Nuk është më vetëm mbreti cullak. I tërë pallati mbretëror është cullak, është shndërruar në kamp nudistik. Rrobat të cilat mendoni se i keni të veshura në trup, mos mendoni se po u mbulojnë edhe nuk po ju shohim të zhveshur ashtu për çfarë ju të gjithë në të vërtetë jeni, NUDO dhe të zhveshur nga çdo vlerë njerëzore, politike, patriotike është zhveshja më e gërditshme dhe e turpshme që mund t’i ndodhë një njeriu. Ajo zhveshja fizike edhe është e natyrshme, se të tillë lindim dhe të tillë hyjmë nën dhe
E hënë, 17.9.2018
Interesim i madh për policë, për 300 vende aplikuan rreth 17 mijë persona
Me të lexuar këtë kabllogram të radhës nuk kishte se si të mos e pyesja veten: a me të vërtetë është interesimi i tillë apo është në pyetje diçka tjetër?
E mbaj ndërmend që në kohën kur unë aplikoja për studimet në Fakultetin e Stomatologjisë aplikonim 400-500 për t’u pranuar 50-60 studentë, dhe këtë mund ta quaj interesim. Mirëpo raportin 17 mijë me 300 më falni, por unë nuk mund ta quaj interesim. Këtë vetëm mund ta quaj dështim total të shtetit duke mos krijuar kushte të punësimit dhe angazhimit të të rinjve. Jo, nuk e nënçmoj punën e policit, është shumë punë me përgjegjësi dhe njëri nga segmentet që qytetarit në një shoqëri demokratike i ofron siguri dhe zbatim të ligjit. Ky numër aq i madh i aplikuesve nuk më bind se këta janë entuziastët e zbatimit të ligjit në të ardhmen, por janë të dëshpëruarit e situatës së tashme dhe që shpresojnë në një punësim eventual në këtë institucion publik. Më intereson si do të kontrollohen 17 mijë aplikime? Çfarë metodologjie zbatohet për filtrimin e tyre, a hyjnë që të 17 mijë aplikantët në testet përkatëse? E kuptoni që procesi që në start i ka të metat e veta vështirë të riparueshme. Për ekonomistët është i kuptueshëm niveli i papunësisë në Kosovë dhe unë mund t’ju them se ai qenka alarmant. Aplikantëve të suksesshëm u dëshiroj suksese në fazën trajnuese të tyre, si dhe në aplikimin dhe zbatimin e ligjit një ditë kur do të jenë në detyrë.
E martë, 18.9.2018
Nipi i Jakup Krasniqit bëhet inspektor i naftës në ministrinë e NISMA-s
Kabllogrami i radhës, i cili më priti në tavolinën time të punës ditën e pazarit ishte ky me përmbajtjen se nipi i Jakup Krasniqit qenka emëruar inspektor i naftës në ministrinë e NISMA-s. E po çka ka këtu për t’u çuditur? Këta komandantë kanë luftuar për të rehatuar nipa, miq, dashamirë e dashnore nëpër poste publike shtetërore. Pse të ishte ndryshe me këtë rast? Pse Baci Kupë me e prishë rendin e burrave, e trimave të tjerë që e përvetësuan lirinë dhe çmimin e saj ende s’e paguam, apetitet asnjëherë nuk u ngopën. Por Baci Kupë nuk e kishte lënë vetëm me një nip qe besa, i kishte edhe nja 5 apo 6 të tjerë. E ne edhe po çuditemi se nga dolën 60 mijë veteranë. Po ja kështu me të njëjtën recetë. Zhvat këtu e zhvat atje. Po asgjë nuk ishin rriqrat e Malishevës e as ethet hemorragjike se çka ishin proceset transicionale “demokratike”. Këto po e thithshin gjakun e shtetit, po ia mbytshin sistemin imunitar derisa të vijë edhe dita që ky shtet e ky vend të shtrihet përtokë e të shënojë një kolaps total.
E mërkurë, 19.9.2018
Kadri Veseli: Deri në Hënë kemi shkuar me patriotizëm
Pse bre Kadri e le si në gjysmë të rrugës këtë deklaratë tënden në konferencën për shtyp, të cilën e bëre në Kuvend? Pse nuk tregove që përveçqë me patriotizëm shkuam deri në Hënë, atje e shpallëm edhe republikën tonë të parë shqiptare, Shqiptarhanën. Aktin e shpalljes së Republikës e lexoi presidenti LEGENdar Hashim Thaçi, por, thënë të drejtën, aty ka kontribuuar shumë shefi yt partiak, se ti je vetëm ushtrues detyre i kryetarit të PDK-së, ti e edhe plot aktorë të tjerë, qeveritarë e partnerë tuaj gjithashtu. Deklarove se do të duhej të kritikohej Vuçiqi e jo Hashim Thaçi! Qesharake pak kjo deklaratë zotëri kryekuvendar!
Po të kishit ju pak sentiment për popullin e këtë vend, atij njeriu as që do t’ia lejonit ardhjen në këtë vend e jo të na krijonit aty cirk, që edhe ashtu jemi mësuar ta shohim nga ana juaj, si dhe e Qeverisë dhe vartësve të saj. Prandaj kjo deklaratë vetëm se na e ofendon edhe atë copë logjike, e cila mundohet të mbijetojë në këtë vend që e bëtë shkret. Kryetari juaj partiak ishte ok edhe me ardhjen e pelegrinëve në Gjakovë, ja, aq patriotë jeni ju. Nuk është më vetëm mbreti cullak. I tërë pallati mbretëror është cullak, është shndërruar në kamp nudistik. Rrobat të cilat mendoni se i keni të veshura në trup mos mendoni se po u mbulojnë edhe nuk po ju shohim të zhveshur ashtu për çfarë ju të gjithë në të vërtetë jeni. NUDO dhe të zhveshur nga çdo vlerë njerëzore, politike, patriotike është zhveshja më e gërditshme dhe e turpshme që mund t’i ndodhë një njeriu. Ajo zhveshja fizike edhe është e natyrshme se të tillë lindim dhe të tillë hyjmë nën dhe.
E enjte, 20.9.2018
Maturantët në Ferizaj bojkotojnë mësimin kundër shtyrjes së vendimit për ekskursion
Kandidatët potencialë për “mburrjen” e radhës me testin kombëtar PISA paskan organizuar edhe protesta para Komunës së Ferizajt me rastin e vendimit për ndërrimin e orarit të shkuarjes në ekskursion dhe shkuarjes në fund të vitit shkollor e jo në fillim.
O zemrat e transicionit, o pishtarë të dijes, o rebelë pa qëllim e pa shkas!
Për pakënaqësitë tuaja ju ndoshta mund t’i keni edhe 100 arsye të tjera valide, mirëpo unë jam thellësisht i bindur se ekskursioni nuk do të duhej të ishte njëri nga to. Fundja ekskursionet hon- e- don kanë qenë në fund të vitit shkollor të maturës dhe ashtu disi ekskursioni do ta përmbyllte maturën edhe me kujtimet nga ekskursioni, e logjikshmja do të ishte ashtu.
Prandaj thirreni mendjen, kthehuni bankave tuaja shkollore, përgatituni për testin e fundvitit dhe përqendrohuni në sukseset e juaja vetjake që të arrini rezultatet sa më të mira. Ekskursioni në fund të vitit shkollor do të duhej të ishte qershiza mbi tortë në kujtimet tuaja.
Ju do ambasadori juaj i përkushtuar në Facebook.
E premte, 21.9.2018
Takimet private të zyrtarëve të akuzuar me krerët e sistemit të drejtësisë
Në shoqërinë e etabluar skajshmërisht kilenteliste s’ka se si të jetë ndryshe. Çdo gjë në këtë shoqëri është privatizuar dhe është vënë në shërbim të partive, të cilat kanë qeverisur këtë vend këto dy dekadat e fundit. Është më se normale që drejtësia të jetë selektive në këto kushte. Përveçse ajo është selektive, për më keq, ajo është edhe e dirigjuar me skenarë nga punëdhënësit e sistemit klientelist të instaluar nëpër prokurori e gjykata. Prandaj këto takime janë vetëm në vazhdën e vazhdimësisë së skenarëve me epilogë me të cilët veçse jemi mësuar. Lëndë të vjetruara si raste dhe mbyllja e tyre për shkak të “vjetërsisë”. Me siguri ekziston edhe ndonjë kodifikim për lëndët e tilla diçka si “shtine në turshi”, “a të kanë ardhë turshitë”, e edhe ajo tjetra që tashmë veçse thellë kemi hyrë në sezonin e turshive.
Po jam i vetëdijshëm se Kosova është e vogël dhe ne të gjithë mund të takohemi edhe lehtësisht mund të njihemi me njëri-tjetrin, por më besoni, kam miq që me vite nuk i takoj përveç nëse nuk e caktojmë takimin, kohën dhe vendin. Mirëpo unë i kuptoj këta që “rastësisht” takohen në vendet ku shërbehet kallamari, verërat e shtrenjta, purot, ushqimet ekzotike dhe të gjithë artikujt e tjerë, të cilat kakistokracia kosovare i konsumon. E çfarë të presësh nga kakistokracia, çfarë sistemi të drejtësisë do të instalojnë ata? KAKë pra, ashtu siç u përket edhe nga titulli i sistemit të shtresës shoqërore, të cilën vetë e kanë zgjedhur që t’i përkasin.
Pajtohen në gjykatë Noizy dhe Babastars
Kabllogram i cili më bëri që të hapja shampanjën, të cilën kishte kohë të gjatë që e ruaja për ndonjë kremte të veçantë. E ky lajm po, që është për të festuar. Gëzim më të madh dhe akt më të madh patriotik s’do të kisha përjetuar që nga koha e Pajtimeve të Gjaqeve. Noisy (OTR) dhe Babastars, dy busullat e drejtimit dhe idealizimit të të rinjve shqiptarë nga modelet rol të adoleshencës së tyre. Djem të rinj. Të pasur. Jetë glamuroze. Vetura të shtrenjta, të rrethuar nga femra të bukura. Reperë. Videospote glamuroze, alkool, armë, vetura të shtrenjta, femra lakuriqe e ndërmjet vete rivale. Po ku e duron shqiptari atë? Formojnë armata nga përcjellësit fanatikë të tyre! Të gatshëm që edhe jetën ta japin me lehtësi për idhujt e tyre, thuajse është lojë në Playstation dhe i kanë edhe jetët e tjera po qe se e humbin këtë.
Mund të më akuzoni se jam jashtë kohës dhe se nuk i kuptoj gjeneratat e reja. Ajo edhe mund të qëndrojë. Me të vërtetë edhe nuk i kuptoj. Isha edhe unë i ri dhe në moshë të tyre një kohë. Isha edhe unë rebel në mënyrën time, ndoshta ende kam ngelur i tillë. Mirëpo kjo që ne shohim sot është një degradim dhe degjenerim total dhe nuk ndodh vetëm tek ne. E keqja është se ne jemi shoqëri relativisht e vogël dhe përmasat e mëdha kritike arrihen shumë më kollaj se gjetiu. Globalizimi, komercializimi i çdo gjëje deri në asht e ka sjellë këtë botë në pikën në të cilën gjendet sot. E mbipopulluar me miliona zombi injorantë, për të cilët ajo që vlen është vetëm jeta luksoze e si ta arrish atë nuk është aq me rëndësi. Rruga për të arritur deri te paraja dhe pasuria, sa më e shkurtër e më e lehtë aq më mirë, por nga ajo që na mëson jeta, jo gjithnjë rruga e shkurtër të dërgon më shpejt në cakun e dëshiruar. Në të vërtetë, rruga më e shkurtër mund të jetë edhe ajo fatalja.