Zgjedhjet 2025

Kosova voton

Balotazhi - 9 nentor

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Fletëvotimet, kutitë dhe kabinat e votimit janë shpërndarë të shtunën nga Qendra e Numërimit dhe Regjistrimit në Fushë-Kosovë drejt 38 komunave të Kosovës, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Të drejtë vote këtë ditë kanë 1 milion e 999 mijë e 24 shtetas

Rreth dy milionë shtetas të Kosovës do të kenë mundësi të votojnë të dielën, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u shpallën pasi legjislatura e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk e miratoi asnjërin prej dy kabineteve qeveritare që u propozuan.

Të shtunën në mëngjes, ekipe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), kanë shpërndarë materialin zgjedhor, përfshirë fletëvotimet për në 38 komunat e Kosovës. Që nga ora 7:00, 1 milion e 999 mijë e 24 shtetas kanë të drejtë t’u drejtohen vendvotimeve, për ta zgjedhur legjislaturën e dhjetë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se të gjitha përgatitjet janë bërë në mënyrë që procesi i votimit të nisë me kohë.

“Numri i qendrave të votimit që do të hapen më 28 dhjetor është 948, prej të cilave 910 për votimin e rregullt me 2,557 vendvotime. Po ashtu, do të hapen edhe 38 qendra të votimit me gjithsej 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht”, ka treguar Elezi.

Për zgjedhjet e së dielës, garojnë 24 subjekte politike me 1,180 kandidatë për deputetë. Nga to, 8 subjekte politike janë të shqiptarëve me 624 kandidatë që synojnë 100 vendet në Kuvend, ndërkaq pjesa tjetër janë subjekte nga radhët e komuniteteve që garojnë për 20 ulëset e garantuara.

Zgjedhjet e muajit shkurt e edhe këto të dhjetorit do të organizohen konform ndryshimeve ligjore, sipas të cilave deri në orën 7:00 kur të hapen vendvotimet, subjektet politike kanë të drejtë të bëjnë fushatë. Ndryshimet kërkojnë që pasi të mbyllen kutitë në orën 19:00, numërimi i votave në vendvotime të bëhet vetëm për partitë, ndërsa për kandidatët për deputetë procedura do të zhvillohet nga e hëna.

Zëdhënësi Elezi bëri të ditur se në kohë reale do të nisë publikimi i rezultateve preliminare në orën e parë pasi të përfundojë votimi.

“KQZ-ja ka bërë përgatitjet që më 28 dhjetor të publikohen rezultatet preliminare të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. Rezultatet nga vendvotimet e para, do të fillojnë të publikohen duke filluar para orës 20:00 dhe ato do të përditësohen vendvotim pas vendvotimi”, ka thënë ai. “Pra, brenda një kohe të shkurtër pasi numërohen fletëvotimet e një vendvotimi, do të publikohen të dhënat në platformën e rezultateve”.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, pati dështuar platforma për publikimin e rezultateve në kohë reale. Zyrtarë të KQZ-së patën thënë se ka pasur ndërhyrje të jashtme në sistem.

Por, në vjeshtë, në zgjedhjet lokale dhe në balotazhin që pasoi, platforma ka funksionuar dhe që në orën e parë pas mbylljes së votimit, ka nisur të publikohen rezultatet.

Përveç rezultateve, KQZ-ja do të publikojë në pesë orare të ndryshme edhe të dhëna për pjesëmarrjen e votuesve: 09:00, 11:00, 13:00, 15:00, 17:00 dhe 19:00.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, u ka bërë apel të gjithë anëtarëve të komisioneve komunale zgjedhore dhe të këshillave të vendvotimeve që të jenë në nivel të detyrës, të respektojnë ligjin dhe rregullat zgjedhore të KQZ-së.

“Na pret një ditë e gjatë nesër, një ditë ku duhet t’i ofrojmë qytetarëve të drejtën e votës, andaj shpresojmë që të gjithë janë në nivel të detyrës dhe të respektojnë rregullat dhe ligjin”, ka thënë Radoniqi, në konferencën e KQZ-së, të organizuar në orët e mbrëmjes.

Edhe në institucione të tjera kanë thënë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet, për ta garantuar një proces të drejtë votimi.

Policia ka hartuar dhe e ka në zbatim urdhrin operativ për ditën e zgjedhjeve dhe një ditë më parë në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë janë mbajtur dy takime koordinuese lidhur me planifikimin, zbatimin dhe koordinimin e këtij urdhri.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, ka kërkuar nga të gjithë menaxherët rajonalë e ata qendrorë mbikëqyrje dhe ka dhënë porosinë që policia të kryejë këtë aktivitet me profesionalizëm e integritet sa më të lartë.

Policia ka dhënë zotimin se, në bashkëpunim me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, do t’i zbatojë detyrat dhe përgjegjësitë e saj me qëllim të garantimit të ushtrimit të lirë dhe demokratik të drejtës së votës për të gjithë qytetarët. Ky institucion ka inkurajuar qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar apo veprim të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor.

Apel të njëjtë ka bërë edhe Prokuroria.

Zyra e Prokurorit të Shtetit ka ftuar qytetarët, subjektet politike, institucionet dhe organizatat e ndryshme që të denoncojnë çdo rast për të cilin dyshohet se ka keqpërdorim apo manipulim të votës, në çfarëdo forme dhe nga kushdo qoftë.

Në njoftimin e këtij institucioni është thënë se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet me qëllim të mbrojtjes së votës së lirë të qytetarëve dhe garantimi i integritetit të procesit zgjedhor.

Kjo zyrë ka bërë të ditur se të dielën do të angazhohen rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial.

“Ata do të jenë të shpërndarë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe do të qëndrojnë kujdestarë deri në përfundim të plotë të procesit zgjedhor, me qëllim të trajtimit dhe procedimit të çdo parregullsie apo shkeljeje të mundshme ligjore që mund të ndodhë gjatë zgjedhjeve”, ka bërë të ditur organi i akuzës.

Mbarëvajtja e këtij procesi zgjedhor do të monitorohet edhe nga vëzhgues vendorë e ndërkombëtarë. Të shtunën mbrëma, në zyrat e KQZ-së janë pritur edhe vëzhguesit nga Shqipëria. Në cilësinë e vëzhguesve të këtyre zgjedhjeve, pos organizatave joqeveritare e disa të tjerave ndërkombëtare, i akredituar është edhe Këshilli i Evropës me 23 vëzhgues.

Para zgjedhjeve pati fushatë 11-ditore. Grupi i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), ka vlerësuar se fushata ka qenë konkurruese, por e përqendruar te liderët, dhe ka pasur nivel të zbehtë të entuziazmit qytetar.

Në një konferencë për media në ditën e fundit të fushatës, Ismet Kryeziu, drejtues i DnV-së u shpreh se gara ka qenë e qetë dhe pa incidente serioze.

Megjithatë, sipas DnV-së, vëzhgimi ka treguar disa prirje dhe sfida që kanë ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e fushatës.

“Pjesëmarrja e qytetarëve në aktivitetet e fushatës është luhatur ndjeshëm mes subjekteve politike dhe formave të organizuara të takimeve, nga qindra pjesëmarrës deri në mbi 1000 pjesëmarrës. Llojet e aktiviteteve kanë qenë të kombinuara me pjesëmarrje të mesme dhe me pjesëmarrje të gjerë në prezantimin e listave, dhe janë zhvilluar kryesisht në ambiente të mbyllura. Shtrirja e aktiviteteve ka treguar përqendrim të subjekteve në qendrat urbane dhe komunat më të mëdha e me peshë elektoral, ndërsa komunat më të vogla kanë qene më pak të ekspozuara”, thuhet në njoftimin e DnV-së.

Ky grup organizatash ka konstatuar edhe personalizim dhe centralizim fushatash.

“Liderët partiakë, apo kandidatët për kryeministër kanë dominuar pothuajse të gjitha aktivitetet, ndërsa kandidatët për deputetë dhe strukturat e tjera partiake ka pasur rol dytësor. Edhe pse ka pasur takime dhe organizime të kandidatëve pa prezencën e liderit, këto takime kryesisht kanë qenë të karakterit të takimeve të vogla. Ky personalizim i fushatës drejt liderit, ka kufizuar mundësitë dhe paraqitjet programore nga ana e kandidatëve”, ishte gjetja tjetër.

Sipas DnV-së, fushata ka qenë e përqendruar kryesisht në çështjet ekonomike, sociale dhe të sigurisë. Temat kanë qenë punësimi, pagat, mirëqenia sociale, arsimi, shëndetësia, infrastruktura dhe anëtarësimi në NATO. Këto tema kanë dominuar mesazhet publike të subjekteve politike dhe janë përdorur si elemente kyçe për mobilizimin e elektoratit.

Sipas DnV-së, përdorimi i gjuhës fyese e diskriminuese ka qenë shumë më pak i shprehur në këtë fushatë.

Të dielën, DnV-ja do të vëzhgojë procesin zgjedhor, me 550 vëzhgues në terren, që do të raportojnë gjatë gjithë ditës për mbarëvajtjen e votimit dhe numërimin e votave, ndërsa 50 operatorë në Qendrën e Thirrjeve do të përpunojnë të dhënat në mënyrë digjitale.

Por, për ditën e zgjedhjeve, është shprehur një brengë në KQZ – 888 qendra të votimit nga 948 sa do të jenë të hapura të dielën mund të përballen me ndërprerje të rrymës në ditën e zgjedhjeve. E, përfaqësues të KEDS-it, pas takimit me ata të KQZ-së, kanë dhënë zotimin se do të sigurojnë kushte për furnizim të qëndrueshëm me rrymë dhe thanë se për këtë qëllim do të angazhohen ekipe në çdo qendër votimi.

Në kuadër të ndryshimeve ligjore për zgjedhjet, është kërkuar që në vendvotime e edhe në qendra të numërimit të rezultateve, të ketë kamera të instaluara.

Lexo përditësimet tjera
zghedhje

Kosova voton