Zgjedhjet 2025

Çka premtojnë partitë në shëndetësi?

Tolaj i AAK-së: Është koha që mantelbardhët të vlerësohen nga shteti

50 min. më parë / 19 dhj 2025 20:54
Arbër Tolaj

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për deputet, Arbër Tolaj, ka thënë se është koha që mantelbardhët të vlerësohen nga shteti dhe atyre t’u sigurohen kushte më të mira të punës.

Derisa ka folur për shëndetësinë në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, Tolaj ka thënë se rritja e pagave është shumë e nevojshme për ta.

“Është koha që mantelbardhët të vlerësohen në mënyrë institucionale, pra nga shteti. Kjo bëhet duke i respektuar, duke iu ofruar paga dhe kushte më të dinjitetshme për punë, si dhe duke ua ofruar mundësinë e trajnimeve të vazhdueshme profesionale”, ka thënë ai.

Tolaj ka thënë se një nga prioritetet kryesore të AAK-së janë edhe sigurimet shëndetësore, plani për implementimin e të cilave do të jetë prej dy deri në katër vjet.

Tutje kandidati i AAK-së ka thënë se kanë planifikuar edhe shqyrtimin e mundësisë së bashkëpunimit publiko-privat, ku do të ofrohen disa pako bazike për shërbimet, të cilat nuk do të mund të ofrohen në spitalet publike.

Ai ka thënë se AAK-ja ka një plan, përmes të cilit do të ulë edhe numrin e kërkesave për trajtim jashtë. Sipas tij, trajnimi i mjekëve jashtë vendit dhe blerja e aparaturave të reja do të ofronin një mundësi të tillë.

Gashi shpalos top-prioritetet e LDK-së në shëndetësi

57 min. më parë / 19 dhj 2025 20:47
Bujar Gashi

Ndërtimi i një Qendre Klinike Universitare të Re, pagë jo më pak se 1,000 euro për  infermierët, dhe fuqizim i mjekësisë familjare, janë disa nga prioritetet e Lidhjes Demokratike të Kosovës në fushën e shëndetësisë.

Këtë plan e ka shpalosur kandidati i LDK-së për deputet, Bujar Gashi, në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”.

Ai ka thënë se kjo parti ka një program konkret, i cili parashihet të jetë i suksesshëm, derisa ka dhënë detaje në lidhje me ndërtimin e një qendre të re të klinikave.

“ Në kuadër të programit të LDK-së, parashihet ndërtimi i një Qendre Klinike Universitare të re jashtë kësaj që është sot, pasi kjo e tanishmja nuk i plotëson kriteret aktuale duke marrë parasysh që është ndërtuar në vitin 1964, dhe sistemi i ndërlidhshmërisë së klinikave e bën të pamundur funksionimin e saj si Qendër Klinike Universitare. Ajo do të ndërtohet në dy faza brenda 6 vjetëve”, ka shtuar Gashi.

Ai ka thënë se pjesë e këtij program është edhe ndërtimi i spitalit të kryeqytetit, digjitalizimi i sistemit shëndetësor, fuqizimi i mjekësisë familjare e çështje të tjera.

Kandidati i LDK-së ka folur edhe për sigurimet shëndetësore, për të cilat ka thënë se është në mesin e top-prioriteteve.

“Sigurimet shëndetësore janë top-prioritet, por duhet t’u paraprijë një sistem informativ shëndetësor i mirëfilltë paraprakisht. Brenda vitit të parë do të rregullohet sistemi informativ shëndetësor, sigurimet shëndetësore do të fillojnë të aplikohen në vitin e dytë”, ka thënë Gashi.

E në rast se partia e tij vjen në pushtet, Gashi ka thënë se do të sigurojnë punësim për çdo mjek të përgjithshëm, të cilëve, siç ka thënë, po ashtu do t’u jepet mundësia edhe e specializimit.

Ai ka folur për barnat esenciale për të cilat ka thënë se do të mbulojnë komplet listën esenciale të barnave, duke premtuar rritje prej 20% të buxhetit për këto barna.

Gllareva: PDK-ja do t’ua kthejë dinjitetin punëtorëve shëndetësorë

1 o. më parë / 19 dhj 2025 20:19
Bashkim Gllareva

Partia Demokratike e Kosovës do t’i rrisë pagat për punëtorët shëndetësorë, ka thënë kandidati i kësaj partie për deputet, Bashkim Gllareva.

Derisa ka shpalosur programin e PDK-së për shëndetësi, Gllareva ka thënë se ai do t’ua kthejë dinjitetin punëtorëve të kësaj fushe.

“Kemi demotivim të skajshëm të punëtorëve shëndetësorë, humbje të dinjitetit, prandaj Partia Demokratike do t’ua kthejë dinjitetin punëtorëve shëndetësorë, duke ua rritur pagat, ofruar kushte dhe infrastrukturë të mirë, ndërtuar spitale të reja”, ka thënë Gllareva.

E derisa ka folur për sfidën që e pret partinë e tij, nëse ajo do të vijë në krye të vendit, Gllareva ka thënë se për shkak të keqmenaxhimit që LVV-ja ka bërë do të kenë problem me prokurimin dhe me furnizimin me barna. Ndërsa në të njëjtën kohë ai ka përmendur top-prioritetet e PDK-së në fushën e shëndetësisë.

“Do të jenë prioritet sigurimet shëndetësore, mbulimi 100% i barnave esenciale, ndërtimi i Qendrës Klinike Universitare të re ose ndërtimi i spitalit të Prishtinës, si dhe ndalja e rrjedhjes së trurit duke bërë politika të reja që parashohin dhënien e specializimeve, edukimin e stafit terciar dhe sekondar, si dhe mbështetja e nivelit primar shëndetësor”, ka theksuar ai.

Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, Gllareva ka përmendur edhe infermierët, për të cilët ka thënë se do të përfitojnë rritje të pagës dhe kushte më të mira të punës.

Ndërsa sa përket furnizimit me barna, kandidati i PDK-së ka thënë se do të gjobiten të gjitha kompanitë të cilat nuk i sjellin barnat me kohë dhe se atyre do t’u pamundësohet marrja e një tenderi të dytë në lidhje me këtë çështje.

Kollçaku: LVV-ja synon funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore

1 o. më parë / 19 dhj 2025 20:13
Fatmire Kollçaku

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për deputete, Fatmire Kollçaku, ka shpalosur programin e partisë së saj për fushën e shëndetësisë, ku ka thënë se prioritet për ta në këtë fushë do të jenë pacientët.

Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, Kollçaku ka thënë se kjo parti do të synojë që i gjitha stafi mjekësor të ketë paga të dinjitetshme.

“LVV-ja parasheh investim në resurse humane, profesionistëve shëndetësorë kemi pasur për synim t’ua përmirësojmë kushtet e punës, përfshirë edhe pagat, do të synojmë që i gjithë stafi mjekësor të ketë paga të dinjitetshme, në mënyrë që ata të mos kërkojnë punë jashtë vendit, apo dhe jashtë sektorit publik për ata që janë aty aktualisht të punësuar”, ka thënë ajo.

Kandidatja e LVV-së po ashtu është zotuar se do ta bëjnë funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore.

“LVV-ja sapo ta marrë mandatin do të merret me ligjin për sigurimet shëndetësore, pasi baza ligjore është vendosur dhe mjetet për këtë aspekt tashmë janë të siguruara, por kanë mbetur pa u shfrytëzuar për shkak të bllokadës”, ka shtuar Kollçaku.

E sa i përket furnizimit me barna esenciale, Kollçaku ka thënë se do të bëjnë një përcjellje rigoroze të rrjedhjes së barnave nga depot deri në duart e pacientëve, dhe se gjithashtu mjekëve do t’u ndalohet përshkrimi i barnave me emrin e fabrikave, pasi ajo duhet të bëhet me emrin gjenerik, me atë emër që shteti e gjeneron.

Ndërsa përmes ligjit për çmimet tavan, ajo ka thënë se do të kenë leje që t’i mbikëqyrin farmacitë se me çfarë çmimesh do t’i shesin barnat.