OpEd

Përsiatje covidiane për demokracinë amerikane

Presidenti Biden dhe unë e kaluam fundjavën me COVID. Ai mori vendim që mund të jetë historik, unë përpiqem ta shpjegoj

1.

Të hënën më konfirmuan se isha infektuar me COVID-19. Kërkoja gjatë fundjavës në farmacitë e Kavajës vetëtestues dhe gjithkund mora përgjigje negative nga më të ndryshmet e me shprehje fytyre që tregonin nuanca të ndryshme befasie, deri te buzëqeshje dhe shenjë dore për të treguar se kujt i bie ndër mend më për COVID-in, “ishte moti ajo punë”. Ishte “aq moti” sa mezi gjeta një laborator që të ma bënte testin.

Dhe testi konfirmoi atë që kisha ndier gjatë fundjavës, simptomat e infeksionit të cilin e kisha pasur në fillim të vitit 2021. Tash u infektova për herë të dytë duke rrëzuar teoritë (gjegjësisht besimet) se po u infektove një herë nuk do të vijë hera e dytë, aq më shumë një personi si unë që i mori me rregull të gjitha vaksinat, madje për koincidencë të parën mu në Kavajë.

Përtej teorive, që pastaj shndërrohen në besime (nuk i bie virusi këtij, jo në këtë stinë, jo në këtë zonë, jo në këtë temperaturë) ekziston kokëfortësia e fakteve. E faktet janë se njohim atë që na ka ndodhur deri dje, por jo domosdo kjo njohuri na shërben për të kuptuar misteret e reja para nesh. Virusi i COVID-19 nuk është i njëjti me atë që filloi pandeminë; ka pësuar mutacione të cilat mund t’i kuptojmë kur të kenë ndodhur, por nuk kuptojmë se si mund të transformohen në të ardhmen. Virusi do të transformohet në atë mënyrë që të jetë e mundur jeta e tij në organizmin e njeriut; e do të hyjë në të nëpërmjet pikave të tij më të dobëta, aty ku imuniteti është më i ulëti.

Gjërat nuk ndodhin pa një ndërlidhje të ndërlikuar faktorësh; fakti se COVID-i “ka ndodhur moti” nuk e frikëson apo e pamundëson atë për t’u riparaqitur, mbase në dhjetë a njëzet vjetët e ardhshëm.

2.

Ndoshta presidenti Biden mund të hyjë në këtë analogji jo vetëm pse gjatë kësaj fundjave është mbyllur në shtëpi me infeksion COVID-19 . COVID-i mund të ketë disa pika analoge me garën presidenciale amerikane. SHBA-ja pati për president D.Trumpin, i cili në ditët e fundit të mandatit të tij i priu një kryengritjeje për të penguar rotacionin e pushtetit, por kjo megjithatë nuk e bëri Amerikën imune ndaj mundësisë së edhe një mandati të tij. Madje, të po asaj Amerike e cila ka shikueshmërinë më të lartë të filmave e serialeve me gjykime, avokatë, rend e ligj, por në të cilën kandidati republikan për president u dënua nga juria për vepra krimi e, megjithatë, prapë me gjasa të mëdha që të jetë president i vendit.

Besimi i presidentit Biden se duke e mundur një herë zotin Trump do ta kishte të garantuar që do ta mundte sërish, qe i njëjtë me besimin se po e kalove COVID-in një herë trupi nuk do të lejojë që ai të lajmërohet sërish.

Në fakt, të gjithë indikatorët tregonin se Trumpi i mundur në zgjedhjet e kaluara - të përdorim analogjinë deri në fund - ka krijuar mutacionin e vetes, i cili mundet në formë të suksesshme të depërtojë në trupin me imunitet të ulët të demokracisë amerikane.

Dhe, prapë, të shkojmë me analogji, presidenti Biden kuptoi se imuniteti i demokracisë amerikane nuk mund të mbrohet më me trupin e tij të lodhur - të lodhur nga një shërbim shembullor i demokracisë amerikane e asaj në botë, për më shumë se gjysmë shekulli, por megjithatë të lodhur.

3.

Nëse demokratët zgjedhin Kamala Harrisin për kandidate, e kështu duket në reagimet e menjëhershme përkrahëse por që megjithatë duhet të verifikohen në Konventën e 19 gushtit, atëbotë do të dalin disa interpretime të garës së ardhshme presidenciale. Njëra, natyrisht, është pengimi i kthimit të virusit antidemokratik të karakterizuar nga presidenca Trump. Tjetra, e garës në të cilën për herë të parë mund të ndodhë të fitojë një grua, madje një grua që është bijë imigrantësh, e një zezaku të Karaibeve e një hinduse - që të dy profesorë universitarë dhe simbole fisnike të “ëndrrës amerikane”. 

Por, po ashtu është gara në të cilën një pjesë e madhe e amerikanëve, të cilët votuan apo votojnë për D.Trump, nuk ndihen të identifikuar me liberalizmin e Amerikës së sotme, apo të asaj që ata identifikojnë si liberalizëm. Kjo është një pjesë shumë e madhe e Amerikës - në zgjedhjet e kaluara J.Biden fitoi për 40 mijë vota në tri shtete kyç vendimtare. Ajo pjesë e Amerikës mund ta shohë ardhjen e një personi si z.Harris në krye të shtetit pjesë të vazhdimësisë së një Amerike që nuk e ndiejnë si të veten.

Nëse ndodh që K.Harris të zgjidhet presidente e SHBA-së, atëherë do mbajtur mend fundjavën në të cilën Joe Biden u mbyll në shtëpi me COVID dhe kuptoi se gjëja më patriotike që mund të bënte për vendin e tij ishte që t’ia japë një “booster” imuniteti.

4.

Misteret e trupit njerëzor janë aty për t’u zbuluar.

E njëjta ndodh edhe me shoqërinë njerëzore. Që të dyja, organizmi dhe shoqëria, kanë kapacitet të jashtëzakonshëm të të befasuarit.

Për mua ka qenë dhe mbetet mister mundësia që deri para një jave një demokraci si Amerika kishte në garë dy kandidatë për të cilët është shtruar pyetja e kapaciteteve psiko-fizike e për më tepër njëri prej tyre qe i dënuar për vepra krimi vetëm disa javë më parë.

Apo ndoshta ekziston një interpretim tjetër, ai në të cilin trupit njerëzor dhe atij shoqëror i paraqiten ritualisht kriza të këtilla që sulmojnë imunitetin e tij, në mënyrë që të krijohen antitrupat; sepse me gjasë pa krizë as që na shkon mendja tek antitrupat, ngase e kemi “kaluar krizën moti”, nja tre-katër vjet më parë.