OpEd

Vjena në vend të Vitisë, Gjeneva në vend të Gjakovës

Fushata elektorale e partive kosovare po zhvendoset në Perëndim. Ky është një sinjal i keq. Politikanët e Kosovës - veçanërisht këta të pushtetit - e kanë vendin në Kosovë. Ata duhet të dalin para qytetarëve, të komunikojnë me ta, të shpjegojnë çfarë kanë bërë në 4 vitet e fundit dhe çfarë nuk kanë realizuar, përkundër premtimeve astronomike.

Momentalisht fushata elektorale e partive politike të Kosovës është zhvendosur në Zürich, Berlin, Oslo, Stuttgart, Gjenevë e München. E nisi këtë fushatë partia në pushtet, ndërkohë u kyçën pa vonesë edhe partitë e opozitës. Fitohet përshtypja sikur Albin Kurti do të bëhet kryeministër i landit të Baden-Württembergut, Bedri Hamza kryeministër i Tirolit Jugor, Donika Gërvalla shefe e zyrës së landit të Bavarisë në Bruksel, Fatmir Limaj ministër i infrastrukturës në kantonin Graubünden të Zvicrës, Ramush Haradinaj drejtor për dhënien e licencave për lokale të gastronomisë në kantonin e Zürichut.

Derisa politikanët e opozitës udhëtimet e tyre duhet t’i paguajnë vetë (me gjasë nga arka e partisë së tyre), do të ishte me rëndësi të dihet nëse vizitat e pandërprera të pushtetarëve paguhen nga partitë e tyre apo nga buxheti i shtetit. Nëse ndodh kjo e fundit, do të ishte skandaloze.

Politikanët e Kosovës - veçanërisht këta të pushtetit - e kanë vendin në Kosovë. Ata duhet të dalin para qytetarëve, të komunikojnë me ta, të shpjegojnë çfarë kanë bërë në 4 vitet e fundit dhe çfarë nuk kanë realizuar, përkundër premtimeve astronomike. Fushata duhet të zhvillohet në Dragash dhe jo në Dortmund, në Malishevë dhe jo në München, në Suharekë dhe jo në Sion, në Gjakovë dhe jo në Gjenevë, në Vushtrri e Viti dhe jo në Vjenë.

Kjo fushatë e zhvendosur në Perëndim, e sidomos në Gjermani, Zvicër e Austri, ku jeton pjesa më e madhe e mërgatës nga Kosova, nuk është sinjal i mirë. Madje është sinjal i keq. Prioritet absolut duhet të gëzojnë qytetarët e Kosovës, jo diaspora. Pjesa më e madhe e saj është rehatuar në Perëndim. Shumica e mërgimtarëve kanë vende të punës. Kanë sigurime shëndetësore. Ajrin dhe ujin e kanë të pastër. Nuk duhet të dërgojnë familjarët e sëmurë për shërim në Turqi. Ushqimin që konsumojnë është i shëndetshëm. Mund të zgjedhin: a duan të shkojnë për pushime në Egjipt, në ndonjë ishull grek apo në Kosovë apo për një fundjavë të gjatë në New York.

Është e kuptueshme që mërgimtarët të merakosen për Kosovën, por jo më shumë se familjarët e tyre që jetojnë në Kosovë. Nëse shqetësimi i këtyre njerëzve të diasporës është aq i madh, le të kthehen e të jetojnë në Kosovë. Nuk ka dashuri nga distanca. Ashtu siç duhet t’u përkushtohen qytetarëve të Kosovës politikanët e atjeshëm, edhe mërgata duhet t’i kushtojë rëndësi integrimit. Ndonëse janë bërë hapa të mëdhenj në dy dekadat e fundit, megjithatë mërgata kosovare ka ende shumë punë. Një pjesë e madhe e mërgimtarëve vazhdon të kryejë punë të rënda fizike dhe shpesh fëmijët e tyre nuk arrijnë të shkëputen nga bota e prindërve. Numri i atyre që arrijnë të kualifikohen në profesione nuk është edhe aq i madh. Shembujt pozitivë që prezantohen në publik krijojnë një pasqyrë joreale. Papunësia dhe varësia nga ndihmat sociale në mesin e komunitetit shqiptar në Zvicër, për shembull, është mjaft e theksuar. Së fundi u bë e ditur se autoritetet e kantonit Aargau dëbuan nga Zvicra një familje kosovare pasi ajo mes viteve 2008 - 2022 mori 618 mijë franga ndihma sociale.

Opozita i ka akuzuar këto ditë pushtetarët se po i përdorin edhe përfaqësitë diplomatike të Kosovës për fushatë elektorale. Pjesërisht kjo është e vërtetë. Nëpër tubime pushtetarët shkojnë me vetura të ambasadave, të cilat nuk janë shërbim taksie për parti. Diplomatët vihen në situata të pakëndshme dhe disa janë aq naivë, saqë tubimet e pushtetarëve i paralajmërojnë në faqet zyrtare të ambasadës. Por ka edhe diplomatë që kanë integritet dhe refuzojnë çdo prekje me aktivitetet partiake në mërgatë. Pushtetarët mund të thonë, siç po përpiqen të thonë, se dikur ka qenë edhe më keq. Po, ka qenë. Dikush bënte qejf në hotele luksoze të St. Moritzit, dikush shkonte në Vjenë te rrobaqepësi për të prerë kostumin me masë, dikush kontrollohej te mjeku specialist në Gjermani. Pikërisht për shkak të këtyre dhe shumë skandaleve të tjera korruptive, partitë që gjenden në opozitë kanë marrë faturën para 4 vitesh. Por gati gjysmë milioni qytetarë nuk kanë votuar për ndryshim vetëm sa për t’u bërë dëshmitarë të eksceseve të përsëritura.

Në vitin 2011 socialogu i njohur zviceran Thomas Held vizitoi Kosovën. Kur u kthye, ai shkroi një kolumne të shkurtër, në të cilën, mes tjerash, theksonte: “Pas katër ditëve me ligjërata, biseda dhe vizita, u krijua përshtypja se Kosova po bëhet një ‘shtet i dështuar’. Edhe ata që dinin diçka më shumë, ishin të shokuar nga informacionet në terren: varfëri e hidhur, gjysma e popullsisë në moshë për punë e papunë, ekonomia e varur nga ndihmat e komunitetit ndërkombëtar dhe nga ndihmat e anëtarëve të familjeve që jetojnë jashtë, një kulturë korrupsioni që i frikëson investitorët. Të rinjtë e arsimuar shtyhen të hyjnë në politikë, sepse kështu mund të përfitojnë edhe ata nga ekonomia e klientelizmit. Të tjerë janë mësuar me pagat nga organizatat humanitare, saqë një punë në ekonominë lokale nuk vjen fare në konsideratë. Dëshira është të kesh një Audi A6, siç kanë të tjerët nga banda që tani është në pushtet, siç e quajnë bashkëbiseduesit aparatin shtetëror. (...) Shkollat e mbingarkuara punojnë me orar të reduktuar në turne, universitetet prodhojnë një lloj diplome të shkollës së mesme, për nxënien e disa profesioneve janë krijuar ndërmarrje të rreme. Me këto mangësi, çdo vit, më shumë të rinj nga Kosova hyjnë në një treg pune që nuk ekziston”.

13 vite kanë kanë kaluar nga botimi i tekstit të Thomas Held. Shumë gjëra nuk kanë ndryshuar nga atëherë. Ndërkohë polarizimi ka arritur kulmin. Debati publik është reduktuar në dhunë verbale, deformim faktesh, egërsi që ndoshta mund të krahasohet vetëm me vitet e para të pasluftës. Zhurma e atëhershme e pati çuar Kosovën gati në luftë civile. Sot, kush mendon racionalisht, nuk ka vend në hapësirën publike të pushtuar nga propagandistët që vringëllojnë me thikë.