Osmani për vizitën e mundshme të Kurtit te varri i Rugovës: Duhet ta ndiejë

10 October 2019 20:17
21:47

E pyetur për vizitën e Albin Kurtit te varri i presidentit tashmë të ndjerë, Ibrahim Rugova, Vjosa Osmani ka thënë se “Kurti duhet ta ndiejë për ta bërë një gjë të tillë”.

“Kjo është çështje që duhet ta ndiesh. Për mua është me rëndësi që edhe zoti Kurti edhe çdo politikan, ashtu siç e dinë qytetarët, ta dinë politikanët që presidenti Rugova ishte arkitekt i shtetit të pavarur”, ka thënë Osmani, në Rubikon të KTV-së.

Ajo ka thënë se i vjen mirë që Kurti e vizitoi Muzeun e Pavarësisë ku dëshmohet puna që ka bërë LDK-ja e presidenti Rugova në ndërtimin e themeleve të shtetit.

“S’shoh arsye që dikush të mos nderojë presidentin Rugova. Nëse nuk e nderon Rugovën nuk e nderon shtetin e Kosovës”, ka thënë Osmani.

21:38

Osmani pret që marrëveshja me VV-në të finalizohet në nëntor

Sipas Vjosa Osmanit, kandidate e LDK-së për kryeministre, diskutimet për koalicion paszgjedhor me VV-në do të finalizohen në nëntor.

Ajo ka thënë se pas certifikimit të rezultateve, pret që diskutimet të mos zgjasin më shumë se dy-tri javë.

Osmani ka shtuar se VV-në e shohin si alternativën e vetme për bashkëqeverisje dhe se nëse dështon kjo marrëveshje, nuk i frikësohen zgjedhjeve.

“Është mirë që të synojmë të arrijmë marrëveshje në kohë rekord. Kur të certifikohen rezultatet të mos na marrë më shumë se dy-tri javë. Brenda nëntorit, nëse gjatë tetorit kemi rezultat final atëherë brenda nëntorit do të duhej të finalizojmë diskutimet. Kemi vullnet që sa më shpejtë të përfundojmë diskutimet, pasi të dihen rezultatet. Nëse edhe VV-ja ka vullnet, s’shoh se mund të ketë probleme të mëdha. Ne nuk shohim asnjë partner tjetër qeverisës, e shohim vetëm VV-në. Nëse VV nuk do të arrijë marrëveshje, shkojmë në zgjedhje të reja. S’i frikësohemi zgjedhjeve. Shpresoj që edhe VV-ja të tregojë po të njëjtin vullnet që këtë ndryshim që e votuan qytetarët ta bëjmë vullnet”, ka thënë ajo.

21:33

Osmani: Pa SHBA-në, s’mund të arrijmë marrëveshje të mirë me Serbinë

Sipas Vjosa Osmanit, pa mbështetjen e Amerikës, Kosova nuk mund të arrijë marrëveshje të mirë finale me Serbinë.

Pas takimit të djeshëm me ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, që është i dërguar special i presidentit Trump për dialogun Kosovë – Serbi, Osmani ka thënë se është lajm i mirë mbështetja e SHBA-së për Kosovën.

“Bashkë me kryetarin Mustafa dje u takuam me ambasadorin Grenell, si përfaqësues i Trumpit në dialog. Tregon përkushtim më të madh të SHBA-së që të ecet përpara drejt arritjes së marrëveshjes, por sa që të arrihet kjo deri në mars, është pikëpyetje. S’është kërkuar që marrëveshja të arrihet deri në mars, por që të tregohet gatishmëri që sa më shpejtë të shkojmë në dialog. Duke parë kontekstin e relacioneve Kosovë-Serbi, na duhet kohë që marrëveshja finale të jetë marrëveshje që mbron interesat tona. Detyra jonë do të jetë të mbrojmë interesat të Kosovës dhe që marrëveshja e tillë garanton paqe e stabilitet në rajon”, ka thënë ajo.

“Është mirë nëse kemi mbështetje kaq të madhe personalisht nga presidenti Trump. Do të ishte fatkeqësi nëse s’do të kishim interesim nga SHBA-ja. Historia tregon që në asnjë hap Kosova s’ka arritur sukses pa pasur mbështetjen e SHBA-së. S’do të mund të arrijmë marrëveshje të mirë pa këtë mbështetje të Shtëpisë së Bardhë. Duhet të sigurohemi të rindërtojmë urat e miqësisë që për fat të keq janë dëmtuar, sepse e kemi ekzistenciale. Gjatë qeverisjes së fundit patjetër që janë lënduar këto raporte dhe këtë si LDK e shohim si prioritet qeverisës që të kemi SHBA-në 100 për qind prapa me përkrahje”, ka shtuar ajo.

21:18

Osmani e quan gabim të madh marrëveshjen e Ramës me Vuçiqin për “Mini-Shengen”

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, e ka quajtur gabim të rëndë idenë e një Mini Shengeni Ballkanik, për të cilin janë dakorduar sot kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

“Mendoj se është për fat të keq që një gjë e tillë ka ndodhur. Nuk e di nëse kryeministri Rama është konsultuar me dikë në Kosovë para se të arrijë një marrëveshje të tillë, por është totalisht gabim”, ka thënë Osmani, duke qenë se Shqipëria dhe Serbia nuk takohen askund përveç përmes Kosovës.

Lexo edhe: Zbulohet deklarata e përbashkët e Ramës, Vuçiqit dhe Zaevit për “Mini Shengen Ballkanik”

Osmani ka thënë se synimi i Kosovës deri tani ka qenë që Kosova të pranohet në të gjitha nismat rajonale.

“Përtej kësaj, ne po shohim që jo vetëm që Serbia po e pengon Kosovën, por edhe Shqipëria e injoron atë në këtë rast. Është absolutisht gabim që Shqipëria të pranojë të arrijë një marrëveshje në të cilën Kosova nuk është pjesëmarrëse, madje si shtet i pavarur”, ka thënë Osmani në Rubikon të KTV-së.

21:13

Osmani flet për disa pika që e ndajnë e që e bashkojnë LDK-në e VV-në

Vjosa Osmani, bartëse e listës së LDK-së ka folur për disa pika që i ndajnë e për ato që i përbashkojnë partinë e saj me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ajo ka thënë se të gjitha pikat diskutabile do të diskutohen në ditët në vazhdim.

“Disa pika janë simbolike, e disa janë më thelbësore. Për ne Republika e Kosovës është projekt i përhershëm dhe ne punojmë që Kosova të jetë projekt i përhedhshim, e jo si një hap kalimtar”, ka thënë Osmani, teksa ka shtuar se kjo është një çështje që LDK-ja as që mendon se duhet të përfshihet në programin qeverisës.

“Kemi aq shumë punë të bëjmë për ta forcuar shtetësinë e Kosovës saqë as që do t’i vjen radha kësaj teme”, ka thënë ajo, në Rubikon të KTV-së.

Ajo ka thënë se e sheh totalisht si të panevojshme çështjen e përdorimit të Lekut në Kosovë.

“Me Shqipërinë ka shumë hapësirë për bashkëpunim, natyrisht me raporte vëllazërore, si dy shtete të pavarura. Në tregti duhet të hiqen barrierat e vëna”, ka thënë ajo.

Kur ka folur për shërbimi i detyrueshëm ushtarak, ajo ka thënë se e shohin pak më ndryshe nga Vetëvendosje.

“Kërkohet që krahas transformimit të FSK-së në Ushtri, të ndërtohen kapacitetet e plota, dhe më pastaj të fillojë një shërbim ushtarak i obligueshëm prej tre muajsh. Kështu ulet numri i rekrutëve dhe në aspektin financiar është më e lëvërdishme. Kjo po ashtu u ndihmon gjeneratave të reja ta respektojnë më shumë shtetin e tyre, dhe ta krijojnë një shprehi të punës”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se LDK-ja mendon se buxheti për ushtrinë të vihet në nivelin që e kanë shtetet e NATO-s.

“Me VV-në në këtë pikë mendoj se mund të gjendet një mes. Po na vjen mirë që VV-ja si parti e majtë po mendon se duhet të ketë më shumë buxhet dhe infrastrukturë për ushtrinë”, ka thënë Osmani.

21:08

Osmani thotë se votat e Listës Serbe do të jenë të rëndësishme

Vjosa Osmani nga LDK-ja ka thënë se bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje do t’i marrin 61 ose më shumë deputetë.

Në Rubikon të KTV-së, megjithatë, ka thënë se do të jenë të rëndësishme votat e Listës Serbe.

“Bashkë me pakicën do arrijmë qeveri stabile me 2 të 3”, tha ajo.

Pjesëmarrjen e Listës serbe, si juriste, e sheh të rëndësishme.

“Ta zëmë ministrat jo doemos duhet të jenë të Listës serbe por duhet gjithsesi që të jetë vota e tyre”, tha ajo.

“Është me rëndësi të diskutojmë me të gjithë, pra përfshirë Listën Serbe. Nëse shumica në 10 ulëset e deputetëve serbë janë nga ata, duhet t’i kemi parasysh votat e tyre, kështu thotë Kushtetuta jonë”, tha ajo.

Osmani ka folur edhe për kontratën me ContourGlobal, e ka vlerësuar si të rrezikshme dhe ka thënë se s’do të përkrahet.

“Nesër dy partitë politike do të diskutojmë për këtë çështje”, tha ajo.

20:55

Osmani flet për rëndësinë e votave para se të zgjidhet kryeministri

Vjosa Osmani, kandidate për kryeministre nga LDK-ja, tha se do të shikohen se vota kanë marrë vet ajo e vet Albin Kurti, për të arritur marrëveshje përfundimtare mes VV-në për bashkëqeverisje.

Pa dashur të komentojë shumë, e ka lënë të hapur postin e kryeministrit pasiqë ka thënë se është çështje e rëndësishme të dihen së pari votat e kandidatëve për kryeministër, në këtë rast asaj dhe Kurtit.

Osmani tha se s’do të paragjykojë, por është çështje e rëndësishme të dihen sa vota kanë kandidatët për kryeministër pra ajo dhe Kurti nga Vetëvendosja, sa vota ka partia nga vjen ajo dhe sa ka VV-ja dhe nga sa mandate kanë.

“Nuk mund të qeverisë dikush në rast se ka vetëm 30 deputetë”, u shpreh ajo.

“Mos të keqkuptohem se s’ka vullnet, madje ka vullnet të mirë mes nesh”, u shpreh ajo.

Osmani thotë se nëse ndryshon rezultati, “unë jam kandidatja e vetme e LDK-së për kryeministre”.

“VV duhet ta dijë një gjë të qartë, nëse arrihet një marrëveshje mes nesh, ne kurrë s’punojmë pas shpine. Është me rëndësi që edhe ata të veprojnë njëjtë”, tha ajo.

Osmani ka shtuar se nga 21 ministri që kanë qenë, sot në takim me Kurtin është diskutuar se cilat ministri mund të reduktohen e cilat të bashkohen.

“Së paku 30 për qind do të jenë me gra”, u shpreh ajo.

Osmani tha se jo gjithsesi do të jetë pjesë e Qeverisë, për këtë thotë se nuk ka marrë asnjë vendim deri tash dhe do ta shikojë në ditët në vijim.

Sipas Osmanit, ka shumë fusha që LDK-ja s’lëshon pe, por ka thënë se është herët të diskutohet për to.

“Nëse ka reduktim në 12 ministri do të ketë më shumë rezore”, tha ajo.

20:50

Osmani komenton deklaratën e bashkëshortit: U bë në kohën kur na u rrezikuan fëmijët

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka komentuar një paraqitje të bashkëshortit të saj, Prindon Sadriu, menjëherë pas shpalljes së rezultatit preliminar të zgjedhjeve, që akuzoi eksponentin e Vetëvendosjes, Agim Bahtiri, për përkrahje të një portali që fabrikonte lajme për ta sulmuar Osmanin.

“Prindoni ka folur për sulmet që janë bërë ndaj familjes sonë. Kjo nuk ka të bëjë me LDK-në. Ka folur në një moment kur është rrezikuar edhe jeta e fëmijëve tanë. E ka shkruar kur disa persona kanë ardhur në oborrin e shtëpisë sonë dhe kanë frikësuar fëmijët tanë”, ka thënë Osmani.

Lexo edhe: Bashkëshorti i Vjosa Osmanit akuzon Agim Bahtirin për fabrikim të lajmeve të rreme

Ajo ka thënë se portale e faqe të krijuara ad-hoc kanë përhapur të pavërteta, “kinse jemi spiunë të Serbisë, të Rusisë, kinse Vjosa është dëshmitare e Hagës dhe se ka mbledhur dëshmi kundër UÇK-së”.

“Ka qenë e njëjta klimë si në kohën kur janë vrarë figurat e LDK-së. Edhe atëherë, dikush ka krijuar retorikën, por kurrë nuk e kanë marrë përsipër përgjegjësinë kur ka ndodhur ndonjë sulm ndaj figurave më të larta të LDK-së”, ka thënë Osmani, në Rubikon të KTV-së.

Ajo ka thënë se nuk do ta përziejë këtu LDK-në, por do të merren si familje me ndjekjen e drejtësisë ndaj këtyre faqeve e portaleve që kanë fabrikuar lajme.

20:36

Osmani thotë se deri tash s’ka asgjë konkrete, me VV-në ka vetëm marrëveshje për të negociuar

Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila sot parimisht u dakordua me Albin Kurtin nga Lëvizja Vetëvendosje për të shkuar në koalicion që do ta përbënin qeverinë e ardhshme, në Rubikon të KTV-së ka thënë se megjithatë janë në pritje të numërimit të votave të mbetura dhe të kuptohet përfundimisht gjithçka mes tyre.

“Kemi pritur të jemi shumë më përpara, por tash duhet të presim rezultatin final dhe të dihet ku janë këto dy parti”, tha ajo.

Sipas Osmanit, që ishte kandidate për kryeministre nga LDK-ja, tha se pas numërimit të të gjitha votave “do të përpiqemi të arrijmë një marrëveshje me Vetëvendosjen”.

Osmani ka folur për takimin e sotëm që zhvilloi me Kurtin por thotë se s’ka asgjë konkrete dhe me VV-në kanë arritur vetëm marrëveshje për të negociuar.

“U morëm vesh të tentojmë të arrijmë një marrëveshje, gjatë këtij takimi të dy palët treguam vullnet të mirë për të bashkëqeverisur e për të negociuar. Por, asgjë s’kemi arritur deri tash. Kemi arritur vetëm marrëveshje për të negociuar”, tha ajo.

Kandidatja për kryeministre e LDK-së, tha se “s’shohim partner tjetër bashkëqeverisës”.

“Nëse nuk arrijmë assesi mes nesh, normalisht që opozita është opsion. Nga ana tjerë ka vullnet të plotë të arrihet një marrëveshje por s’mund të them cili është rezultati përfundimtar sepse është herët dhe po presim edhe rezultatet përfundimtare”, tha ajo.

Për momentin, tha ajo, ka vullnet të mirë për bashkëqeverisje. Shprehet optimiste që gjatë rrugës mos të prishet asgjë, por thotë se VV-ja “duhet ta dijë se kur të ulemi për të biseduar të ulemi si të barabarta”.

Osmani thotë se nuk mund të shkojnë në bashkëqeverisje nëse kanë ide të kundërta mes vete.

“S'mund t'i kemi dy qeveri paralele. Ne synojmë ta bëjmë qeverinë sa më shpejtë, por mos të ketë iluzione se kjo është diçka e thjeshtë”, tha ajo.

20:34

Osmani pret që rreth 90 për qind e atyre që kanë votuar LDK-në e kanë votuar edhe atë

Vjosa Osmani, kandidate e LDK-së për kryeministre, ka thënë se, sipas rezultateve të deritashme, ajo ka marrë rreth 85 apo 90 për qind të votave që ka marrë LDK-ja si parti në zgjedhjet e 6 tetorit.

LDK-ja, që doli e dyta në zgjedhje, sipas numërimit të votave të rregullta, ka marrë 197 mijë e 702 vota.

Duke folur në Rubikon për numrin e votave që ajo pret si prijëse e listës së kandidatëve për deputetë nga LDK-ja, Osmani ka thënë se kjo do të konfirmohet veç pas certifikimit të rezultateve.

“ Rekordi i deritashëm për vota për një grua ishte 65 mijë që e kisha vetë. Akoma s’e di numrin e votave, por nga ajo që po shoh, vota ime është rreth 85, apo 90 për qind e votave të LDK-së”, ka thënë ajo.

Sipas saj, LDK-ja ka arritur në afro 200 mijë vota për shkak “të punës së jashtëzakonshme të ekipit të LDK-së, me motor që janë degët e nëndegët”.

20:31

Osmani arsyeton humbjen e LDK-së në Gjilan, thotë s’është njëjtë gara ndaj Kurtit si ndaj Kurteshit

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka arsyetuar humbjen e partisë së saj në Gjilanin e Lutfi Hazirit, ndaj Vetëvendosjes. Atje LDK-ja është mbrapa me 13 për qind, ose rreth 5 mijë e 600 vota.

Osmani ka thënë se angazhimi i Lutfi Hazirit ka qenë në tërë Kosovën, dhe jo vetëm në Gjilan.

“Kjo e ka hendikepuar atë, meqë nuk ka mundur të merret vetëm me Gjilanin, por ka qenë në tërë Kosovën, me kërkesën tonë si shef i Shtabit Zgjedhor”, ka thënë Osmani.

“Nuk po e arsyetoj, por askush nuk mund të bëjë me gisht ndaj askujt se nuk ka punuar si duhet e sa duhet. Unë dua të falënderojë të gjithë ata që kanë punuar natë e ditë, dhe që më kanë përkrahur parezervë”, ka shtuar më tej.

Osmani ka thënë se megjithatë njerëzit në nivel lokal votojnë ndryshe në nivel qendror.

“Ndryshe është kur konkurrenca është në mes të Kurtit, e ndryshe kur ajo është kundër Ismail Kurteshi”, ka thënë ajo, duke aluduar në garën në mes të Lutfi Haziri dhe Ismail Kurteshi për kryetar të Gjilanit në zgjedhjet e kaluara lokale.

Tutje, Osmani ka thënë se do të tregohej mosmirënjohëse dhe nuk do ta thoshte të vërtetën nëse do të deklarohej ndryshe.

Megjithatë, sipas Osmani, është me rëndësi se LDK-ja, është rritur me rreth 25 për qind në krahasim me zgjedhjet e kaluara të përgjithshme.

“Sipas kalkulimeve tona ne kemi një rritje prej mbi 50 mijë votash. Duke hequr AKR-në dhe Alternativën nga zgjedhjet e kaluara, me të cilat garuam bashkë, i bie që kësaj here kemi rritje prej rreth 25 për qind. Garuam vetë dhe bëmë mirë që garuam vetë. Ishte shumë me rëndësi që t’i masnim forcat”, ka thënë Osmani, në Rubikon të KTV-së.

20:17

Osmani: Nuk i kam duart e lidhura në LDK, maksimalisht jam përkrahur nga të gjithë

Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila sot parimisht u dakordua me Albin Kurtin nga Lëvizja Vetëvendosje për të shkuar në koalicion që do ta përbënin qeverinë e ardhshme, në Rubikon të KTV-së ka thënë se megjithatë janë në pritje të numërimit të votave të mbetura dhe të kuptohet përfundimisht gjithçka mes tyre.

“Kemi pritur të jemi shumë më përpara, por tash duhet të presim rezultatin final dhe të dihet ku janë këto dy parti”, tha ajo.

Sipas Osmanit, që ishte kandidate për kryeministre nga LDK-ja, tha se pas numërimit të të gjitha votave “do të përpiqemi të arrijmë një marrëveshje me Vetëvendosjen”.

Osmani thotë se kanë pritur të marrin mbi 200 mijë vota, por imazhin e LDK-së, e dëmtuan edhe disa incidente që ndodhën nëpër disa nëndegë.

“Në momentin kur kemi hyrë në procesin zgjedhor, kanë ndikuar të gjitha. Dallimi me Vetëvendosjen kanë qenë me vetëm 1 për qind. Pastaj në procesin zgjedhor ndryshuan të gjitha. Natyrisht se duhet të shohim se ku kemi ngecur”, tha ajo, duke ripërsëritur se përkrahjen nga brenda partisë e ka pasur në maksimum.

Osmani, ka thënë se “nuk i ka duart e lidhura” dhe asnjëherë nuk është ndikuar nga individë tjerë në parti.

Osmani ka folur edhe për videot e fundit që janë shpërndarë në rrjetet sociale, ku Osmani ka folur “kundër Mustafës” e gjithashtu Lutfi Haziri kundër Osmanit.

“Të gjitha kanë qenë montime. Kanë qenë narrativa të kundërshtarëve politikë që na kanë dëmtuar deri diku. Në një video të Hazirit që ka folur kundër, ka qenë krejtësisht e kundërta e tij sepse është bërë ndërhyrje”, tha ajo duke shtuar se LDK-ja nuk i ka marrë seriozisht këto gjëra.

Osmani shtoi se nuk ka pasur garë mes saj dhe Hazirit në garën për kryeministër por vetëm diskutime.

“Pasi kemi diskutuar gjerë e gjatë unë mora përkrahjen”, tha ajo.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme