OpEd

S’ka më kohë për të humbur: 2026-a të sjellë institucione funksionale e progres

Viti 2026 duhet të sjellë institucione funksionale dhe progres të vërtetë për Kosovën—progres në zhvillimin ekonomik, luftën kundër korrupsionit, arsimin, shëndetësinë dhe mbrojtjen e mjedisit. Mbetem optimist se ditët e fundit të vitit 2025 do të shënojnë një pikë kthese dhe uroj për një Vit të Ri me paqe, stabilitet dhe progres të prekshëm nga i cili përfitojnë të gjithë qytetarët e saj

Kur e shkrova op-ed-in tim të mëparshëm vitin e kaluar, isha ende i ri në Kosovë, me vetëm katër muaj në detyrë. Një vit më vonë, nuk e konsideroj më veten të ri. Viti që lame pas ka bërë që ta njohë më thellë Kosovën—historinë, kulturën e saj dhe, mbi të gjitha energjinë e jashtëzakonshme, qëndrimin pozitiv dhe qëndrueshmërinë e popullit të saj.

Gjatë gjithë vitit, angazhimi im nëpër komuna më çoi anembanë Kosovës. Duke udhëtuar nga një komunë në tjetrën, takova njerëz nga të gjitha komunitetet dhe dëgjova shqetësimet, aspiratat dhe sfidat e tyre të përditshme. Këto biseda ofruan një pasqyrë të vlefshme të dinamikave lokale, si dhe një përkushtim të fortë ndaj vlerave evropiane dhe dëshirën për një të ardhme më të mirë.

Në një kohë pasigurie të thellë globale, vlerat kanë më shumë rëndësi se kurrë.

Evropa po përjeton periudhën më sfiduese të këtij shekulli. Lufta e paprovokuar e agresionit rus kundër Ukrainës ka shembur supozimet e kahershme për paqen në kontinentin tone duke na kujtuar se siguria, demokracia dhe liria nuk mund të merren kurrë si të mirëqena.

Duke qenë projekt paqeje që nga fillimi, Bashkimi Evropian është kthyer te parimet bazë të tij. I bashkuar në mbështetjen e Ukrainës, BE-ja qëndroi në drejtimin e vet, duke përshtatur politikat dhe instrumentet e saj ndaj sfidave më të gjera të sigurisë që burojnë nga agresioni i vazhdueshëm i Rusisë. I fortë në unitetin e tij, BE-ja dërgoi një mesazh të qartë: nuk do t’i nënshtrohemi frikësimit apo agresionit.

Në këtë mjedis gjeopolitik që po ndryshon, është inkurajuese të shohim Kosovën duke qëndruar fuqishëm në anën e duhur të historisë.

Përafrimi i Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, përfshirë mbështetjen e plotë për sanksionet kundër Rusisë dhe Bjellorusisë, shkon përtej një qëndrimi thjesht politik. Ai pasqyron një përkushtim parimor ndaj BE-së dhe një gatishmëri të qartë për të kontribuar në sigurinë e Evropës. Kjo shënon gjithashtu përkushtimin ndaj vlerave evropiane në kohë të vështira, gjë që është thelbësore për ta paraqitur Kosovën si një partner të besueshëm në një kohë kur politikat e zgjerimit dhe integrimit gradual të BE-së kanë marrë një momentum të ri.

Ky momentum, së bashku me mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për Kosovën, përfaqëson një mundësi që duhet shfrytëzuar.

Që nga viti 1999, Bashkimi Evropian ka investuar mbi 3.7 miliardë euro në Kosovë, duke e bërë atë partnerin më të fortë të Kosovës dhe ofruesin më të madh të ndihmës financiare. Këto investime, të cilat vazhdojnë të rriten nga viti në vit, tregojnë qartë se BE-ja e sheh Kosovën jo vetëm si partnere, por si pjesë integrale të procesit të integrimit evropian.

Me shpresë dhe inkurajim kemi parë zhvillime pozitive, përfshirë mbarëvajtjen e dukshme të zgjedhjeve parlamentare në shkurt dhe të zgjedhjeve komunale në tetor dhe nëntor, të pasuara nga dorëzimi i qetë i pushtetit në katër komunat veriore. Kjo është kyçe për përfshirjen e të gjithë qytetarëve në jetën politike të Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike.

Këto zhvillime, nga ana tjetër, i mundësuan BE-së të fillojë heqjen graduale të masave të vendosura në vitin 2023, siç u bë e ditur nga Përfaqësuesja e Lartë Kallas gjatë vizitës së saj në Prishtinë në maj. Në margjinat e Samitit BE–Ballkani Perëndimor më 17 dhjetor, presidentja von der Leyen njoftoi se të gjitha fondet e mbetura do të lirohen deri në fillim të vitit të ardhshëm.

Megjithatë, Kosova ka ngelur prapa për shkak të ngërçit të tejzgjatur politik. Në shumë aspekte, viti 2025 ishte një vit i humbur. Paraliza politike dhe institucionale jo vetëm që i ngadalësoi reformat në vend, por gjithashtu kufizoi aftësinë e Kosovës për të përfituar plotësisht nga mbështetja e BE-së, përfshirë Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, i cili ka paraparë 882 milionë euro për rritjen ekonomike dhe reformat e nevojshme në Kosovë.

Pavarësisht kësaj, mbetem optimist se ditët e fundit të vitit 2025 do të shënojnë një pikë kthese.

Besoj se zgjedhjet e 28 dhjetorit do të mundësojnë konstituimin e shpejtë të Kuvendit dhe formimin e një qeverie stabile. Kosova nuk e ka luksin një viti tjetër të stagnimit.

Kufijtë e Kushtetutës së Kosovës u testuan mjaftueshëm gjatë vitit 2025 dhe nuk kanë nevojë të testohen më tej. Respektimi i sundimit të ligjit, pavarësia e institucioneve të drejtësisë—përfshirë Këshillin Prokurorial të Kosovës—dhe vazhdimi i reformave në drejtësi mbeten thelbësore për zhvillimin demokratik dhe të ardhmen evropiane të Kosovës.

Po aq e rëndësishme është ruajtja e karakterit multietnik të Kosovës. Kushtetuta e Kosovës, e bazuar në Planin e Ahtisaarit, e njeh Kosovën si shoqëri multietnike dhe ofron mbrojtje të fortë për të drejtat e komuniteteve joshumicë, qeverisje të decentralizuar dhe mekanizma për pjesëmarrje politike. Përqafimi dhe zbatimi i plotë i kësaj kornize kushtetuese është në interes të të gjithëve që jetojnë në Kosovë.

Është jetike që Kosova të krijojë pa vonesë institucione plotësisht funksionale.

Bashkimi Evropian ka nevojë për një partner të qëndrueshëm dhe të besueshëm—një partner të aftë për të zbatuar reformat dhe për të respektuar angazhimet që Kosova ka marrë ndaj BE-së, përfshirë ato në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përparimi në zbatimin e marrëveshjes së normalizimit mbetet kyç për avancimin e të dyja vendeve në rrugët e tyre evropiane.

Nuk ka më kohë për të humbur. Viti 2026 duhet të sjellë institucione funksionale dhe progres të vërtetë për Kosovën—progres në zhvillimin ekonomik, luftën kundër korrupsionit, arsimin, shëndetësinë dhe mbrojtjen e mjedisit. Në fund të fundit, këto reforma kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së përditshme të njerëzve në mbarë Kosovën.

Mbështetja e BE-së në këtë përpjekje ka qenë e vazhdueshme që nga viti 1999 dhe do të vazhdojë. Me këtë në mendje, u uroj të gjithëve në Kosovë një Vit të Ri me paqe, stabilitet dhe progres të prekshëm nga i cili përfitojnë të gjithë qytetarët e saj.

Autori është Ambasador i BE-së në Kosovë