Zgjedhjet 2019

LDK-ja në Gjilan, fushatë në bibliotekë - u pengoi studentëve e stafit, kritikohet nga opozita

Kjo sallë në bibliotekën e qytetit në Gjilan, çdo ditë shfrytëzohet nga nxënësit.

Mirëpo, të hënën pasdite u vu në shërbim të Lidhjes Demokratike të Kosovës për një tubim elektoral, raporton KTV.

Një gjë e tillë, sipas bibliotekistit Kushtrim Kadriu, e ka penguar stafin e bibliotekës “Fan S. Noli” të kryejë punën e vet.

Më tutje, ai thotë që nuk është hera e parë që LDK-ja organizon takime dhe ngjarje në hapësirat e bibliotekës, madje edhe nën drejtimin e kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri.

Gjatë kohës së tubimit, edhe nxënësit kanë hasur në probleme.

Disa studentë, prapa kamerave i kanë thënë KTV-së se për shkak të zërimit nuk kanë mundur ta vazhdojnë leximin.

E, sipas rregullores së këtij institucioni, të hartuar në vitin 2018, është e ndaluar që biblioteka të shfrytëzohet nga partitë politike.

Por, drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Deniza Limani, nëpërmjet një përgjigje me shkrim, ka thënë se e ka lejuar një gjë të tillë vetëm gjatë kohës së fushatës, e duke i respektuar shfrytëzuesit e saj.

Ndërkaq, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, LDK-ja po i shfrytëzon objektet publike pasi që është në pushtet në Komunën e Gjilanit.

Në Komunën e Gjilanit mohojnë se biblioteka shfrytëzohet për aktivitete të tjera pos promovimeve të librave dhe aktivitete që lidhen me natyrën e punës aty.

Gjatë së martës, Kohavisioni ka provuar të kontaktojë edhe me organizatorin e tubimeve dhe aktiviteteve politike të Lidhjes Demokratike në Gjilan, mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur.

LDK-ja e ka shfrytëzuar edhe Shtëpinë e Rinisë për aktivitete partiake, gjë e cila po ashtu bie në kundërshtim me rregulloret e miratuara nga Kuvendi Komunal i Gjilanit.