Na nevojitet një sistem që është më i drejtë, më përfaqësues dhe më i aftë që të ndërmarrë veprime vendimtare karshi shkeljeve të rënda të Kartës së OKB-së. Teksa ndodhemi pranë Samitit të së Ardhmes që sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e ka planifikuar për vitin e ardhshëm, ne ia kemi borxh jo vetëm popullit ukrainas, por të gjithë njerëzimit që ta refuzojmë agresionin dhe t’i japim fund pandëshkueshmërisë së agresorëve. Vetëm kësisoj mund ta jetësojmë premisën e Kartës së OKB-së për një botë pa plagë të luftës
Invasioni ilegal i Rusisë në Ukrainë – një përpjekje kjo flagrante për ta rrënuar një shtet të pavarur e sovran që jeton paqësisht përbrenda kufijve të tij të njohur – ka ngritur pyetje qenësore lidhur me botën në të cilën jetojmë dhe për mënyrën sesi marrëdhëniet ndërkombëtare duhet të menaxhohen në të ardhmen. Një vit pas, kërkimi për përgjigje është edhe më urgjent dhe duhet t’i përfshijë edhe vendet afër dhe larg luftës.
Dështimi për t’i mbrojtur parimet thelbësore të sovranitetit dhe të pavarësisë kudo rrezikon që t’ua hapë dyert regjimeve autoritare e agresive në çdo cep. Për të jetuar në një botë ku përçarjet midis shteteve zgjidhen nëpërmjet negociatave dhe jo forcës, ne duhet të pranojmë që sfidimi i rendit ndërkombëtar të pas 1945-s nga lufta e afekton secilin shtet, pavarësisht sistemit apo aleancës politike. Ç’është e vërteta, janë vendet më të vogla dhe më pak të fuqishme ato që do të pësojnë më së shumti po qe se bota ndahet në blloqe konkurruese, siç pati ndodhur gjatë Luftës së Ftohtë.
Si një ish-sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara dhe një ish-president i Kolumbisë, ne nuk e shikojmë luftën në Ukrainë nga këndvështrimi evropian apo perëndimor. Kur e vizituam Kievin në gushtin e 2022-s, me ftesë të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ne qëndruam aty si pjesëtarë të Të Moshuarve, grup ky i pavarur liderësh që u themelua nga Nelson Mandela për mbrojtjen e paqes, drejtësisë, të të drejtave të njeriut dhe të ardhmes së qëndrueshme të planetit. Si pjesë e grupit, ne jemi të interesuar për përfundimin e luftërave e jo në fitimin e tyre, dhe besojmë se kurrë nuk është tepër herët që të niset me përgatitjet për dialog të ardhshëm, në emër të arritjes së një paqeje të përnjëmendtë dhe të qëndrueshme në linjë me Kartën e OKB-së.
Ne i shikojmë këtë luftë të tmerrshme dhe pasojat e tij nëpërmjet thjerrëzave globale. E kuptojmë se për vendet që përjetojnë inflacion dhe varfëri shkaku i kolapsit të furnizimit me drithëra dhe të rritjes së çmimeve të energjisë, mbrojtja e normave ndërkombëtare dhe mbajtja e Rusisë përgjegjëse janë çështje më pak urgjente sesa një krizë e sigurisë e nxitur nga mungesa e ushqimit që po kërcënon me miliona njerëz të cenuar.
Po kështu, e kuptojmë përse, në një kohë kur dinamikat e pushtetit gjeopolitik janë bërë më pak të parashikueshme, disa shtete kërkojnë t’i baraspeshojnë interesat e tyre politikë e ekonomikë në mënyrat që besojnë se do t’i ndihmojnë për ta ruajtur sigurinë dhe prosperitetin e ardhshëm. Për shumë shtete në Afrikë, Azi dhe në Amerikën Latine, muhabetet në Perëndim rreth ruajtjes së vlerave të “komunitetit ndërkombëtar” tingëllojnë boshe, duke e pasur parasysh dështimin e vendeve të kamura për të distribuuar në mënyrë të barabartë vaksina në kohën e pandemisë COVID-19, apo për ta jetësuar financimin e premtuar kaherë për luftimin e krizës klimatike.
Megjithëkëtë, përgjigjet nga Azia, Amerika Latine dhe pjesët e tjera të botës, përtej Evropës dhe Amerikës Veriore, nuk duhet të jenë zmbrapsje nga e drejta ndërkombëtare dhe të drejtat universale, apo të mbesin neutrale karshi asaj që po ndodh në Ukrainë. Në të kundërtën e asaj që disa e sugjerojnë, neutraliteti nuk i çon përpara gjasat për paqe; thjesht e trimëron presidentin rus, Vladimir Putin, të ngulmojë në synimin e tij për ta shkatërruar Ukrainën dhe mund të inkurajojë akte të ngjashme agresioni dhe ekspansioni territorial edhe gjetkë.
Janë bërë 80 vjet që nga Deklarata e Moskës, kur Aleatët e kohës së luftës u zotuan për “një organizatë të përgjithshme ndërkombëtare, të bazuar në parimet e barazisë së sovranitetit për të gjitha shtetet paqedashëse”. Sot, na duhet një zotim i ri nga të gjitha shtetet anëtare të OKB-së për ta përmbushur pjesën e tyre të punës në ringjalljen e një rendi të barabartë, të bazuar në rregulla që e mbron dhe që punon për gjithsecilin, përfshirë edhe për ata që janë më pak të fuqishëm.
Për arritjen dhe ruajtjen e një rendi të rigjallëruar ndërkombëtar nevojiten sisteme më të drejta të qeverisjes globale dhe konsistencë më e madhe në zbatimin e rregullave. Fuqitë rajonale në ngritje kanë një rol vital për ta luajtur – një zgjidhje të rëndësishme për ta bërë – në këtë aspekt. Samiti i vitit të shkuar i G20-s në Bali demonstroi sesi fuqitë rajonale, si Indonezia, mund të ndihmojnë në kapërcimin e ndasive. Liderët politikë e riafirmuan Kartën e OKB-së si qendrore dhe siguruan që interesat e Jugut Global të reflektohen në debatet dhe zotimet përfundimtare, si për sigurinë e ushqimit dhe të energjisë.
Tani, kryesimet e G20-s nga India, Brazili dhe Afrika Jugore e ofrojnë një mundësi për të ndërtuar mbi të arriturat e Indonezisë gjatë tre vjetëve të ardhshëm. Çështjet aktuale ndarëse nuk duhen lejuar që ta pengojnë synimin përfundimtar që të gjithë e ndajmë: një botë në të cilën përçarjet zgjidhen paqësisht dhe në përputhje me obligimet nga e drejta ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut.
Rikthimi i kredibilitetit të sistemit multilateral kërkon më shumë sesa vetëm udhëheqje etike dhe konsistencë morale. Kërkon edhe reforma ambicioze në paqen globale dhe në arkitekturën e sigurisë – një detyrë kjo që duhet ta përfshijë edhe çështjen thumbuese të reformimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Na nevojitet një sistem që është më i drejtë, më përfaqësues dhe më i aftë që të ndërmarrë veprime vendimtare karshi shkeljeve të rënda të Kartës së OKB-së. Teksa ndodhemi pranë Samitit të së Ardhmes që sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e ka planifikuar për vitin e ardhshëm, ne ia kemi borxh jo vetëm popullit ukrainas, por të gjithë njerëzimit që ta refuzojmë agresionin dhe t’i japim fund pandëshkueshmërisë së agresorëve. Vetëm kësisoj mund ta jetësojmë premisën e Kartës së OKB-së për një botë pa plagë të luftës.
(Ban Ki-moon, zëvendëskryesues i Të Moshuarve, është ish-sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara dhe ish-ministër i Jashtëm i Koresë së Jugut. Juan Munuel Santos, laureat i Çmimit Nobel për Paqe, është ish-president i Kolumbisë (2010-2018) dhe anëtar i Të Moshuarve. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).