Zgjedhjet 2019

Në zgjedhjet e 6 tetorit votojnë mbi 111 mijë votues të rijnë, qendra e votimit mund të kontrollohet online

Foto: Driton Paçarada / Koha

Kosova do të mbajë zgjedhjet e parakohshme më 6 tetor, përkatësisht ditën e diel.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, në listën e votuesve do të jenë 111.733 votues të rijnë.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, janë 87.180 votues të rinj që pas zgjedhjeve lokale të 2017 kanë arritur moshën 18 vjeçare, ndërkaq 24.553 votues që nuk kanë qenë në Listën Përfundimtare të Votuesve në Zgjedhjet Lokale të 2017-ës, mund të konsiderohen votues të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil.

“Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, më 6 tetor 2019 është: 111,733 votues. a) 87,180 votues të rinj që pas Zgjedhjeve Lokale 2017 kanë arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç dhe që do të votojnë për herë të parë në Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës më 6 tetor 2019. b) 24,553 votues që nuk kanë qenë në Listën Përfundimtare të Votuesve në Zgjedhjet Lokale 2017, e që mund të konsiderohen si votues të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil midis dy palë zgjedhjesh ose votues që janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve lokale 2017, ka thënë ai për Koha.net.

Ndërkaq personat të cilët nuk e dinë se në cilat qendra të votimit do të votojnë, në faqen zyrtare të KQZ-së, përmes opsionit “Gjeni qendrën tuaj të votimit” ata mund të kërkojnë për qendrën në të cilin do të votojnë.

Kjo mund të bëhet duke shënuar numrin personal, e përmes të cilit do të paraqiten të dhënat e votuesit, bashkë me qendrën në të cilën kanë të drejtën e votës.

Ndërkaq lidhur me votimin me kusht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u mundëson votuesve të votojnë me kusht, në rast se ata nuk e gjejnë emrin në listën përfundimtare të votuesve në qendrën e votimit. Për të mundësuar këtë shërbim, KQZ siguron që secila qendër e votimin ka një vendvotim të dyfishtë, ku votojnë votuesit e caktuar në atë vendvotim si dhe votuesit me kusht.

“Për të votuar me kusht, votuesit duhet të shkojnë në vendvotim të dyfishtë. Aty do të prezantojnë një dokument valid të identifikimit, në bazë të së cilës merren shënimet dhe vendosen në listën e votuesve me kusht dhe në një zarf të votimit me kusht. Pasi të plotësojnë fletëvotimin apo fletëvotimet, votuesit do të vendosin ato në zarf të pashënuar, të cilin pastaj e vendosin në zarfin që përmban të dhënat e tyre. Në fund, zarfin me të dhëna do ta vendosin në kutinë përkatëse”, thuhet në faqen zyrtare të KQZ-së.