OpEd

Tifozët duan rimë, elektorati do ritëm, Republikës i duhen funksionarë me profesion

Si shoqëri, kemi hyrë në një vit të rëndësishëm elektoral, janë përcaktuar zgjedhjet e përgjithshme për kuvendin e Republikës nga ku do të dalë dhe qeveria si dhe, gjatë vjeshtës do të mbahen zgjedhjet lokale për kuvendet Komunale dhe kryetarët. 

Organizimet partiake dhe elektorale në historikun e tyre, njihen nga kohëra të hershme, në Angli, që kur “Magna Carta Libertatum” apo “Karta e Madhe e Lirive” (Qershor 1215) ia kufizoi pushtetin absolut monarkut, duke i bërë të mundur organizimet partiake me Torët (pronarët e tokave), Vigët (farkëtarët) apo më vonë Konservatorët, Liberalët dhe Laburistët. Organizimet partiake dhe elektorale moderne ndodhën edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Partinë Demokratike gjatë vitit 1792 me Thomas Jefferson dhe më pas me Partinë Republikane gjatë vitit 1834 me Abraham Lincoln, e krahas organizimeve partiake njihet edhe organizimi elektoral dhe tifozeria e tyre. 

Në vendin tonë, partitë politike, kanë krijuar tashmë elektorate të besueshme neto mbi bazën e botëkuptimeve, por dhe tifozeri bruto sikur të zhvillohej një ndeshje sportive. Rrjedha më tipike e komunikimit me elektoratin është mes strukturave partiake, përmes të cilave u bëhen prezantimet dhe pikësynimet mbi qëllimet politike, që ndërlidhet ngushtë me vendosmërinë e pasionin politik. Tifozeritë ndërkaq, afrohen e ftohen si mbështetje brohoritjesh në kohë fushatash, të tillët mund të jenë ajo masa bruto e paprofilizuar. Por, asnjëherë nuk ka mjaftuar të konsiderohet veçse si interes ndaj tifozerisë, po nga strukturat duhej entuziazëm e kreativitet si domosdoshmëri për ovacionet partiake. Jo rrallë, tifozeria, janë quajtur fronti i dytë mbështetës për strukturat politike pas elektoratit, mbase edhe për shkak të hallkave lidhëse dhe madhësisë bruto. Tifozeria, mblidhet e mbështet për arsyen e fitores dhe jo leximit të politikës, ngase politikën e konceptojnë si sport dhe jo si bindje e orientim, fundja kjo edhe është dallimi unik në mes elektoratit e tifozerisë politike. Tifozeria janë ata të ngjarjeve politike, të veprimeve brohoritëse, të shfaqjes së flamujve e banderolave, materialeve me tekste, figurave apo karakteristikave të tjera me rima politike përgjatë fushatave zgjedhore, e gjitha për të mbajtur ritmin e elektoratit në përkrahje të strukturave partiake politike. 

Politikat publike të krijuara nga strukturat politike drejtuese e qeverisëse, duan shumë më tepër transparencë e njëkohësisht shumë më tepër llogaridhënie ndaj qytetarit, ndaj elektoratit, i cili është përcaktues në pllakosjen e rezultatit të zgjedhjeve. Parti politike kur humbin pushtetin nga vota elektorale, e bashkë me të edhe privilegjet, shpeshherë, kanë humbur dhe arsyen e deklarimeve, duke përdorur fjalë fyese e njollosëse ndaj figurave politike mbase edhe kundër interesave të Republikës, duke gjykuar se, u është bërë një lloj "padrejtësie", çuditërisht, duke ndenjur të hutuar për korrigjim gjatë qëndrimit në opozitë. E për më keq, ka nga ata që fokusin e kanë tek humbja e privilegjeve si "padrejtësi", dhe jo, si mundësi përmirësimi nga ndëshkimi i votës së elektoratit e tifozërisë për keqqeverisjen. 

Kur miliona amerikanë e votuan heroin e Luftës së Dytë Botërore si kandidatin e tyre republikan për President, Dwight Eisenhower, i cili, kishte përdorur rimë e ritëm, marrë nga slogani i fushatës presidenciale të vitit 1856 të kandidatit republikan John C. Fremont, ku thoshte; “toka e lirë, punë e lirë, fjala e lirë, burra të lirë", rima e ritmi që përdori Eisenhowerin e ndihmoi ta mundte kandidatin demokrat, Adlai Stevenson. Rima e ritmi u bënë precedent i zakonshëm fushatash elektorale. 
Përtej, rimës e ritmit, prezantimeve e motove politike, Republikës i duhet emancipimi politik brendashoqëror që duhet pranuar si veçanti e demokracisë, si votë e procedurë; e kundërta, sjell votë ndëshkuese elektorale. Republikës sonë parlamentare i duhen pafund funksionar me profesion, me integritet e të dijshëm, për reflektim të guximshëm politik. Duhet t'i kemi mësuar se, rregullat e demokracisë na mundësojnë vetëkritikën, kritikën dhe diskutimet si mundësi emancipimi, e veç kështu, flaket primitivizmi parlamentar në Republikën tonë demokratike. 

Republikës së Kosovës i duhet kohë për shërim nga lëndimet e të së kaluarës nga ineptokratët dhe heroizëm për ta bërë atë që është e drejtë, si detyrë unike kombëtare e shtetërore.

(Autori është njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare)