Kanë nisur hetime rreth dyshimeve se studentë shqiptarë u regjistruan brenda kuotës për komunitetet joshumicë në Universitetin e Prishtinës. KOHA ka raportuar në korrik lidhur me dyshimet për abuzim me kuota nga aplikuesit shqiptarë që u regjistruan në Fakultetin e Mjekësisë duke u deklaruar si pjesëtarë të komuniteteve.
Policia ka konfirmuar se Departamenti i Krimeve Ekonomike është duke u marrë me rastin, ndërkohë që edhe Inspektorati i Arsimit ka paralajmëruar ngritje të kallëzimit penal për javën e ardhshme.
Siç kanë thënë në Inspektorat, 32 nga 39 të regjistruar janë deklaruar boshnjakë ose turq, ndonëse nuk kishin kryer shkollimin në këto dy gjuhë.
“Lidhur me këtë, inspektorët e arsimit e kanë përfunduar sot procesverbalin me nr. Prot.356/10 Datë 06.10.2022 dhe lidhur me dyshimet e bazuara, të premten do t’u drejtohen organeve të drejtësisë, përkatësisht Gjykatës Themelore në Prishtinë duke bërë Kallëzim Penal, sipas kodit për deklarim të rrejshëm në formularin për vet deklarim, neni 391 të Kodit Penal të Kosovës”, thuhej në përgjigjen e Inspektoratit të Arsimit më 6 tetor.
Në një përgjigje paraprake me shkrim MASHTI kishte bërë të ditur se boshnjakë e turq do të konsiderohen vetëm ata që e kanë kryer shkollimin në këto gjuhë. Sidoqoftë, në UP kanë thënë se vetëdeklarimi është i lirë, porse në rastin e abuzimit të së drejtës për t’u vetëdeklaruar për qëllim të regjistrimit, pason ndjekja penale.
Deputeti i partisë turke KDTP thotë se fenomeni i keqpërdorimit me kuota të komuniteteve shtrihet edhe në konkurse të tjera publike.
“Kemi pasur informata të vazhdueshme që nganjëherë është keqpërdorur kjo dhe shpresojmë që do të gjendet një zgjidhje. Sepse, në qoftë se për punësime në institucione kur bëhen shpalljet publike, shpalljet për komunitetet jo-shumicë deklarohet dikush rrejshëm dhe e njëjta vlen edhe në universitetet publike për regjistrimin e studentëve - nëse është një bazë ligjore dhe dikush deklarohet rrejshëm, atëherë duhen të merren masa, sepse vetë udhëzimi administrativ këtë e përcakton”, ka deklaruar Enis Kervan, deputet i KDTP-së.
E njohësit e sistemit të drejtësisë e shohin të vështirë që prokuroria të vërtetojë vepër penale pa gjetur, për shembull, korrupsion apo mashtrim në dhënien e vërtetimeve të kombësisë.
“Nëse eventualisht në rastin e marrjes së ndonjë dokumenti që dëshmon nacionalitetin e tij ka keqpërdorur dikush detyrën zyrtare për t’ia lëshuar një vërtetim të tillë atëherë mund të merren si rrethana…qoftë që është konsumuar vepra penale e mashtrimit e veprave të ndryshme korruptive apo të tjera. Por, në aspektin e vetëdeklarimit është e vështirë që prokurori i shtetit ta dëshmojë”, ka thënë Yll Zekaj, avokat.
Sipas burimeve të KOHËS, vërtetime të tilla po dyshohet se janë lëshuar prej zyrave të bashkësive lokale, partive të komuniteteve e noterëve.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, të premten gjatë një tryeze ka thënë se disa ministri, përfshirë edhe ministrinë që e udhëheq ai, janë të përfshira në hartimin e një zgjidhjeje që do të mishërohet në ligj.
Në bazë të Ligjit për Gjendjen Civile, sipas Komunës së Prishtinës, dokumentet e gjendjes civile nuk përcaktojnë fare identifikimin qytetarëve të Kosovës.