma më të ulëta tatimore.

Në fushën e infrastrukturës, Hamza është zotuar se gjatë qeverisjes së tij do të përfundojnë projektet e nisura ndër vite e që i përfshijnë rrugët drejt Gjilanit, Mitrovicës, Pejës dhe Gjakovës, si dhe se do të bëjë investime në hekurudha dhe energji.

Investime Hamza ka paralajmëruar në fushën e shëndetësisë, të arsimit dhe të sigurisë, duke përmendur krijimin e sigurimeve shëndetësore dhe përmirësimin e kushteve për punëtorët e sektorit publik.

Qytetarëve në Ferizaj, Hamza u ka bërë thirrje që të mbështesin PDK-në në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

“Ne ofrojmë një vizion të qartë për zhvillim, stabilitet dhe shpresë. Me votën tuaj do ta kthejmë Kosovën në rrugën e zhvillimit dhe mirëqenies”, ka thënë Hamza.

Një thirrje të tillë ai e ka bërë edhe nëpërmjet një videoadresimi, teksa ka thënë se çdo votë ka rëndësi dhe se përgjegjësia për të ardhmen e vendit është e përbashkët.

Kandidati i PDK-së për kryeministër i ka bërë thirrje elektoratit që më 28 dhjetor të zgjedhë stabilitetin mbi pasigurinë, bashkimin mbi përçarjen dhe punën mbi fjalët, duke theksuar se Kosova vetëm si e bashkuar mund të ecë përpara.

“Bashkë mund ta çojmë Kosovën përpara”, ka thënë Hamza në videoadresimin, në të cilin i ka falënderuar qytetarët për angazhimin dhe përgjegjësinë e tyre demokratike gjatë nëntë ditëve të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Lexo përditësimet tjera
Zgjedhje - KQZ - 2025

Dita e nëntë e fushatës